Maqedonia pjesë e aksionit ROADPOL, kontrolle të shtuara ndaj drejtuesve të motoçikletave, mopedëve dhe trotinetëve elektrikë

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se në periudhën nga 2 deri më 7 qershor 2026, si anëtare e ROADPOL-it, së bashku me edhe 34 shtete evropiane, po merr pjesë në zbatimin e kontrolleve të përforcuara të trafikut rrugor.
Siç thonë nga MPB, aktivitetet e aksionit janë të përqendruara në zbulimin dhe sanksionimin e drejtuesve të mjeteve me dy rrota, përkatësisht mopedëve, motoçikletave dhe trotinetëve elektrikë, të cilët konsiderohen ndër pjesëmarrësit më të rrezikuar në trafik.
"Kontrollet do të fokusohen në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse përkatëse, gjendjen teknike të mjeteve, të drejtën për drejtim të mjetit dhe ngasjen e përgjegjshme me respektimin e rregullave dhe rregulloreve të trafikut, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe uljen e aksidenteve rrugore".
"Duke pasur parasysh se ndodhemi në periudhën e ditëve të ngrohta, kur këto mjete përdoren më intensivisht në trafik, policia e trafikut do të ndërmarrë kontrolle të shtuara në rrugët në të gjithë vendin, duke zbatuar masa parandaluese dhe represive", thonë nga MPB.
Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë së tyre personale, si dhe të sigurisë së pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion./Telegrafi/










































