LAJMI I FUNDIT:

Kurrë mos syno të bëhesh si njeriu prej të cilit mësove

Kurrë mos syno të bëhesh si njeriu prej të cilit mësove

Këtë mesazh zemre ua drejtoj kryesisht vajzave të reja, të cilave ua mirëkuptoj etjen që kanë për t’u kapur fort pas një modeli, ku u duket se gjejnë vetveten.

Sa herë që më thonë fjalë të tilla si: “Jam krenare me ty”, “Je shembull”, “Je model për t’u ndjekur” etj., një siklet i papërshkrueshëm ma mbështjell brendinë.


Sado të bukura të duken për dikën këto fraza, mua më kallin datën, më shkaktojnë të dridhura trupi e më fusin në një gjendje alarmi. Kjo për shkak se ato më mveshin disa lavde që s’i meritoj, disa përgjegjësi që s’i mbaj dot mbi shpinë dhe një tufë perfeksionesh imagjinare, që s’i përfaqësoj dot askund.

Jo, e dashur, unë s’jam shembull për askënd.

Nuk përfaqësoj asnjë, veç vetes.

Nuk jam model për t’u ndjekur prej askujt.

Asnjë nga ato që ti kujton se është, nuk është në të vërtetë.

E dashur, çdonjëri prej nesh, çdo shpirt, ka anët e tij të bukura, ka cilësi të mrekullueshme, që ti do të doje t’ia bëje vetes dhuratë. Këtë mund ta bësh. S’ka asgjë të keqe.

Mund t’i përvetësosh ato cilësi e t’ia vësh si gjerdan shpirtit tënd, ama kurrë mos syno të bëhesh si njeriu prej të cilit i mësove.

Kur bën dikë tjetër model të vetes sate, ti e ngre atë në piedestal, e mbulon me një tis shenjtërie dhe i jep trajtë “idhulli”. E kur i jep trajtë “idhulli”, ti e ke zhveshur atë nga njerëzorja e tij.

Pas kësaj, ti tashmë ke harruar se ai modeli që ke vënë në fronin tënd të artë, ka të metat e tij të shumta. Ka cenet e tij. Ke harruar se ai është rrënjësisht dhe ekskluzivisht njerëzor.

Sigurisht, të metat nuk e bëjnë atë të keq. E bëjnë thjesht si ti.

Tani pyete pak veten: A e ke të nevojshme që të vësh dikë me cene e me plot të meta si vetja jote, në piedestalin tënd? Ta bësh atë synim? Model të fundëm? A ke vërtet nevojë për këtë?!

Gjatë dekadave të frymimit tim mbi këtë tokë, kam rendur edhe vetë disa herë pas modeleve të caktuara. Por, në fund kam përfunduar e zhgënjyer.

Tashmë e di se për zhgënjimin tim nuk patën faj modelet që synoja, por pritshmëritë dhe imazhi i përtejbotshëm që unë kisha ngritur në mendjen time për ta.

Përgjatë çapitjes që ti bën për të arritur modelin e preferuar, je përherë në një rrezik të vazhdueshëm: atë të humbjes së vetvetes.

Duke u përpjekur për t’u bërë me çdo kusht ajo çka s’je, rrezikon të humbasësh edhe atë çka je.

E dashur,

Thellë brenda teje gjendet një rrugë që të pret ta përshkosh. Të pret me padurim. Është rruga jote. Vetëm e jotja.

Mirë, nëse të duhen forca, energji e mësime nga modelet e nga bota, ti mirëpriti, hapjua krahët, por në fund duhet të bësh vetëm rrugën tënde, jo të tyren.

Modelin tënd ëndërroje, ideoje, vizatoje dhe ndërtoje vetë.

Bëje këtë, duke qenë e bindur se askush s’mund të të bëhet model më i mirë për shpirtin, sesa shtëpiza që ai vetë zgjodhi për strehë: vetja jote.