LAJMI I FUNDIT:

Kurorë me mish qengji

Kurorë me mish qengji

Fikrie Gagica- Ukelli
Autore e librit “1000 receta për çdo familje”

Përbërësit për brumin:


* 500 gr miell,
* 80 gr margarinë,
* 1 lugë maja,
* 1 lugë e vogël sheqer,
* 2 vezë,
* 2.5 dcl qumësht, kripë.

Për kurorë:

* Afro 2.5 kg mish qengji (dy palë brinjë),
* 200 gr gjoks pule ose mish qengji i prerë në kubik të vegjël,
* 2 lugë ajkë të thartë,
* 1 tubë qepë të njoma,
* 1 kungulleshkë e vogël,
* 2 lule të ndara lulelakre,
* 50 gr gjalp ose vaj ulliri,
* majdanoz i grirë hollë, ruzmarinë, kripë, vegetë, piper,
* 1 vezë për lyerje.

Përgatitja:

Zinet brumi me përbërësit e lartpërmendur dhe vendoset në vend të ngrohtë që të vijë. Mishi kriposet, fërkohet me mëlmesa sipas shijes. Zhvishen brinjët, u jepet forma e kurorës duke i bashkuar të dy palët e brinjëve dhe lidhen me spango kuzhine. Majat e brinjëve veç e veç mbështillen me folje, në mënyrë që gjatë pjekjes ato mos të nxihen. Nëse qengji është i moshës shumë të re,vendoset në tepsi të lyer me yndyrë, në mesin e zbrazët të kurorës futet një enë e vogël me pak ujë, që ta ruaj formën. Mbulohet me alufolje dhe futet në furrë të nxehtë me temp.200 gradë C për t’u pjekur për afro 40 min. Në të kundërtën, vendoset në tenxhere të gjërë me pak ujë që të zihet për ½ ore e pastaj me kujdes vendoset në tepsi që të piqet në furrë edhe ½ ore. Ndërkohë përgatitet mbushja. Mishi i zhveshur nga brinjët, ose mishi i pulës, fërgohet me qepë gjersa të zbutet. Shtohen perimet, ajka dhe mëlmesat. Kurora gjysmë e pjekur largohet nga furra, mbushet mesi i zbrazët i kurorës me yçin e përgatitur nga copëzat e mishit me perime dhe futet në furrë për t’u pjekur edhe 20 min. Brumi i ardhur ndahet në tri pjesë të cilat hollohen në tre shirita dhe thuren në formë gërshete. Mishi i pjekur largohet nga furra për t’u ftohur pak, pastaj mbështillet me gërshetë brumi. Pasi të vijë pak brumi, lyhet me vezë të tundur dhe prapë futet në furrë për t’u pjekur së pakut edhe ½ ore së bashku me mishin kurorë./Telegrafi/