– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –
Përgatiti: Luljeta Tahiraj
Maksut Shehu është një prej gazetarëve më të vjetër kosovarë. Mosha e tij e vjetër ia ka pamundësuar vazhdimin e këtij profesioni, përkundër dëshirës dhe vullnetit të tij. Me gazetari filloi të merret si nxënës i shkollës së mesme, kur pranohet në Radio-Prishtinë për ta udhëhequr një program për fëmijë. Po ashtu, ka qenë korrespondenti i parë shqiptar i cili ka shkuar në ShBA. Maksut Shehu ka mbi 30 libra të botuar, duke filluar prej vargjeve për fëmijë, e deri te romanet për të rritur. Kësaj radhe ai na flet për kohën kur i kishte 18-vjet. Pas 52 viteve, Maksut Shehu i kujton me shumë nostalgji ato ditë …
“Nuk e di pse pikërisht duhet të futem në kornizën e moshës 18-vjeçare. Sikur të ishte për moshën 19 ose 20-vjeçare, sigurisht se do të kisha shumë gjëra për të thënë, por kur i kisha 18-vjet, atëherë i kisha të gjithë dhëmbët në gojë. Vërtet pak të shtrembër dhe të fortë, flokët kaçurrela, si dhe dëshirë shumë të madhe për të mos heshtur. Ishte koha kur zemrën dhe gojën duhej ta mbyllnim, sepse ishte urdhër prej së larti, ishte urdhër nga komiteti.
Nuk dija se çfarë ishte reportazhi
Isha edhe unë si të gjithë të rinjtë në atë kohë, në vallen politike. Një ditë pat ardhur një mik imi në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ dhe më propozoi për kryetar të rinisë në Gjimnaz. Unë u pajtova dhe më zgjodhën kryetar të rinisë në Gjimnaz. Ky funksion imi ka zgjatur vetëm një ditë. Të nesërmen kanë ardhur dy të tjerë dhe më kanë thënë se ti nuk mund të bëhesh kryetar i rinisë, por se duhet të bëhet një shok imi i ngushtë. Prej asaj dite më nuk kam pasur ndonjë funksion politik edhe pse krejt jetën kam kaluar në vorbullën politike. Viti 1948 ishte vit shumë i vështirë, ku ende ekzistonin gjimnaze të ndara, gjimnazi shqiptar dhe gjimnazi serb.
Atëherë, kur isha 18-vjeçar, gjatë verës, pak me dëshirë, pak me vullnet, pak me urdhër e pak me dhunë, shkuam në brigadë të ndërtojmë autostradën e ashtuquajtur ‘Vëllaznim-Bashkim’. Kur u ktheva prej autostrade, dy shokët e mi më të vjetër, që të dy të ndjerë, por që kanë lënë vepra, Fehmi Agani dhe Rexhai Surroi, më thanë ta shkruaja një reportazh. Por, unë nuk dija se çka është reportazhi dhe as se si shkruhet. Ata më thanë: ‘Ulu merre lapsin dhe shkruaj’. Unë shkrova diçka. Nuk e di se kujt i kishte rënë në sy shkrimi im dhe pas disa ditëve më thirrën në Radio-Prishtinë. Ende isha nxënës dhe më kishin pranuar që ta udhëheqja një emision për fëmijë. Me të vërtetë, kisha një themel të sigurt se do të mundem ta bëj atë punë. Jo pse mendoja se kam talent, por isha gëlltitës i librave. Atë kohë e njihja shumë mirë romantizmin dhe realizmin evropian, realizmin e fortë rus deri tek modernja ruse.
Kështu, unë pata filluar të punoja në Radio-Prishtinë, në disa emisione për fëmijë, por më vonë ma ngarkuan edhe një punë tjetër, për t’i përgatitur lajmet prej ‘Kosmeti’, ashtu siç quhej rubrika. Më duhej të zgjohesha në orën katër të mëngjesit, sepse në orën pesë duhej të ishim gati, ngase shkonte si emisioni i parë.
Ballot në gjimnaz
Kam qenë i detyruar të punoj, ngase babai im një vit më herët ka vdekur dhe pensionin ia kishin ndalur. Po ashtu, vëllai im kishte rënë në burg. Ishte koha e Informbyrosë e unë mbeta i vetmi mashkull që duhej të ishte shtylla, për ta bartur në supe edhe anën ekonomike të familjes.
Në shkollë kam pasur probleme, më së shumti me pedagogët e gjuhës, sepse kam njohur shumë bukur çdo letërsi që është botuar deri atëherë në Shqipëri, duke filluar prej Fishtës e deri tek Poradeci. Këta dhe libra tjerë i kishin dërguar miqtë e babait tim prej Shqipërisë, por dalëngadalë u ndaluan, prandaj kisha konflikte me arsimtarin e gjuhës, sepse ai më thoshte që t’i harroja. Po si mund të harrohet libri i parë ose libri i dytë i gjuhës shqipe që më ka rënë në dorë, Te pragu i jetës ose Rreze drite?! …
Atë kohë kam menduar se vetëm në Shqipëri, njerëzit shqiptarë shkruajnë. Një ditë më pat rënë në dorë një revistë mujore që botohej në Beograd, Mladost, me një tufë vargjesh. Aty ishte një nënshkrim i panjohur për mua, Sat Nokshiqi. Në numrin tjetër shkruante Sat Hoxha. Fillova të gjurmoj se kush është ky njeri. Atëherë mora vesh se ishte i madhërishmi Esat Mekuli, me të cilin prej asaj kohe filloi miqësia ime, e deri në amshim. Ai ishte mësues i të gjithëve. Nuk mund të thotë një shkrimtar sot që ka krijuar emër në letërsinë tonë, se nuk ka kaluar ndonjë libër nëpër duart e Esatit.
Qysh atë kohë kam filluar më shumë fshehurazi të shkruaj ca vargje dhe në orët letrare në gjimnaz u paraqita edhe unë të lexoja diçka. Më kujtohet se u pata skuqur, por lexova deri në fund.
Të shtunat në Gjimnaz ishin gëzim i vërtetë edhe atëherë. Tërë shoqërinë tonë na dridhnin ethet, organizonim ballo. Në ballo mbështetej zemra dhe unë prisja se kush do të më zgjedhte për të vallëzuar, sepse atëherë zgjedhnin shoqet. Ashtu quhej: ‘Shoqet zgjedhin’, por nuk të zgjedhte ajo për të cilën t’i vazhdimisht mendoje. Nuk mund të them se nuk ka ekzistuar dashuria në atë moshë. Dashuria ka ekzistuar gjithmonë, prej se ekziston njeriu.
Përjashtimi nga Radio-Prishtina
Në Radio-Prishtinë qëndrova më shumë se një vit. Drejtor atëherë ishte Gligorije Gashiq nga Peja, i cili kur pinte dy-tri gota raki thoshte se është me prejardhje shqiptare. Ai më mbajti sa më mbajti, por kur erdhi një shqiptar për drejtor, Abdurrahim Zhuri, më largoi nga puna menjëherë, pa vendim, pa asgjë. Unë vazhdova ta kryej gjimnazin. Kam qenë nxënës mesatar. Në lëndët humane mund të them se kam qenë brilant, por në matematikë çaloja me të dy këmbët. Fillova t’i përkushtohem edhe matematikës, posaçërisht me ndihmën e shokut të bankës, Nexhat Orana, ndjesë pastë. Ai ka qenë ‘gjeni’, jo vetëm sa i përket matematikës, por për të gjitha lëndët. Me ndihmën e tij arrita ta kuptoj edhe matematikën analitike, që ishte një plus për ta përfunduar maturën.
Matura jonë ka qenë matura e dytë pas luftës, gjenerata e dytë e maturantëve shqiptarë. Ishim 13 nxënës në klasë, dy ‘ngelën’ në klasë, dy në maturë. Mbetëm nëntë të cilët e kemi përfunduar maturën, ishin tre të liruar prej maturës dhe gjashtë të tjerë. Po të kishim nga një katërshe në matematikë, do të ishim të shkëlqyeshëm, do të ishim brezi më i fortë me notën mesatare në Jugosllavinë e atëhershme. Ka qenë me të vërtetë një gjeneratë shumë e fortë, prej tyre ishin dy vëllezërit Orana, Nexhati dhe Xhelali (që të dy profesorë universitar), Xhemajl Ahmeti (profesor universitar), Zija Devaja, mjek i njohur në Shkup, pastaj Gjon Shiroka, shumë vite ambasador, dhe njëri prej drejtorëve të ‘Rilindjes’ dhe kryeredaktorëve të ‘Zërit’, Haxhi Rexha, inxhinier i cili ka vdekur në Slloveni – si thonë ‘pa nam e nishan’. Kanë qenë edhe Reshat Deva, po ashtu mjek, dhe Xhemil Korenica, i vetmi që është shpërngulur prej shokëve tanë në Turqi. Atje ai ka qenë mjek i njohur. Kur e kemi kremtuar 50-vjetorin e maturës, ishim vetëm katër prej gjeneratës të pranishëm: Xhelal Orana, Ekrem Basholli, Sami Qerimi dhe unë, me profesorin e njohur, akademik Idriz Ajeti. Kemi bërë një kremtim të mirë, por ishim shumë pak.
Reportazhet e pabotuara
Pas maturës, një grup studentësh, të prirë prej krijuesit të gazetarisë moderne shqiptare, Masar Murtezaj, filluam ta botojmë në Beograd gazetën ‘Zani i Rinisë’. Atje përgatitej, një kohë shtypej atje, e më vonë filloi të shtypej edhe në Prishtinë. Mendoj se atje kam filluar të bëhem gazetar.
Shumëkush më pyet se pse nuk i kam mbledhur reportazhet dhe shkrimet që t’i botoj si libër. Por, unë mendoj se gazetari çka shkruan, ajo çka e vjedh prej penës së tij, prej zemrës së tij, prej mendjes së tij, prej dashurisë së tij, është vetëm për një lexim, ngase gazeta lexohet dhe hedhet.
Për të shkruar jam munduar, jam munduar që të punoj në dy palë binarë dhe nuk e di sa kam qenë i suksesshëm. Është një letërsi mesatare, ndoshta nën mesatare, por mos të ishin shkrimtarët mesatarë, atëherë askush nuk do të dinte se kush është shkrimtar i madh.
Dështimi ka qenë suksesi më i madh imi dhe dështimi në fund ka qenë në vitin 1956-57 pas kthimit nga Beogradi, në ‘Rilindje’, që përgatiteshim për ta nxjerrë gazetën e përditshme. Atëherë kishte filluar shpërngulja për në Turqi. Unë pata filluar të shkruaj një seri reportazhesh, pikërisht duke treguar për hallet e tyre, për mjerimin e tyre në Turqi, nëpër Stamboll, Anadoll … të bëja një rezistencë për ndaljen e shpërnguljeve. Këtë ia kam pasur borxh edhe babait tim. Ai ka qenë njeriu i cili ka luftuar më së shumti për të ngelur të gjithë këtu. Ishte njeri me autoritet, jo vetëm këtu, por ka qenë profesor në Universitetin e Stambollit, prej nga e kanë larguar më 1912. Pastaj është kthyer këtu dhe ka luftuar deri në frymën e fundit që mos të ikin njerëzit dhe mos ta lënë Kosovën.
Seria ka qenë e pritur për mrekulli. Në rast se kam pasur ndonjëherë dëshirë, diçka që kam shkruar në gazetë, të fus në mes dy kopertinave si libër, kanë qenë pikërisht ato reportazhe. Kryeredaktor ka qenë Asllan Fazliu dhe materiali ka qenë për një faqe gazetë. ‘Rilindja’ dilte tri herë në javë dhe përgatiteshim për një ‘Rilindje’ të përditshme. Më thanë se nuk e paske shkruar mirë dhe unë u thashë se do të ulem prapë ta shkruaj, por prapëseprapë ma ndaluan që ta botoj. Ai ka qenë një nga dështimet e mia. Kam pasur shumë tema që bënin fjalë për tmerrin e njerëzve tanë. Por, ato tema i kam shfrytëzuar në romanin tim Njeriu me dy koka. Ka mbetur i botuar në vazhdime dhe fatkeqësisht ka ngelur dhe ende nuk është botuar si libër në tërësi.
Gazetaria mes dashurisë dhe dhuntisë
Gazetaria nuk është profesion, gazetaria është në mes dashurisë dhe dhuntisë së Zotit. Në gazetari duhet të kesh edhe shumë fat. Atëherë kemi pasur një gazetar i cili tani ka vdekur. Ai aq shumë ka pasur fat, saqë ka gjetur tema më të mira prej gjithë gazetarëve të ‘Rilindjes’, por nuk ka ditur t’i shfrytëzojë .Tema e mirë që do të lexohet, që do të mbahet në mend më shumë se një lexim, është si zogu më i shpejtë, po s’e kape me kohë, ikën. Po ikin edhe vitet, e kur kam pasur 18-vite nuk kam menduar asnjëherë se do ta arrij mileniumin e tretë. Një shkrimtare shumë e popullarizuar, Izabella Allende, në bisedë me bijën e vet i thotë se ”vdekja nuk ekziston, njeriu vdes kur e harrojnë”. Por, ne pleqve po na harrojnë, kështu mendoj unë.
18-vjeçarët i porosis që mos të ngurrojnë, ta kërkojnë të drejtën e vet, mos të ngurrojnë të mësojnë dhe të përgatitur t’i hyjnë çdo pune. Nuk është fare turp që 18-vjeçari të jetë edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, të jetë edhe kryeredaktor i një gazete, të jetë edhe deputet. Kjo është kohë e ardhmërisë dhe në këtë kohë medoemos duhet të them se njerëzit po jetojnë në mjegull. Pra, sot duhet vetëm punë. Nuk jam kundër kafeneve, dashuriçkave, gëzimeve, argëtimeve, por duhet çdo kohë të shfrytëzohet për punë dhe çdo kohë duhet lexuar.
Ne atëherë kemi qenë ‘shula’. Unë kam ecur me një palë çizme të gjermanëve dhe nuk kam pasur veshje të mirë, por kam pasur vetëm fatin që kam lexuar shumë. Në gjeneratën time kam pasur njerëz të cilët nuk kanë lexuar asnjë libër.
Ajo po ndodh edhe sot. Atë çka e shkruani, duhet në një mënyrë të plotë, miqësisht t’ia detyroni kolegëve që ta lexojnë. Mos mendoni se vetëm pena juaj është ajo e cila shkëlqen, ajo e cila lë gjurmë. Duhet ta krahasosh veten me punimet e tjetrit. Ju, 18-vjeçarët jeni fëmijët e kohës së kompjuterëve, të internetit, të fluturimeve nëpër qiell. Unë në moshën 18-vjeçare e kam ndezur cigaren. Përpos cigares ju e dini se çfarë përdoret tashti. Droga edhe atëherë është përdorur, kur e kanë zier, për t’ia dhënë nga një lugë të vogël fëmijëve të cilët kanë qarë për t’i qetësuar. Pra, ka një rrënjë, por jo në këtë mënyrë. Edhe alkooli nuk ka qenë e panjohur atëherë, edhe unë kam pirë, por jo si sot.
Ju porosis që mos të ngjani me ne, mos e ulni kokën, mbahuni krenarë, dijeni se ardhmëria është juaja. Nuk është turp që të punoni, të shisni cigare, të punoni fizikisht. Kjo gjenerate, kjo që do ta shpjerë Kosovën në Evropë, do ta ngritë në këmbët e veta një shtet modern, për lakmi, duhet edhe mos të harrojë. Mos ta harrojë të kaluarën …”! /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Dridhet Peja, mbështetje masive për Egzon Kelmendin - Elkosin
Erdogan shpreson se rebelët sirianë do të vazhdojnë avancimin, por ngre alarmin për diçka
Në Siri, një diktator është nën rrethim. A do ta shpëtojë dikush?
Presidentja Osmani shtrëngon duart me Presidentin Trump në Paris, del video e takimit
Gruaja dhe fëmijët i ikin në Rusi, i paqartë fati i presidentit sirian al-Assad
Opozita pretendon se buxheti i vitit 2025 është anti-kushtetues, çka nëse dërgohet ai në Kushtetuese?