ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Mbrëmja e kaluar ishte e veçantë për mijëra adhurues të muzikës në Shkup, ku Yll Limani mbajti koncertin e tij, duke dhuruar emocione dhe një atmosferë të paharrueshme për publikun.

Salla ku u zhvillua koncerti ishte e mbushur me mijëra fansa, të cilët kënduan njëzëri çdo varg dhe melodi të këngëve të tij.


Përveç energjisë dhe hiteve të shumta të interpretuara gjatë mbrëmjes, një nga momentet më emocionuese ishte dedikimi i veçantë që Yll Limani bëri për këngëtarin Shpat Kasapi.

Ylli ndaloi performancën për të shprehur vlerësimin e tij për një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe për ndikimin që ai ka pasur në rrugëtimin e tij artistik.

“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar”, u shpreh Ylli me emocione para publikut.

“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime”.

Pas këtyre fjalëve prekëse, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit. Ky moment u prit me duartrokitje të gjata dhe ovacione nga publiku shkupjan, duke sjellë emocione te të pranishmit për kujtimin e këngëtarit të ndjerë. /Telegrafi/


@three60.music Ylli’s heartfelt words about Shpat Kasapi tonight in Shkup. 🫶🏻 #shpatkasapi #ylllimani #shkupi #viralalbania ♬ original sound - Three60 Music