LAJMI I FUNDIT:

Kur injoranca kalon kufirin e na bën qesharakë

Kur injoranca kalon kufirin e na bën qesharakë
Ilustrim

Armand Plaka

Më ka ndodhur që në rrjetet sociale të shoh shpesh “fakenews”, sajesa, idiotizma, sharlatanizma e amatorizma të çdo lloj shkalle, deri në kufijtë e skandaleve të atilla që ofendojnë inteligjencën dhe logjikën më të thjeshtë njerëzore.

Në shumicën e rasteve i kam kaluar me një nënqeshje, duke mos u dhënë shumë vëmendje, pasi kam menduar se janë pikërisht rezultat së pari i lirisë së shprehjes së pakufizuar që të ofron teknologjia nëpërmjet rrjeteve sociale apo blogimit të pavarur, e së dyti, e një dalldie “të justifikuar” në raste të veçanta.

Por, kur ky kufi kalohet dhe bëhet një fenomen që prek edhe portale e madje gazeta që mbi krye kanë, apo pretendojnë se kanë një staf editorial profesional, që mendohet se përthith, verifikon, përpunon dhe boton informacione që vërtetë ia vlen të kalojnë kufirin mes postimeve (duke paramenduar FB apo Twitter p.sh.) dhe të botuarit (duke paramenduar siç mund të merret me mend, gazetat e portalet) atëherë emri i saj, përtej neglizhencës dhe arsyeve komerciale për të botuar çdo gjë që u vjen dorësh, mund të jetë veç injorancë në shkallë të gjerë.

E kuptoj shumë mirë se shumë individë, grupime apo organizata me prezencën e tyre virtuale në rrjet, falë një zjarri deri diku të shpjegueshëm patriotik e zelli nacionalist, botojnë edhe foto, ilustrime grafike e harta të ekzagjeruara, plot sajesa mediokre, aspak profesioniste e madje idiotësira e kotësira të vërteta, vetëm e vetëm për t’i mbushur mendjen vetes apo një audience që i ndjek instiktivisht – ndoshta me të drejtë – në argumentimin e tyre në çështje historike apo etnolinguistike si p.sh: sa e madhe ka qenë Shqipëria, apo se si shqiptarët janë paraardhës të këtij apo atij grupimi etnik e gjuhësor, ose se si shqiptari ka bërë këtë e atë gjë, shpesh duke mos u bazuar në asnjë burim historik e shkencor.

Por, që në këtë grackë të bien portale në dukje seriozë në ecurinë e tyre të deritanishme nga Shqipëria deri në Kosovë e diasporë, kjo më ka bërë të hap mirë sytë, të ngre supet e jo thjesht të habitem.

Për të qenë më konkret, doja të nxirrja në pah një rast të ditëve të fundit, që i referohet një harte kinse ruse të vitit 1881, e cila qarkullon prej kohësh në rrjet, e që përbën vetëm një sajesë mjerane, ku medemek është tentuar të krijohet përshtypja se është e shkruar në alfabetin cirilik, për t’u bërë kësisoj më interesante në sytë e një publiku që gjërat i merr “derr më thes”, duke menduar se po vjen medemek nga vetë Rusia, “Mëma e të gjithë sllavëve”, por që edhe mendja më injorante e kupton se nuk mund të rrinë dot në një shtrat dy alfabete që do shërbenin si shpjegim për këtë hartë, ku shihen germa latine dhe ( edhe ato të sajuara në mënyrën më të trashë) cirilike.

Edhe sikur të ishte kështu, në rastin më të mirë do të duhej të thoshim, hartë serbe apo serbokroate dhe jo ruse, megjithëse edhe ky argument bie poshtë vetvetiu, sepse megjithëse serbokroatishtja (në ditët e sotme në fakt ekzistojnë si dy gjuhë të veçuara qysh nga rënia e ish-Jugosllavisë), si një rast thuajse unik në Evropë apo në botë, njeh dy variante të gjuhës së vet të shkruar, në çdo rast, hartuesi i hartës do kishte detyrimin të vendoste nëse do të preferonte të shkruante në alfabetin cirilik, apo në atë latin dhe jo në një përzierje që edhe syri më i pastërvitur, do ta dallonte menjëherë se nuk mund të ekzistojë, sidomos në atë formë që është paraqitur në atë hartë.

Një argument tjetër duhej të ishte vetë paraqitja e asaj harte, e cila për çdo fëmijë e jo më për stafe editoriale të portaleve që presupozohet se kanë një bazament të përgjithshëm njohurish kulturore, duket se i tejkalon disa herë përmasat e asaj që njihet si “Shqipëria e Madhe”, duke i shtyrë kufijtë etnikë të shqiptarëve, deri thellë në Bullgari, Kavalla të Greqisë, në mbarë hapësirën që përfshin brigjet veriore të Egjeut, apo dhe ishullin e Korfuzit, e kjo madje e dhënë me të njëjtën vijimësi ngjyre, a thua se shqiptarët në skaj të prezencës së tyre etnike atje ku gjenden, janë në një përbërje 100 për qind të pastër etnike, duke përjashtuar çdo lloj etnie tjetër, pikërisht në një rajon ku dihet se prezenca e shumëllojshme etnike, është si “një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim”.

Gjithashtu, argument tjetër që mund të të shkojë menjëherë ndërmend në këtë rast, është se cili është burimi, kur thua “Hartë ruse e vitit 1881”, pa cituar asnjë të tillë e kurrfarë emri të hartuesit të saj, e duke e mbyllur këtë mesele me kaq, sikur po diskuton te klubi me “çunat e lagjes”, me të cilët je rritur e që pas shumë kohësh i gjen po prapë te “Lloto”, ku i ke lënë edhe para 15-16 viteve, e nën shoqërinë e një kafeje, bën ca muhabete sa për të kaluar radhën dhe për t’i respektuar, i lë radhë të thonë çfarë të duan e të diskutojnë për çështje politike e historike (duke i shtrirë për qejf kufijtë e Shqipërisë deri në Finlandë), sikurse bëjnë me ato të sportit, për të cilat u heq kapelën, sepse janë “zot në shtëpi të vet”, duke u ndier të aktualizuar e informuar deri në detaj.

Jo vetëm në çështje të historisë, jo vetëm në rubrikën “dossier”, e jo vetëm në lidhje me hartat, por në të gjitha rubrikat e fushat ku diskutohet e pretendohet të sillet një kontribut, mendoj se duhet të udhëhiqemi nga një minimum sedre profesionale dhe evidentimi konkret të fakteve, dhe jo të përfshihemi nga një dalldi, qoftë kjo edhe për shkak të një patriotizmi të justifikuar, që na bën të dukemi sidomos në sytë e botës, injorantë të skajshëm dhe karagjozë, e që në fund të fundit, nëse nuk i shërben të vërtetës, nuk i shërben as patriotizmit e as nacionalizmit shqiptar.

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Magazina
Kalo në kategori