LAJMI I FUNDIT:

Kur është koha për të ndërruar protezat dentare? Shenjat që nuk duhen injoruar!

Kur është koha për të ndërruar protezat dentare? Shenjat që nuk duhen injoruar!
Ass.Dr.Sci. Visar Disha

Nëse keni përdorur protezat dentare për një kohë të gjatë dhe keni vënë re se diçka nuk shkon më si më parë, mos e injoroni këtë ndryshim

Ass.Dr.Sci. Visar Disha
Specialist i Protetikes Stomatologjike
Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave
Specialist i Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë
Tel. +38344559287

Me kalimin e viteve, protezat e vjetra mund të mos përmbushin më funksionin e tyre siç duhet dhe mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës suaj.


Për të mbajtur shëndetin oral në gjendje optimale dhe për të ruajtur pamjen natyrale të fytyrës, është e rëndësishme të dini se kur është koha për t’i zëvendësuar protezat dentare.

Cilat janë shenjat që tregojnë se protezat tuaja duhet të ndërrohen?

1. Dëmtime të dukshme

Nëse vëreni thyerje, çarje, zbehje të ngjyrës së protezës ose dhëmbë që bien nga proteza, atëherë ka gjasa që ajo ka filluar të konsumohet. Riparimet mund të jenë një zgjidhje e përkohshme, por nëse po përballeni me ndërhyrje të shpeshta, është më mirë të investoni në një protezë të re dhe më të sigurt.

2. Plagë ose acarim në mishrat e dhëmbëve

Nëse mishrat e gojës kanë ndryshuar që nga momenti kur proteza është bërë, ajo mund të mos përshtatet më si duhet. Kjo mund të çojë në plagë ose acarime. Në disa raste, mund të ndihmojë një përmirësim i përshtatjes së protezës dentare përmes ribazimit të protezës por shpesh zgjidhja më e mirë është një protezë e re që përshtatet me formën aktuale të gojës.

3. Vështirësi në përtypje

Nëse ndiheni sikur nuk mund të përtypni si më parë, kjo mund të jetë shenjë që proteza ka humbur funksionalitetin e saj. Dhëmbët e protezës me kohë konsumohen, bëhen të sheshtë dhe më pak efektivë në përtypje.

4. Probleme në të folur

Nëse keni vështirësi të shqiptoni qartë fjalët ose ndjeni që proteza rrëshqet kur flisni, mund të jetë koha për një kontroll. Mungesa e stabilitetit, trashësia e tepruar e protezës apo vendosja jo e duhur e dhëmbëve në protezë mund të jenë shkaktarët.

5. Ndryshime në pamjen e fytyrës

Një nga treguesit më të qartë që është koha për një protezë të re është pamja e fundosur e fytyrës. Protezat e konsumuara nuk mbështesin më muskujt e fytyrës si më parë, duke shkaktuar thellim të rrudhave dhe ngushtim të buzëve.

Protezat hibride - Standard i ri në terapinë protetikore
Lexo po ashtu Protezat hibride - Standard i ri në terapinë protetikore

6. Lëvizshmëri e tepërt

Ndërkohë që është normale që proteza e poshtme të jetë pak më e lirshme, nëse ndjeni që ajo nuk qëndron dot fare në vend edhe me ndihmën e gjuhës, kjo është një shenjë që ajo nuk përshtatet më si duhet.

Sa shpesh duhet të ndërrohen protezat dentare?

Edhe pse ka pacientë që pretendojnë se kanë përdorur të njëjtën protezë për gjithë jetën, kjo nuk rekomandohet nga profesionistët e fushës dentare.

Sipas studimeve, një protezë dentare zakonisht zgjat rreth pesë vite, ndërsa ato të bëra me materiale më cilësore mund të zgjasin deri në 5-8 vite. Megjithatë, mos harroni: mosha e protezës nuk është faktori i vetëm që përcakton zëvendësimin e saj. Nëse keni shqetësime, konsultohuni me Specialistin e Protetikes Stomatologjike. Ndonjëherë mund të mjaftojë një rregullim i vogël, ndërsa herë të tjera është më mirë të përgatitet një protezë e re.

Mesazhi im

Një protezë e përshtatshme dhe funksionale është çelësi për një shëndet oral të mirë dhe një jetë të përditshme më cilësore. Nëse vini re ndonjë nga shenjat e përmendura më sipër, mos e shtyni vizitën tek Specialist i Protetikës Stomatologjike. Një protezë e re mund të sjellë jo vetëm përmirësim në funksionin oral, por edhe një ndryshim të dukshëm në pamjen dhe vetëbesimin tuaj.

Mos lejoni që një protezë e papërshtatshme të fshijë buzëqeshjen tuaj!

Kthejini vetes buzëqeshjen që meritoni!

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Rregullat e festave

Rregullat e festave

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori