Kujtimet e gazetarit austriak për Baftjar Kollovozin - "Vrasësin e serbëve"!

Nga: Louis A. Matzhold, pjesë nga libri Brandherd Balkan / Zjarri i Ballkanit, 1936, fq. 41-43)[1]
Përgatiti në shqip: Jonuz Kola
Ne takojmë një kaçak të gjatë hollak, ngjyrë kafe, pushka e re dhe rripi i fishekëve i të cilit shkëlqejnë në dritën e diellit. Dhëmbët e tij të mrekullueshëm shkëlqejnë sikur sapo kishte dalë nga dentisti.
Ai është Baftjar Kollovozi, i cili sapo zbret bashkë me ndihmësin e tij nga një grykë mali.
Një hero kombëtar i shqiptarëve. Një kapedan në fisin e tij.
Baftjar Kollovozi deri tani ka vrarë 118 serbë, jo nga aeroplani, por nga shkëmbinjtë.
Një udhëheqës i vërtetë cubash, i cili shfaqet si një qengj që ka më shumë natyrë zotërie sesa dëshirë për vrasje.
"Gëzohem, shef, që ju takoj. Kam dëgjuar shumë për ju. Më kanë treguar se ju nuk vrisni për kënaqësi apo lakmi, por për hakmarrje, nga armiqësia më e përgjakshme kundër serbëve”!
Me një buzëqeshje të shkurtër, pothuajse të turpshme, ai më dëgjonte ndërsa vazhduam udhëtimin tonë së bashku drejt qytetit tregtar Bicaj, pothuajse 20 kilometra nga Kukësi. Fjetëm së bashku atë natë dhe kështu munda të mësoja më shumë për jetën e tij dhe të kuptoja pse Baftjar Kollovozi është një hero kombëtar, emrin e të cilit mban edhe një fshat shqiptar.
"Ishte viti 1918. Serbët, fitimtarë në Luftën Botërore, nuk donin të largoheshin nga Shqipëria e Veriut. Unë kisha lart në male një kasolle, kisha lopë, viça dhe dhen dhe punoja me mund të madh për t’i ruajtur ato.
Por, në mes të natës, më sulmuan një duzinë ushtarësh serbë. Më tërhoqën zvarrë nga gjumi ... mu desh të dorëzoja pushkën. Ata vranë qentë e mi, therën bagëtinë dhe morën plaçkën me vete. Mua më rrahën për vdekje.
U betova për hakmarrje, hakmarrje të përgjakshme. Lashë shtëpinë dhe familjen dhe mblodha disa fqinjë që kishin pësuar të njëjtin fat.
Ishte një kënaqësi për ne të masakronim sekretarin serb, i cili kishte marrë përsipër administrimin e kësaj zone dhe na kishte grabitur gjithçka. Ne ia bëmë atij ashtu siç kishte bërë ai me ne e bagëtinë tonë.
U futëm fshehurazi me shokët e mi në territorin serb në Tetovë, ku e vramë kryetarin e bashkisë dhe dy ushtarë serbë. Plaçkitëm e grabitëm gjithçka që mund të plaçkitej.
Pastaj shkuam në Shkup, ku unë e mora në shënjestër makinistin e një treni që po kalonte dhe ia blova kafkën me plumba. Rreth njëqind xhandarë dhe ushtarë serbë na u kundërvunë. Por, dymbëdhjetë pushkët e mia dhe vullneti i fuqishëm për t'u hakmarrë dhe për të parë gjakun serb të rridhte në të gjitha qoshet e rrugëve, ashtu si gjaku i viçave dhe deleve tona kishte spërkatur muret e shtëpive tona, na bënë t'i mposhtim këto forca superiore.
Kapëm edhe dy robër, që nuk vlenin as sa një plumb, dhe prandaj ua premë kokat, njëlloj siç serbët e ndanë dhe e shqyen krahinën shqiptare të Kosovës nga trupi i Shqipërisë. Kështu mbetën rreth 60 të vdekur të shpërndarë rrugëve. Ne humbëm vetëm tre burra.
Gjërat u nxehën aq shumë saqë nuk pata kohë as të ndez një cigare. Por, nuk do të përmend përleshje të tjera të ngjashme [nuk ia vlente me tregu se ka vrarë shumë serbë]”.
Në Prizren kishte vrarë dy inxhinierë, në Brod dy xhandarë ... kështu vazhdonte lista e të vrarëve më tej.
- Dhe, a vazhdoni hakmarrjen tani? - e pyeta me ton biznesi.
"Për momentin jo, sepse mbreti mendon se nga kjo do na krijonte shumë probleme ndërkombëtare.
Por, llogaria me serbët nuk ka përfunduar për sa kohë që një pëllëmbë toke shqiptare dhe një vëlla shqiptar ende mbahen rob nga serbët.
Gjithashtu kam shënuar vrasjet gjithnjë e në rritje të barinjve tanë (nga serbët) në kufirin serb”.
- Ku? – e pyes
- Në brezin e fishekëve - më përgjigjet.
_____________
[1] Sqarime për librin [përgatitur nga Telegrafi], sipas Shtëpisë Botuese W. Seidel & Son (Vjenë): Ky libër është një raport mbi procesin e fermentimit në Evropën Juglindore, i shkruar nga një korrespondent i shtypit të madh botëror. Me një gjuhë të qartë dhe të përmbledhur, Matzhold përshkruan, duke u mbështetur gjithmonë në përvojën e tij personale, gjendjen dhe mënyrën e jetesës së vendeve të Ballkanit. Të ndikuara dhe të shtypura nga një duzinë filozofish botërore dhe fesh të ndryshme, ato përbëjnë një vatër zjarri, ku vazhdimisht shpërthejnë flakë në vende të ndryshme. Përshkruhen kontrastet e mëdha që ekzistojnë në zemrën e njeriut ballkanik, në familjen e tij, në shtetet dhe, së fundi, në të gjithë fushën ekonomike, politike dhe shoqërore, duke qenë në përplasje të vazhdueshme me njëra-tjetrën. Kështu, këtu hiqet pa mëshirë fashoja nga një plagë që e mban Evropën në gjendje etheje dhe që kërcënon vetë Ballkanin, madje edhe gjithë botën, me një luftë të re. Sipas mendimit të autorit, fati i Perëndimit, i qytetërimit aktual evropian, do të vendoset në Ballkan.
Përmbajtja:
- Serbia: Në Beograd / Frymë e re në Orientin serb / Fetar-fanatik - pa Zot / Shkupi, dikur Üsküb / Tregu i nuseve / Qëndrimi serb / “A doni të bëheni mbret i shqiptarëve?”
- Shqipëria: Lindja dhe Perëndimi / Zogu / Dyqind beqarë pa nuse / Bahtjar Kollovozi – “vrasësi i serbëve” / Mikpritja / Një mbrëmje te krerët e Qylistanit / Njerëz revolucionarë
- Greqia: Maqedonia / Rruga e Afërditës / Mysafir i Poseidonit / Dedeagaçi – Pemë e gjelbër / Kamp përqendrimi / Në luginën e Maricës
- Turqia evropiane: Kufij të padurueshëm / Edirne (Adrianopoja) / Trakia turke
- Bullgaria: Kryeqyteti Sofja / “IMRO” [Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase] / Vanço Mihajllov / Marsejë – – ! / Në tempullin e madh të Zotit të trëndafilave / Karafila të kuq / Lufta vendimtare
- Lamtumirë gjysmëhënës, trëndafilave dhe telave me gjemba
Për turistët e shumtë që udhëtojnë drejt Ballkanit, ky libër është një udhërrëfyes i gjallë dhe argëtues.























































