LAJMI I FUNDIT:

Kujdes nga diabeti!

Kujdes nga diabeti!

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër në dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore te trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Si, në ç’mënyrë?

Së pari: Prej mosdijes, mosnjohjes së tij ! Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të.

Së dyti: gënjehen nga forma apo paraqitja e “butë“ e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë (që mjekohet me dietë ose hapa) është jo i dëmshëm”, transmeton Telegrafi.


Rreziqet reale të diabetit

Diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), të cilat do t’i përshkruajmë pas kapitullit të mjekimit, dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme, si më poshtë:

1. Ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël.
2. Ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh.
3. Infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.

Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla

Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme.

Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime.

Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

Ndërlikimet në sy, të shikimit

Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve.

Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçare, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë.

Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestare që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet.

I vetmi “ilaç” për të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glikemisë. Po nuk u bë kjo, sytë janë në “dorë të fatit”.

Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog.

Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po qe i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar.

Ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin pa pyetur mjekun ilaçe të tilla si aspirina e të tjera, që shtojnë hemorragjinë e po kështu të kenë kujdes të mënjanojnë shtrëngimet gjatë të dalurit jashtë, kollitjen e fortë, teshtimat që mund të rëndojnë hemorragjinë.

Mire është që i njëjti okulist i zgjedhur ta ndjeke dinamikën e ndryshime në mënyrë periodike nga vitit në vit dhe të krijojë lidhje e bashkëpunim me mjekun që kuron diabetin e të sëmurit.

Nga ana tjetër mjeti mjaft efektiv për t’i mbrojtur e mjekuar të sëmuret me retinopati diabetike relativisht të avancuar prej verbimit është aparati i posaçëm me rreze laseri.

Duhet patur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit).

Veç këtyre tek te sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes. Por ato janë kalimtare jo nga retinopatia por të lidhura me luhatjet e mëdha e të befta ditore të nivelit të glicemisë.

Edhe këto ndërlikime janë pasojë e mosmjekimit dhe e ekuilibrit të keq të diabetit, pasojë e hiperglicemisë së pamjekuar ose të lënë pas dore.

Ndërlikimet ne veshka

Në veshka bëhet filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eliminon e flak jashtë në urinë, tërë helmet, mbeturinat e “skorjet” që nxjerrin “makineritë” qelizore gjatë punës së tyre.

Diabeti si pasoje e hiperglicemisë të vazhdueshme për një kohë të gjatë dhjetëra vjeçare mund të dëmtohen kapilarët e hollë të glomerulave dhe kështu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi. Ky ndërlikim quhet nefropatia diabetike.

Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit. Për fat të keq me gjithë progresin në mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon te mbetet mjaft i shpeshte.

Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i parë alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s’garanton që ai nuk do të prekë e shtrihet edhe në kapilarët e veshkave.

Në këtë fazë të parë të hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk “dhëmb”.
Prandaj jo rrallë procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashmë nga veshkat e dëmtuara: në urinë shfaqet mikroalbumina.

Është akoma koha kur keqësimi i mëtejshëm i gjendjes mund të pengohet vetëm me një masë të thjeshtë, ekuilibrimin e mirë e të qëndrueshëm të diabetit dhe me luftimin e disa faktorëve të tjerë rëndues të tillë si duhani, dhe sidomos normalizimi i tensionit të lartë të gjakut.

Rritja e presionit të gjakut që shfaqet që në fazat e para kërkon kufizimin e rreptë të kripës në ushqim dhe mjekim të veçantë e energjik, kundra tensionit.

Përkundrazi ata që bëjnë mjekim të çrregullt dhe formal shkojnë drejt shfaqjes së edemave (ënjtjes), dëmtimeve të rënda të funksionit të veshkave, me rritje të shifrave të azotemisë dhe kreatinemisë, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht mjekim të specializuar, të ndërlikuar e tepër të shtrenjtë deri me përdorimin e aparateve të dializës së veshkave dhe transplantimin e tyre.

Veshkat te një i sëmurë me diabet mund të dëmtohet paralelisht dhe nga infeksionet e rrugëve urinare që janë veçanërisht të shpeshta në ata që kanë glukozë në urinë.

Prandaj është e domosdoshme të kontrollohet periodikisht një herë në 2-3 muaj analiza e urinës, si për albuminë e elemente të tjerë, ashtu dhe mbjelljen e saj (analiza e urokulturës) për të zbuluar infeksionet e mundshme te fshehura.

Një vend të veçantë në këto dëmtime zënë dhe ndërlikimet që krijohen nga gurët dhe rëra që prodhohen më shumë e me lehtë nga veshkat e diabetikëve, si pasojë e rritjes së acidit urik në gjak.

Ndërlikimet nervore

Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferike ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme.

E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, ç’pimje e djegie në formë neuriti. Ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës (sikur u ke rënë me hithra), sidomos në orët e natës.

Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të pandijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe çfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike.

Dëmtimi i nervave ndodh jo vetëm tek ato te ekstremiteteve por edhe nervave të organeve të brendshme. Ato mund t’u shkaktojnë uljen e papritur të tensionit arterial, me ndjenjë të fikti në çastin kur ngrihen nga shtrati në këmbë. Tek burrat çrregullohet rëndë funksioni seksual, me ulje të dëshirës seksuale deri në impotencë.

Mund të shfaqen çrregullime të urinimit (mbajtja e tepruar urinës në fshikëz, mos zbrazja ne kohe e saje), çrregullime të stomakut me anoreksi dhe vjellje e sidomos diare (heqje barku), daljet e shpeshta jashtë, të cilat përsëriten shumë herë gjatë ditës, por karakteristike është që ato theksohen e bëhen më tepër shqetësuese e gati torturuese gjatë orëve të natës.

Ilaçet kundër dhimbjeve, vitaminat, ilaçet për uljen e tensionit, ato për nxitjen e fuqizimin e funksionit seksual, ato kundër diarresë etj. nuk japin asnjë efekt konkret, shërues në qoftë se nuk arrihet më parë normalizimi i glikemisë gjatë orëve të ditës e të natës për shumë muaj e vite me radhë.

Ndërlikimet arteriale të zemrës dhe trurit

Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga mpleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj.

Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinzake dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb.

Tre janë aksidentet më të shpeshta e më të rënda arteriosklerotike që ndodhin te diabetikët e mjekuar keq:

1. Infarkti i miokardit (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës).

2. Tromboza apo hemorragjia cerebrale (nga bllokimi apo çarja e arterieve që furnizojnë trurin).

3. Gangrenat në këmbë (nga bllokimi i arterieve që furnizojnë gjymtyrët e poshtme).

Në qoftë se pyesim diabetikun që pëson infarkt të miokardit do të zbulojmë se aksidenti s’ka ardhur aspak papritur, por përkundrazi, ka dhënë gjatë një kohe relativisht të gjatë një sërë sinjalesh që i sëmuri s’ka ditur t’i deshifrojë, ose s’i ka vënë fare në hesap.

Një nga këto është dhimbja e fortë shtrënguese që shfaqet në gjoks për fare pak minuta dhe që kalon vetvetiu. Atë çast të sëmurit sikur i bllokohet frymëmarrja. Mund të ketë pak djersë, mpirje të krahut të majtë.

Por gjithçka kalon shpejt, vetvetiu, pa asnjë mjekim Ajo përsëritet prapë, një herë, dy herë, mbase shumë herë, por zakonisht ndodh kur ngjit shkallët, kur vrapon, kur ecën kundër erës. I sëmuri qëndron, çlodhet pak dhe ajo kalon. Ajo shfaqet kur flet gjatë, pas emocioneve. Më pas dhe në qetësi, në gjumë, pas të ngrënit. Dhe sëmundja përparon. Ai vazhdon t’i justifikojë, t’i shpjegojë ashtu siç do vetë, ndërsa për mjekun këto shenja përbëjnë tashmë një diagnozë. Ajo quhet stenokardi.

Sinjalet e mësipërme dëshmojnë se muskulit të zemrës nuk i shkon gjak sa duhet, sepse tubi i arterieve është ngushtuar nga brenda prej pllakave arteriosklerotike. Sëmundja e arteriosklerozës, pra, është zhvilluar.

Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik

Të njëjtat gjëra dalin po të pyesim dhe të hetojmë diabetikët që bëjnë aksidente në arteriet cerebrale (trombozë apo hemorragji të tyre). Këto aksidente jashtëzakonisht të rënda vënë në rrezik jetën e të sëmurit dhe, në rastet që kalojnë mirë, lënë prapëseprapë pasoja (paraliza) apo një sërë defektesh të tjera.

Shenja të tilla janë: mpirje e lehtë në gjymtyrët e një ane, mpirje e buzës apo e gjuhës, marrje mendsh vetëm për pak çaste, ndjenjë boshllëku (humbjeje), vështirësi në të folur vetëm për pak çaste, zhurmë në veshe të shoqëruar apo jo me përzierje të lehtë, humbje për një çast të shikimit, miza të ndritshme para syve, dhimbje koke e përqendruar vetëm në një anë, pasiguri në ecje (sikur shkel në boshllëk, por për pak çaste) e të tjera.

Kujdesi për këmbët, mjekimi korrekt i diabetit, lënia e duhanit dhe ecja e përditshme me karakter ushtrimor janë të vetmet mënyra efikase për t’u mbrojtur nga gangrena dhe dëmtimet e tjera të qarkullimit.

Ndërlikimet infeksioze të diabetit

Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbëzuese të lëkurës, infeksione urinare (me ose pa djegie gjatë urinimit), turbekuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza (që shfaqet me të kruara të “vetes”), infeksione të mishrave të dhëmbëve, të bajameve, sinuzite e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve etj.

Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi, transmeton Telegrafi.

Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake:

Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korentet e erës etj.

Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin.

Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij.

Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore.

Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij.

Në qoftë se kjo nuk bëhet, infeksioni do të ngrejë kokë e do të ringjallet përsëri.

Si rregull, ata diabetikë që mjekohen me insulinë, në përshtatje me analizat duhet të rrisin dozën e saj, kurse ata që mjekohen me kokrra ose me dietë, gjatë infeksioneve, sidomos në ato që shoqërohen me temperaturë, sipas rastit përkohësisht mund te duhet të fillojnë mjekimin me insulinë.

Mos kini frikë se mësoheni me të. Pas kalimit të infeksionit dhe ekuilibrimit të diabetit, do të kalohet përsëri në mjekimin e mëparshëm.

Ushqime që mund të përdoren pa kufizim

Zarzavate

Domate, Kastravecë
Karota
Sallatë jeshile
Lulelakër
Speca
Panxhar i kuq
Qepë
Rrepë, Lakër e bardhë

Lëngjet

Ujë mineral
Ujë i gazuar
Lëngje zarzavatesh
Kafe ose çaj pa sheqer

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori