ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Drita nuk arriti ta përsërisë suksesin e edicionit të kaluar, kur u bë skuadra e parë nga Kosova që kaloi raundin e parë të Ligës së Kampionëve dhe siguroi pjesëmarrjen në raundin e dytë.

Këtë herë, gjilanasit u eliminuan nga Kauno Zalgiris. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Lituani, Drita u mposht 3-2 në stadiumin "Fadil Vokrri", edhe pse për një pjesë të madhe të takimit e kishte kualifikimin në duart e veta.


Ndeshja nisi keq për kampionët, të cilët pësuan gol që në minutën e nëntë. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm. Liridon Balaj dhe Igball Jashari dominuan krahët, me Balajn që asistoi për Jasharin, i cili barazoi shifrat në 1-1.

Edhe pjesa e dytë foli në favor të Dritës. Sërish Balaj ishte protagonist, duke dhuruar një tjetër asistim, këtë herë për Arb Manajn, i cili realizoi për 2-1 dhe e afroi skuadrën me kualifikimin.

Megjithatë, në momentin kur Drita kontrollonte lojën, trajneri Zekirija Ramadani vendosi të ndryshonte sistemin. Në minutën e 65-të ai zëvendësoi dy nga lojtarët më të rrezikshëm në fushë, Liridon Balajn dhe Igball Jasharin, duke aktivizuar Blerton Shejin dhe Kristal Abazajn.

Në minutën e 80-të erdhi edhe zëvendësimi i Arb Manajt, lojtarit më të mirë të vitit në Kosovë, ndërsa Drita u tërhoq gjithnjë e më shumë në mbrojtje, duke ia lënë iniciativën kundërshtarit.

Rënia e lojës u ndëshkua menjëherë. Kauno Zalgiris barazoi në minutën e 82-të, ndërsa në kohën shtesë fitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol për rezultatin përfundimtar 3-2.

Eliminimi është një goditje e rëndë edhe në aspektin financiar.

Kalimi në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve do t'i siguronte Dritës rreth 1.7 milion euro nga UEFA, si dhe një short të favorshëm ndaj fituesit të përballjes mes Klaksvík dhe Bissen.

Madje, nëse do ta kalonte edhe raundin e dytë, Drita do ta siguronte automatikisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Konferencës dhe do të fitonte të drejtën për të luftuar edhe për një vend në grupet e Ligës së Evropës, pasi play-off i kësaj gare ishte i sigurt.

Në fund, kampionët e Kosovës e panë historinë t'u rrëshqasë nga duart.

Në momentin kur kontrollonin ndeshjen, ndryshimi i qasjes taktike dhe tërheqja në mbrojtje rezultuan fatale, duke e kthyer një kualifikim pothuajse të sigurt në një eliminim të dhimbshëm.

Tashmë aventura evropiane e Dritës vazhdon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me Floriana.

Megjithatë, rruga drejt fazës së ligës është bërë dukshëm më e vështirë, pasi pas skuadrës malteze do t'i duhet të eliminojë edhe dy kundërshtarë të tjerë për të realizuar objektivin evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app