I ftuar në RTV Dukagjini, kryetari i FFK-së flet mbi suksesin e ekipeve kosovare, buxhetin “solid” dhe planet mbi stadiumin “Fadil Vokrri”
“Jemi liga më e mirë e ranguar në rajon”.
Kështu ka thënë Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademi gjersa ka theksuar se sezoni i futbollit ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo sipas tij, vjen nga investimet e investitorëve, futbollistët dhe trajnerët.
I ftuar në “Duelin Sportiv” në RTV Dukagjini, Ademi ka përmendur suksesin e ekipeve kosovare të cilat po zgjerojnë dita-ditës rrugëtimin e tyre drejt fushave të gjelbra ndërkombëtare.
“Unë besoj shumë në kualitetin, entuziazmin dhe shpirtin luftarak të këtyre ekipeve”, ka thënë kryetari Ademi.
Para pak ditësh, ai kishte deklaruar se FFK-ja po planifikonte të zgjeronte stadiumin “Fadil Vokrri” me 8 mijë ulëse shtesë. Një përgjigje akoma pritet nga Komuna e Prishtinës.
“Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ duhet të jetë interes nacional ngase është bërë ekskluzivisht për ekipet kombëtare të Kosovës e sidomos ato të ekipës A”, ka thënë ai.
Tutje, Ademi ka thënë që pret zhvillim të madh në vazhdim të kohës së tij si Kryetar i FFK-së.
Ndër të tjera, ai ka thënë që buxheti i FFK-së është një buxhet solid gjersa thekson që “buxheti në sport nuk mjafton asnjëherë”.
I pyetur se cili do të ishte buxheti ideal që futbolli i Kosovës të ngrihej në një nivel tjetër, me plot vetëbesim Ademi thotë, “futbolli ynë tashmë është në nivel tjetër”.
TELEGRAFI sh.p.k. Rr. Rexhep Mala, Aktash, Nr.34, Prishtinë, Kosovë info@telegrafi.com 038 224 093 - +383 48 222 355
Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit". Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e përdorimit.