LAJMI I FUNDIT:

Kryeministri Haradinaj: Zjarrfikësit do të kenë trajtimin e merituar

Kryeministri Haradinaj: Zjarrfikësit do të kenë trajtimin e merituar

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim pune përfaqësuesit e sindikatës dhe zjarrfikësit e Kosovës, me të cilët ka biseduar për zgjidhjen e statusit të tyre si dhe për kërkesat që ata i kanë ndaj Qeverisë së Kosovës, shumica prej të cilave tashmë janë adresuar dhe janë afër finalizimit.

Ai tha se për zjarrfikësit ka një plan konkret që kjo kategori të trajtohet si forcë nacionale, e cila do të jetë e aftë për bashkëveprim me institucionet e tjera të sigurisë, pasi që FSK-ja me mandatin e ri do të lirohet nga disa përgjegjësi të deritashme.


Kryeministri Haradinaj, i njoftoi ata se Qeveria e Kosovës këtë javë ka miratuar Koncept Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal, i cili i hapë rrugë ligjit të ri që do e bart buxhetin e tyre në nivel qendror dhe se me këtë do të zgjidhet njëherë e mirë statusi i zjarrfikësve dhe do të hapet rrugë për vende të reja të punës, kushte më të mira pune dhe pagë më të mirë për zjarrfikësit.

Po në këtë periudhë është miratuar edhe kërkesa financiare e tyre për nivelim të koeficienteve, kërkesë kjo që shkon mbi një milion euro dhe përmes së cilës zjarrfikësit do të kenë pagesë të njëjtë në të gjitha komunat.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga zjarrfikësit që të jenë më konkret në kërkesat e tyre, duke iu premtuar zgjidhje të shpejtë edhe për pagesën e orëve shtesë, shtesat e rrezikshmërisë, zgjidhjen afatgjate përmes ligjit, si dhe ndarjen e mjeteve për blerjen e pajisjeve të reja.

Nga kërkesat e zjarrfikësve të parashtruara nga takimi i parë i kryeministrit me zjarrfikësit të gjitha janë adresuar dhe janë në proces të finalizimit.

Çështja e zjarrfikësve, si kategori është e përfshirë edhe në Ligjin e ri për pagat, i cili pritet të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm, dhe përmes të cilit zjarrfikësit do të kenë rritje të merituar të pagave dhe ku zjarrfikësit janë të barabartë me të gjitha shërbimet e tjera nacionale që kanë rrezikshmëri të lartë në punë.

Nga ana e tyre, zjarrfikësit falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij në ofrimin e zgjidhjes së këtij problemi i cili është neglizhuar ndër vite. /Telegrafi/