Kryediplomati shqiptar: Çdo cenim i sigurisë së Kosovës, cenon edhe Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë se çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën në të njëjtën kohë edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë.
Në një reagim për Top Channel, pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci është kërcënim për Serbinë, Hoxha ka thënë se politika e Shqipërisë është e bazuar në bashkëpunim, fqinjësi të mirë dhe integrim evropian të rajonit.
Ai ka thënë se Shqipëria ka zgjedhur të mos reagojë publikisht ndaj deklaratave të përsëritura nga autoritetet më të larta në Serbi. Pretendimet në Serbi i ka cilësuar të pavërteta dhe të ekzagjeruara.
“Së pari, pretendimet për një të ashtuquajtur ‘aleancë tripalëshe’ kundër Serbisë janë të pavërteta dhe tërësisht të ekzagjeruara. Sado me forcë apo në mënyrë të përsëritur të përmendet kjo, nuk e bën të vërtetë. Shqipëria nuk është pjesë e asnjë aleance rajonale apo tjetërsoj të drejtuar kundër ndonjë vendi të rajonit. Ne ndajmë të njëjtën qasje me partnerë dhe aleatë të tjerë rajonalë, përfshirë Kroacinë, për këtë çështje. E vetmja aleancë ku Shqipëria bën pjesë është Aleanca Atlantike, NATO, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vende të tjera aleate, e cila i ka dyert e hapura edhe për Serbinë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se çdo bashkëpunim i Shqipërisë me partnerë, synon forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë, e se mbështetja për Kosovën vlen për rrugën euroatlantike dhe s’është e drejtuar kundër askujt.
“Kjo është një zgjedhje sovrane e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, dhe Shqipëria është e gatshme ta mbështesë në mënyrë konstruktive dhe të vazhdueshme”, ka thënë Hoxha.
Tutje ai ka vlerësuar se Shqipëria ka zgjedhur të mos bjerë në logjikën e retorikës së panevojshme dhe të përshkallëzimit.
“Është e lehtë të angazhohesh në përplasje deklaratash, por ka më shumë rëndësi qartësia në qëndrime dhe konsistenca në politika. Ne flasim përmes angazhimit tonë konkret në NATO, në Procesin e Berlinit dhe në çdo nismë, rajonale apo me shtrirje më të gjerë, që synon stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Këto qëndrime ua kemi bërë të qarta edhe bashkëbiseduesve tanë nga Serbia dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë me qetësi, maturi dhe durim”, ka shtuar ministri i Jashtëm shqiptar.
Hoxha ka thënë se narrativat e tilla përdoren për diskutime të brendshme apo për të justifikuar politika të caktuara.
Ai ka shtuar se Shqipëria e mbështet pa kushtëzuar Kosovën dhe rrugën e saj, por edhe të tërë rajonit drejt institucioneve euroatlantike. Ka thënë po ashtu se Shqipëria është e përkushtuar për zhvillim të raporteve normale dhe konstruktive me Serbinë.
“Kjo është në pajtim të plotë me qëndrimet tona parimore dhe pjesë e një vizioni më të gjerë për një rajon që, nëse nuk e harron të kaluarën, bën çdo përpjekje për ta kapërcyer atë përmes dialogut, bashkëpunimit dhe integrimit evropian. E kaluara tragjike e Ballkanit është një mësim për të gjithë; e ardhmja e përbashkët evropiane është, në gjykimin tonë, duhet të jetë, i vetmi udhërrëfyes. Shqipëria mbetet e palëkundur në orientimin e saj strategjik: një rajon i qëndrueshëm, i sigurt dhe i integruar në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ne do të vijojmë të veprojmë me përgjegjësi, maturi dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke mos u devijuar nga rruga jonë për shkak të deklaratave që nuk pasqyrojnë realitetin, por duke kontribuar në mënyrë aktive për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë në rajon”, ka thënë ai.
Hoxha ka thënë po ashtu se Serbia tashmë dihet se ka rritur kapacitetet ushtarake të saj. Sipas tij, kjo është tashmë e ditur edhe në Bruksel, por edhe në SHBA. Megjithatë, sipas tij, kjo s’duhet të përdoret për të krijuar “klimë alarmi”.
“Është e rëndësishme të ndajmë qartë faktet nga perceptimet. Është e vërtetë që Serbia ka rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe ka zhvilluar bashkëpunime në këtë fushë me aktorë të ndryshëm, përfshirë Rusinë dhe Kinën. Kjo është një zgjedhje sovrane e saj. Kjo nuk kalon pa u vënë re, as këtu, as në Bruksel dhe, dua të besoj, as në Uashington. Por njëkohësisht, kjo nuk duhet të përdoret për të krijuar një klimë alarmi apo për të justifikuar përshkallëzime të panevojshme në rajon. Prej vitesh, në mos dekadash tashmë, Shqipëria nuk e mbështet sigurinë e saj dhe të rajonit mbi retorikë apo në “trashjen e zërit”, por mbi një arkitekturë konkrete sigurie. Ne jemi vend anëtar i NATO-s, pjesë e aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, dhe çdo zhvillim në rajon shihet dhe trajtohet në këtë kuadër. Kjo është garancia më e fortë për paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Hoxha.
Për Kosovën, ai ka thënë se qëndrimi është i qartë: “Shqipëria mbështet fort e pa asnjë mëdyshje sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe dënojmë çdo veprim apo retorikë që cenon stabilitetin në veri apo diku tjetër. Por po aq e rëndësishme është që të ruhet qetësia, të shmangen provokimet dhe të ecet përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Hoxha ka thënë se KFOR-i në Kosovë është instrument kyç i sigurisë dhe jo për turizëm. Ka shtuar se roli i KFOR-it është parandalues dhe prania e tij është mesazh që siguria në Kosovë dhe në rajon nuk është në vakum.
“Le të mos harrojmë: KFOR është në Kosovë jo për turizëm apo për të hartuar raporte në distancë, por si një instrument kyç i sigurisë ndërkombëtare, i vendosur aty pikërisht për të garantuar dhe konsoliduar paqen dhe stabilitetin në terren. Prania e KFOR-it është një garanci konkrete sigurie, jo vetëm për institucionet e Kosovës, por për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim. Ai vepron në koordinim të ngushtë me autoritetet kosovare dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të reaguar në mënyrë të shpejtë ndaj çdo rreziku potencial. Në këtë kuadër, roli i KFOR-it është thelbësor edhe si faktor parandalues ndaj çdo veprimi që mund të cenojë stabilitetin në veri të Kosovës apo më gjerë. Prania e tij është një mesazh i qartë se siguria në Kosovë dhe në rajon nuk lihet në vakum, por mbështetet në një arkitekturë të fortë ndërkombëtare sigurie, ku NATO dhe aleatët luajnë një rol të pazëvendësueshëm”, ka thënë Hoxha.
Bazuar mbi rolin e KFOR-it, Hoxha ka thënë se duhet të kuptohet që Kosova s’është e vetme dhe se paqja në të është prioritet i përbashkët ndërkombëtar.
“E kemi thënë dhe do ta përsërisim: çdo cenim i sigurisë së Kosovës përbën njëkohësisht edhe cenim të sigurisë së Shqipërisë”, ka thënë ai.
Shqipëria, siç ka thënë Hoxha, po i forcon bashkëpunimet me aleatët dhe po rrit kapacitetet mbrojtëse përgjegjshëm. Ai ka thënë se është normale që Shqipëria të zhvillojë industrinë e mbrojtjes me vendet partnere.
Në fund, ai ka thënë se Shqipëria s’dëshiron të bëhet pjesë e retorikave tensionuese, por të jetë faktor stabiliteti.
Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike. Përfaqësues të të tri shteteve kanë përgënjeshtruar se aleanca kërcënon Serbinë, por përkundër kësaj, Aleksandar Vuçiqi vazhdimisht e shpreh pretendimin./Top Channel





























