Kroacia mbështet Kosovën

Ajo po kryeson një delegacion qeveritar dhe afarist të shtetit kroat në vizitën njëditëshe në Kosovë, me ç’rast janë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi në fushat e integrimeve evropiane, infrastrukturës dhe ekonomisë.
Kosor ka thënë se politika e jashtme e Kroacisë tash e tutje do të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ajo shtoi se Kroacia mbështet deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës.
“Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet, janë çështje të cilat Kroacia i mbështet në vazhdimësi”, ka thënë kryeministrja kroate, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.
Ajo deklaroi po ashtu se populli kroat dhe ai i Kosovës kanë miqësi të vjetër, por kjo miqësi ishte ripërtërirë edhe gjatë luftës së fundit kundër regjimit të tiranit Slobodan Miloshevic.
“Në Kroaci mund të gjeni mikun më të mirë në Evropën Juglindore dhe në këtë ju mund të llogarisni edhe në të ardhmen”, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, kryeministrja Kosor.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka siguruar kryeministren Kosor se Qeveria e Kosovës do të rrisë angazhimin për bashkëpunim me Kroacinë. Ndërkaq në aspektet e brendshme, ai edhe njëherë tha se në Kosovë do të ketë shtrirje të autoritetit, përfshirë edhe pjesën veriore, ndërsa i paralajmëroi edhe strukturat paralele se i pret ballafaqimi me ligjin dhe drejtësinë.
Ndryshe, Kosor dhe delegacioni nga Kroacia pritet të takojnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, komunitetin e biznesit, ushtarët kroat në kuadër të KFOR-it si dhe komunitetin kroat që jeton në qytezën e Janjevës. /Telegrafi/























































