LAJMI I FUNDIT:

Kritikohet reagimi i nxituar i ministres Gërvalla për raketën në Poloni

Kritikohet reagimi i nxituar i ministres Gërvalla për raketën në Poloni

Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nuk iu deshtë shumë kohë nga hedhja e një rakete në një fshat të Polonisë, që la të vdekur dy persona, që të reagoj në profilin e saj në Twitter. Gërvalla bëri fajtore Rusinë për sulmin, për të cilin dyshimet e fundit janë që ndodhi paqëllimshëm nga forcat ukrainase. Ky reagim i shpejtë nga ministrja Gërvalla, është kritikuar gjatë ditës në Kosovë.

Një raketë, e cila akoma nuk po dihet saktë se nga kush u lëshua, la të vdekur dy persona në një fshat të Polonisë që ndodhet në kufi me Ukrainën.


Mirëpo, vetëm disa dyshime se sulmi mund të ketë ardhur nga Rusia, e bindën ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që fajin t’ia lë shtetit qe nisi pushtimin e Ukrainës para pak muajsh.

Veprimi i Gërvallës, i duket i papranueshëm ish-ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj.

“Ne pamë një reagim të ministres, i cili besoj që ishte i ngutshëm, i hershëm, shumë i hershëm, para se të merren të gjitha informatat dhe poashtu doli të jetë edhe jo në koordinim edhe me Presidencën dhe Zyrën e Kryeministrit, të cilët kishin një qëndrim të përgjithshëm dhe nuk hynë në ato termat specifik të fajësimit siç bëri ministrja Gërvalla”, ka thënë Meliza Haradinaj, ish-ministre e Jashtme.

Haradinaj thekson se Gërvalla duhet të jetë shumë më e kujdesshme me reagimet e saj.

“Tanimë janë bërë dy vite të kësaj qeverie dhe nëse në fillim i’a kemi falur dhe e kemi mirëkuptuar ministren kur ka bërë gafa të tilla, tanimë janë bërë këto të papranueshme dhe të patolerueshme dhe joserioze të themi të drejtën”, ka thënë ajo.

Publikimet e përfaqësuesve shtetëror në Twitter, profesori Abit Hoxha tregon se konsiderohen si qëndrime zyrtare të Kosovës.

“Kosova, jo vetëm si shtet i vogël por edhe në gjendjen politike në të cilën është duhet të ketë kujdes të veçantë në këto raste, veçanërisht me çështjet e politikës së jashtme e posaçërisht kur ende nuk ka informata të sigurta se çfarë ka ndodhur. Mendoj se këshilltarët ose dikush që merret me komunikim duhet t’i tregoj ministres që nuk mund të qëroj hesape në mediat sociale, sepse megjithatë këto janë deklarata zyrtare”, ka deklaruar Hoxha.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, por edhe zyrtarë të lartë të NATO-së deklaruan se sulmi besohet të ketë ardhur paqëllimshëm nga forcat ukrainase dhe hetimet ende po vazhdojnë.