LAJMI I FUNDIT:

Kreu i “Agimi i Artë”, Michaloliakos dënohet me 13 vjet burg

Kreu i “Agimi i Artë”, Michaloliakos dënohet me 13 vjet burg

Një gjykatë e Athinës dënoi të mërkurën me burgim udhëheqjen e partisë së djathtë ekstreme të Greqisë, “Agimi i Artë”.

Gjykata vendosi javën e kaluar se lidershipi i “Agimit të Artë” ishte fajtor për formimin e një grupi kriminal nën maskën e një organizate politike.

Kreu i partisë, Nikolaos Michaloliakos u dënua me 13 vjet burg gjersa gjashtë zyrtarë të lartë me 10 deri në 13 vjet burg dhe 11 ish-deputetë të partisë me pesë deri në shtatë vjet, njoftoi televizioni shtetëror ERT.


15 anëtarë të tjerë të partisë morën gjashtë deri në shtatë vjet burg për pjesëmarrje në themelimin e një grupi kriminal. Një mbështetës i partisë u dënua me burgim të përjetshëm pasi pranoi se kishte vrarë me thikë një “reper” të majtë në vitin 2013.

“Agimi i Artë” ka qenë në parlament për vite me radhë dhe gjatë krizës së rëndë financiare ishte përkohësisht forca e tretë politike në vend.

Vitin e kaluar, ajo nuk arriti të kapërcejë pragun elektoral prej tre për qind për të hyrë në parlament.

Gjyqi filloi në prill të vitit 2015 gjersa akuzat përfshinin përpjekje për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe brutalitet kundër rivalëve. Të pandehurit hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe pretenduan se ishte çështje e frikësimit politik. /Telegrafi/