Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Riza Krasniqi, ka deklaruar se largimi i të rinjve nga Kosova po ndikon drejtpërdrejt në familjet dhe në vetë shtetin, duke theksuar se, sipas tij, ky fenomen nuk lidhet vetëm me pagat, por edhe me mungesën e besimit te institucionet.

“Fëmijët tanë po largohen jo sepse nuk e duan Kosovën, por sepse nuk besojnë se shteti po ecën me ta”, ka thënë Krasniqi.


Ai ka theksuar se familja është një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë shqiptare, por sipas tij nuk mjafton kujdesi vetëm për familjen, pa u kujdesur edhe për funksionimin e shtetit.

“Kam bindjen se nuk mjafton të kujdesemi vetëm për familjen. Duhet të kujdesemi edhe për shtetin. Sepse një familje e fortë nuk mund të ekzistojë pa një shtet që funksionon”, është shprehur Krasniqi.

Duke folur për pritjet e prindërve, ai ka thënë se arsimimi cilësor, kujdesi shëndetësor dhe siguria janë kërkesa që nuk mund t’i garantojë një familje e vetme, por janë përgjegjësi e shtetit.

“Çdo prind dëshiron që fëmijët e tij të kenë arsim cilësor, kujdes shëndetësor të mirë dhe siguri. Por këto nuk mund t’i sigurojë asnjë familje e vetme. Këto janë përgjegjësi të shtetit dhe institucioneve”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka shtuar se të rinjtë po largohen “sepse kërkojnë më shumë mundësi, më shumë siguri dhe më shumë besim” në një sistem që funksionon, ndërsa ka paralajmëruar se pasojat janë të dyfishta – për familjen dhe për shtetin.

“Kur largohet një i ri, humbet një familje. Kur largohen mijëra të rinj, humbet një shtet”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se për këto arsye ka vendosur të kandidojë për Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se politika, sipas tij, duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe e orientuar drejt ndërtimit të institucioneve më të forta.

“Kam vendosur të kandidoj për Kuvendin e Kosovës. Besoj se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe se detyra jonë është të ndërtojmë institucione më të forta, shkolla më cilësore, shërbime më të mira dhe më shumë mundësi për gjeneratat e reja”, ka deklaruar ai.

Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje që në zgjedhje të mendohet “përtej premtimeve të momentit”, duke ngritur pyetjen se çfarë shteti do t’u lihet brezave të rinj.

“Në këto zgjedhje duhet të mendojmë përtej premtimeve të momentit… Duhet të pyesim veten se çfarë shteti duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Një shtet nga i cili largohen, apo një shtet në të cilin zgjedhin të qëndrojnë?”, ka përfunduar ai.