KQZ publikoi në kohë rekorde rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare


Kosova të dielën mbajti zgjedhjet parlamentare, të cilat u vlerësuan se kaluan pa ndonjë incident serioz që do të mund të cenonte integritetin e procesit zgjedhor.
Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut ishte publikimi i shpejtë i rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në kohë rekorde (tri orë), KQZ arriti t’i publikojë online të dhënat fillestare të procesit zgjedhor, duke mundësuar informim të shpejtë për qytetarët, partitë politike dhe organizatat monitoruese.
Ky veprim është vlerësuar pozitivisht si nga subjektet politike, ashtu edhe nga organizatat që kanë monitoruar procesin zgjedhor.
Në të kaluarën, KQZ ishte kritikuar për vonesat në publikimin e shpejtë online të rezultateve dhe për rënien e sistemit të saj online, gjë që nuk ka ndodhur kësaj radhe.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, pa përfshirë votat e diasporës, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.92 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.06 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.18 për qind, ndërsa Lista Serbe 6.17 për qind. /Telegrafi/.





































