Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas njoftimit, kjo ngjarje do zhvillohet duke filluar nga ora 11:00 në Prishtinë.


Në këtë proces do të përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

Po ashtu sot, në orën 13:30, në ambientet e KQZ-së, do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni, ku në rend të ditës janë çështje të ndryshme përgatitore të këtyre zgjedhjeve.

Në këtë mbledhje, KQZ pritet të certifikojë kandidatët e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 7 qershorit si dhe të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për votimin jashtë Kosovës.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, e cila do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, nuk do të fillojë menjëherë pas tërheqjes së shortit për numrat rendorë në fletëvotim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar të fillojë më 28 maj dhe të përfundojë në orën 06:59 të mëngjesit të datës 7 qershor 2026, patën deklaruar zyrtarë të KQZ-së.