LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët aktivizojnë 40 për qind më shumë pako të internetit në mobil sesa vitin e kaluar

Kosovarët aktivizojnë 40 për qind më shumë pako të internetit në mobil sesa vitin e kaluar

Pajisjet mobile përdoren më shumë se kompjuterët personalë për internet, pasi përdorimi i telefonave të mençur dhe tabletëve e ka tejkaluar desktopin.

Shfletimi i internetit nga pajisjet mobile po rritet në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2009, ndërkohë që trafiku në internet nga kompjuterët dhe pajisjet desktop  është duke u zvogëluar vazhdimisht. Në muajin tetor të vitit të kaluar, pajisjet mobile në nivel global kanë marrë 51.3% të trafikut të internetit kundrejt 48.7% sa kanë marrë kompjuterët personal, thuhet sipas të dhënave më të fundit nga firma analitike e internetit StatCounter.


Një trend i ngjashëm është parë edhe në tregun tonë, pasi mbulueshmëria me internet mobil është zgjeruar në të gjitha zonat e populluara në të gjithë vendin dhe përdorimi i telefonave të mençur mobil po rritet me shpejtësi të madhe.

Për ta mbështetur këtë pretendim, operatori i parë mobil i vendit që ka prezantuar teknologjitë 3G dhe 4G – IPKO, ka postuar një grafikë dhe shifra të rëndësishme për tregun e internetit në mobil në Kosovë, të cilat shprehin rritjen e madhe në përdorimin e internetit brezëgjerë në pajisjet mobile që po ndodh në të gjithë Kosovën.

Kosovarët aktivizojnë 40 për qind më shumë pako të internetit në mobil sesa vitin e kaluar!Sipas të dhënave të…

Posted by IPKO on Freitag, 15. September 2017

Zëdhënësi i IPKO-s, Alban Kastrati ka konfirmuar se rritja nga viti në vit në aktivizimin e pakove mobile të të dhënave ka arritur në 40 përqind.

“Trafiku mobil po rritet me shpejtësi të madhe në rrjetin tonë, ndërsa përdoruesit tanë gjithnjë e më shumë po mbështeten në pajisjet e tyre mobile për lidhje të vazhdueshme me internet, në çdo cep të Kosovës. Kur e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ne kemi rreth 40 për qind më shumë aktivizime të pakove internetit në mobil, dhe ky trend nuk jep asnjë shenjë të ngadalësimit”

“Tregu ynë po shfaq një orientim të plotë drejt pajisjeve mobile nga shumica e përdoruesve tanë, prandaj ne po investojmë vazhdimisht në infrastrukturën e rrjetit, në mënyrë që të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme të shërbimit të internetit ndaj përdoruesve, të cilët janë gjithnjë në rritje”, ka thënë Kastrati.

Sipas të dhënave të publikuara nga IPKO, aktivizimi i pakove të të dhënave (internetit në mobil) ka shënuar një normë rritjeje që shkon në afro 40 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjegjësisht, grafiku krahason aktivizimin e pakove të internetit në mobil nga janari deri në gusht 2016, me të njëjtat muaj, periudhë të njëjtë kohore të 2017.

Të dhënat e Telegrafit tregojnë se në një ditë mesatare të javës, mbi 30% e vizitorëve në faqe lexojnë nga një pajisje desktop, ndërkohë që ky numër zbret nën 25% gjatë fundjavës. Pjesa tjetër bëjnë kombinimin e shfletuesve mobil nga një tablet ose telefon i mençur, ose në faqe qasen përmes aplikacionit tonë mobil.

Pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve Telegrafi në tri vitet e fundit është fokusuar në zhvillimin dhe adoptimin e përmbjatjes në pajisje mobile si dhe zhvillimin e aplikacioneve për iPhone dhe Android, që mbështeten në dy platformat më të përdorura mobile edhe në tregun tonë.

Pajijsjet mobile kanë bërë që lexuesit të qasen shpejtë, lehtë dhe në çdo kohë në faqe, me ç’rast Telegrafi ka shënuar rritje të jashtëzakonshme të vizitave nga telefonat mobil por edhe në rritjen e konsumit të lajmeve për lexues, qëndrim më të gjatë në faqe si dhe në rritjen e lexuesve besnikë.