Kosova U16 e mbyll turneun zhvillimor të UEFA-s me tri fitore

Kombëtarja e Kosovës U16 (vajzat) e ka mbyllur me sukses maksimal pjesëmarrjen në turneun zhvillimor të UEFA-s, që u mbajt në Strumicë të Maqedonisë së Veriut, duke regjistruar tri fitore në po aq ndeshje.
Pas triumfeve ndaj Andorrës dhe San Marinos, Dardanet e reja fituan edhe përballjen e fundit ndaj nikoqirit, Maqedonisë së Veriut, me rezultat 2-1.
Të përzgjedhurat e Xhuli Berishës e nisën mirë ndeshjen dhe krijuan disa raste, por golin e gjetën vetëm në fillim të pjesës së dytë përmes Olsa Kuçit.
Kosova dominoi lojën edhe në vazhdim, duke kontrolluar ritmin teksa arriti ta dyfishojë epërsinë në minutën e 77-të, kur realizoi Leona Maloku për 2-0.

Në anën tjetër vendaset arritën ta ngushtojnë rezultatin në 2-1, pas një gabimi të lojtareve tona, por pa e rrezikuar fitoren e Kosovës.
Pas përfundimit të ndeshjes, përzgjedhësja Xhuli Berisha u shpreh shumë e kënaqur me paraqitjet e ekipit në këtë turne.
“Jam shumë krenare me angazhimin, disiplinën dhe karakterin që treguan vajzat gjatë gjithë turneut. Kemi zhvilluar tri ndeshje shumë të mira dhe kemi arritur tri fitore të merituara. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e futbollisteve të reja dhe besoj se kemi treguar potencial të madh për të ardhmen”, theksoi Berisha. /Telegrafi/





















































