LAJMI I FUNDIT:

Kosova U-19 nuk kualifikohet në ‘Elite Round’

Kosova U-19 nuk kualifikohet në ‘Elite Round’
(Foto: ffk-kosova.com)

Përfaqësuesja e Kosovës U-19 nuk ka arritur të kualifikohet në “Elite Round” për Evropianin 2020. Dardanët e rinj të drejtuar nga Ramiz Krasniqi në ndeshjen e tretë dhe vendimtare të fazës së parë kualifikuese kanë pësuar humbje nga nikoqiri i kësaj faze, Uellsi, me rezultat 2-0.

Kësisoj, Kosova U-19 e mbylli këtë fazë kualifikuese me vetëm një pikë, ngase në ndeshjen e parë kishte barazuar ndaj Rusisë, 1-1, derisa në ndeshjen e dytë pësoi humbje të thellë nga Polonia, 4-1.


Në ndeshjen e sotme (e martë) Dardanët e rinj zhvilluan lojë të mirë, por pësuan gol në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Pinchard shënoi me gjuajtje të fortë nga brendësia e zonës. Në minutën e 70-të, Blendi Morina pati mundësi shumë të mirë për të barazuar shifrat, por shtylla pingule ia mohoi golin.

Ndërkohë, në minutën e 76-të për vendasit u akordua penallti. Gjuajtjen e N. Williams nga pika e bardhë fillimisht e priti portieri Petrit Terziu, por jo edhe gjuajtjen e tij të dytë.

Kualifikimin tutje nga ky grup e siguruan përfaqësueset e grupmoshave nën 19 vjet të Uellsit dhe Rusisë.