LAJMI I FUNDIT:

Kosova qëndron keq me tërheqjen e investimeve të huaja

Kosova qëndron keq me tërheqjen e investimeve të huaja

Me rastin e paraqitjes së parë publike të Forumit për Politika Zhvillimore, është prezantuar hulumtimi mbi temë “Sfidat e Investimeve të huaja direkte në Kosovë në raport me vendet e regjionit si faktor zhvillimi”, ku u tha se Kosova qëndron më së keqi në raport me tërheqjen direkte të investimeve të huaja.

Ky forum ka rekomanduar që për të tërhequr investimet e huaja direkte, duhet forcimi i sundimit të ligjit, promovimi i tregtisë së lirë dhe të ardhmes Evropiane të Kosovës, krijimi i një diplomacie ekonomike, i cila siç u tha do të ndihmonte të ndryshonte situatën e tanishme.


Hulumtuesi i këtij projekti, Nexhat Shkodra ka treguar se edhe pse në vitin 2011, është vërejtur një ngritje modeste e investimeve të huaja me vlerë prej 384.4 milionë euro, Kosova vazhdimisht ka dështuar për të tërhequr në nivelet të pranueshëm të investimeve në vitin 2015, ku investimet shënojnë vlerën 324.4 milionë euro. Ai tha se duhet të vihen praktikat më të mira për të nxitur investitorët e huaj.
“Megjithëse vërehet ngritje modeste e investimeve në vlerë prej 384.4 milionë në vitin 2011, Kosova vazhdimisht ka dështuar për të tërhequr në nivel të pranueshëm të investimeve në vitin 2015, ku investimet shënojnë vlerën 324.4 milionë euro. Kjo ngritje i atribuohet fluksit më të lartë të investimeve të huaja drejtpërdrejt në krahasim me periudhën kohore të vitit 2014, ku vlera e tyre arrin 151.2 milionë euro. Prandaj, krijimi i imazhit të një vendi si një destinacion tërheqës për investimeve të huaja, të drejtpërdrejta në Kosovë duke vënë në përdorim praktikat më të mirë për nxitje dhe gjenerimin nga të gjitha vendete botës”, tha Shkodra.

Ndërsa, sa i përket investimeve të huaja direkte në Kosovë sipas sektorëve ekonomik, përmes periudhës kohore 2007-2015, në vitin 2007, totali i investimeve të huaja në Kosovë ka qenë më i ulët, më 151.2 milionë euro, duke shënuar rritje në vitin 2015, më 324.4 milionë.

Kurse, investimet e huaja të drejtpërdrejta sipas sektorëve ekonomik, 2007-2015, një pjesë e madhe e tyre është orientuar në sektorin e patundshmërisë dhe një pjesë në sektorin e shërbimeve financiare.

Sektori i patundshmërisë në krahasim me sektorët tjerë ekonomik në periudhën kohore 2007-2015, kap shumën totale të investimeve të huaja me 865.5 milionë euro.

Investimet në sektorin e industrisë, bujqësisë, dhe energjisë sipas Shkodrës mbetet jo i kënaqshëm, ku ka theksuar se shteti duhet të orientohet në rritjen e investimeve të huaja në sektorin e industrisë përpunuese dhe në sektor tjerë ekonomik.

Sipas analizës së bërë nga Forumi për Politika Zhvillimore, Valdrin Dervishaj, në prezantimin e analizës ka treguar që Kosova qëndron më së keqi në rajon sa i përket investimeve të huaja. Ai tha se më së keqi qëndrojnë sa i përket indikatorëve të qeverisjes, ku ka shtuar se edhe pse ka pas zhvillime në asketin ekonomik, prapë se prapë korrupsioni dhe sundimi i ligjit paraqesin dy dështimet më të mëdha. “Kosova qëndron më së keqi në rajon sa i përket investimeve të huaja e mos të flasim për Evropën. Kosova ka vetëm 1290 euro investime për kokë banori, për dallim me Malin e Zi që qëndron më së largu…16’00. më së keqi qëndrojmë sa i përket indikatorëve të qeverisjes. Edhe pse kemi bërë zhvillim të dukshëm në disa aspekte siç është stabiliteti ekonomik, prapë se prapë korrupsioni dhe sundimi i ligjit paraqesin dy dështimet më të mëdha të komplet Ballkanit Perëndimor, ku bënë pjesë edhe Kosova, ku ne qëndrojmë nën linjën standarde, ku kalojmë në fazën e zhvillimit, sidomos jemi nën linje të korrupsionit dhe sundimi i ligjit”, tha Dervishaj.

Salih Kelmendi, njohësi i organizatave ndërkombëtare në paraqitjen e këtij hulumtimi tha se diplomacia ekonomike do të ndihmonte Kosovën që të përmirësojë situatën e tanishme, dhe të rritë investimet e huaja në Kosovë. “Diplomacia ekonomike do ta ndihmonte Kosovën për të përmirësuar situatën, me rrit investimet në këto rrethana. Ndoshta në aspektin e lehtësimeve ligjore diçka tjetër, por në aspektin e sigurisë për investime, nëse shteti i garanton, ne kemi shtete mike mjaftë për t’i garantuar investuesit e tyre. Mirëpo nuk e kemi këtë mekanizëm të komunikimit”, është shprehur ai.

Udhëheqësi i këtij forumi, Berim Ramosaj, tha se Kosova është e sfiduar jo vetëm në aspektin politik por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. “Rekomandimet analitike në fusha të caktuara kishin me qenë, forcimi i sundimit të ligjit, promovimi i tregtisë së lirë dhe të ardhmes Evropiane të Kosovës, krijimi dhe avancimi i kapacitete institucionale, shfrytëzimi i potencialeve në sektorin e energjisë…politikat të cilat ne i propozojmë janë politika të fushave ekonomike që në fakt e ka shansin shteti të ndikoj deri diku në mundësin e afirmimit të këtij sektori”, tha ai.

Në këtë paraqitje të parë publike janë dhënë disa rekomandime për tërheqjen e investimeve të huaja, si forcimi i sundimit të ligjit, promovimi i tregtisë së lirë dhe të ardhmes evropiane, krijimin dhe avancimi i kapaciteteve institucionale. /Telegrafi/