LAJMI I FUNDIT:

Kosova po përgatitet për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Turizmit

Kosova po përgatitet për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Turizmit

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Bajrami zhvilloi një takim mjaft të rëndësishëm me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, më të cilin shkëmbyen pikëpamjet e tyre sa i takon bashkëpunimit të Kosovës me këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të MTI-së, në këtë takim bashkëbiseduesit folën edhe rreth mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Turizmit.

Ministrja Bajrami e njoftoi Rifai rreth përgatitjeve që po bën Kosova për të aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Turizmit dhe kërkoi mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm sa i përket këtij procesi të rëndësishëm për turizmin e Kosovës.
Në anën tjetër, Rifai falënderoi ministren Bajrami për informacionet rreth kontekstit të zhvillimit të turizmit në Kosovë dhe premtoi se Organizata që ai drejton është e gatshme për bashkëpunim me institucionet e Kosovës në të mirë të zhvillimit të turizmit në vendin tonë.

Bajrami u takua po ashtu edhe me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë të Republikës së Sllovenisë, Zdravko Pocivalshek me të cilin u diskutua rreth intensifikimit të bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Sllovenisë si në fushën e turizmit ashtu edhe në sektorë tjerë ekonomikë.

Sipas komunikatës, në sesionin e diskutimeve rreth turizmit, ministrja Bajrami, foli rreth sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Ajo ndër të tjera tha se Kosova posedon resurse të shumta turistike dhe se Qeveria e Kosovës po punon që në zhvillimin dhe fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit. /Telegrafi/