Kosova merr pjesë për herë të parë si Vend Kandidat për Zgjerim në Sesionin Plenar të KESE-së


Drejtori i KCSF-së reagon ndaj deklaratës së ministres serbe.
Kosova mori pjesë për herë të parë si Anëtare Kandidate për Zgjerim (Enlargement Candidate Member) në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e BE-së, mbajtur të enjten në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian.
Në sesionin hapës folën Presidenti i KESE-së, Séamus Boland, dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila mbajti fjalimin kryesor. Sesionin e mbylli me fjalë përmbyllëse Valentina Superti, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim (DG ENEST) të Komisionit Evropian.
Në fjalimin e saj, ndër të tjera, Komisionerja Kos tha se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces reformash teknike, por një transformim shoqëror që forcon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore. Ajo nënvizoi rolin e patjetërsueshëm të shoqërisë civile në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke rikujtuar se Bashkimi Evropian lindi nga një synim i përbashkët: ndërtimin e një Evrope të bazuar në paqe, bashkëpunim dhe vlera demokratike, ku luftërat e së kaluarës nuk përsëriten më.
Në diskutim plenar "Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane", Kosovën e përfaqësoi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka.
Në fjalimin e tij, Puka falënderoi KESE-në për rishqyrtimin e vendimit fillestar që kishte lënë Kosovën jashtë Nismës për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim.
Ai theksoi se suksesi i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor do të varet nga fakti nëse shoqëria civile dhe qytetarët janë pjesë të reformave, duke përmendur protestat mjedisore në Shqipëri si shembull të asaj çka ndodh kur reformat zbatohen pa përfshirje dhe pronësi qytetare.
Ai theksoi rritjen e presionit politik dhe financiar ndaj shoqërisë civile në Ballkan si dhe humbjen prej mbi 120 milionë eurove në financim për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor pas tërheqjes së USAID-it, prej të cilave rreth 26 milionë euro në Kosovë.
Ai kërkoi nga institucionet e BE-së që, në kuadër të negociatave për Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare (MFF), financimi për shoqërinë civile të pavarur në shtetet e zgjerimit të trajtohet me prioritet dhe si investim strategjik në qëndrueshmërinë demokratike dhe konsolidimin e Evropës.
Reagimi i Pukës ndaj deklaratës së ministres serbe
Pjesa që tërhoqi vëmendjen më të madhe të pjesëmarrësve në sallë ishte reagimi i Pukës ndaj deklaratës së kësaj jave të Snezhana Paunoviq, Ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, e cila në një intervistë televizive tha se, sikur të ishte Sllobodan Millosheviq, do ta kishte "pastruar etnikisht" Kosovën në vitin 1998.
Ai e cilësoi deklaratën si "kujtesë se çfarë bën pushteti i cili nuk ndjen pikë përgjegjësie e llogaridhënie, dhe kur askush nuk e sfidon," duke theksuar se retorika e luftës mbetet e pranishme në rajon dhe se BE-ja nuk mund të heshtë ndaj saj.
Me këtë, Puka iu referua drejtpërdrejt fjalimit kryesor të Komisioneres Kos, e cila paqen e kishte cilësuar si vlerën themelore të Bashkimit Evropian. "Sapo të jemi bashkë në Bashkimin Evropian, ne nuk bëjmë më luftë," tha ajo, duke u bërë thirrje të 27 shteteve anëtare që zgjerimin ta mbështesin si investim në paqen, lirinë dhe prosperitetin e përbashkët të kontinentit.
"Konvergjenca me BE-në ka të bëjë më shumë me përqafimin e vlerave evropiane sesa me çdo gjë tjetër," tutje tha ai, duke shtuar se vetëm veprimi konkret nga BE e bën thënien e Komisioneres Kos 'kurrë më luftë' premtim për të ardhmen, e jo thjesht kujtim të së kaluarës por premtim për të ardhmen.
Përveç Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), nga Kosova në këtë seancë plenare morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) si dhe Platforma Civikos.




































