LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka potencial për bashkëpunim në fushën e inovacionit (Video)

Kosova ka potencial për bashkëpunim në fushën e inovacionit (Video)

Drejtoresha e Akademia JCoders, Arta Shehu-Zaimi, fituese e medaljes së artë në lojërat “Start-Up Games” që janë mbajtur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se rinia në Kosovë po ofron shërbime dhe produkte në fushën e teknologjisë.

Shehu-Zajmi ka thënë se shembujt tonë po rrisin disponimin që bizneset evropiane të bashkëpunojnë me bizneset vendore.


“Duke dhënë shembuj të mirë, ne po rrisim disponimin edhe të vendeve evropiane që të bashkëpunojnë me biznese të tjera në Kosovë. Në Kosovë është një ndryshim pozitiv të bizneset fillestare me karakter inovativ, rinia e jonë po punon në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve në fushën e teknologjisë. Ne biznese të teknologjisë jemi me fat, pasi që kemi ICK-në, në qendër që po i përkrah bizneset fillestare si me marketing dhe vizibilitet”, tha Shehu-Zajmi.

Ajo thotë se përkrahja institucionale ndaj bizneseve është e mirë se ardhur dhe duhet të jetë si lehtësim i të bërit biznes.

“Përkrahja institucionale është gjithmonë e pritur, mirëpo nuk e kisha konsideruar si shumë vitale. Fundi i fundit, të gjitha ato biznese duhet ta validojnë punën e tyre përballë klientit, mirëpo përkrahja institucionale duhet të jetë si lehtësim”, ka shtuar ajo.

Shehu-Zaimi thotë se është çështje kohe kur do të dëgjojmë për suksese të tjera.

“Është çështje kohe që kur do të dëgjojmë për tregime të tjera suksesi. Si rini jemi shumë të pjekur dhe e dimë se shumë të ri po mendojnë qysh ta kalojnë kohën në mënyrë shumë produktive dhe shumë prej tyre po e konsiderojnë fushën e teknologjisë si fushë që ta kenë një të ardhme më të sigurt”, përfundoi Shehu-Zaimi.

Lansohet fondi për përkrahjen e bizneseve që promovojnë inovacionin (Video)
Lexo po ashtu Lansohet fondi për përkrahjen e bizneseve që promovojnë inovacionin (Video)

Kujtojmë se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka lansuar “Fondin për Inovacion dhe Ndërmarrësi” për bizneset ekzistuese dhe ato fillestare, të cilat kanë mundësinë të marrin subvencionim deri 100 mijë euro. /Telegrafi/