LAJMI I FUNDIT:

Kosova importoi 3.2 miliardë euro mallra, eksportoi 475 milionë euro gjatë vitit 2020

Kosova importoi 3.2 miliardë euro mallra, eksportoi 475 milionë euro gjatë vitit 2020

Kosova gjatë vitit të kaluar ka importuar 3.2 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar 474.5 milionë euro, ku neto eksporti ka arritur 14.4 për qind.

Kështu thuhet në raportin “Tregtia e jashtme e Kosovës, viti 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).


Sipas ASK-së, tregtia e mallrave gjatë 2020-së kishte në vlerë prej 2.8 miliardë eurosh me një deficit tregtar më të ulët për 9.4 për qind sesa viti paraprak, shkruan Telegrafi.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat vendore gjatë vitit të kaluar me atë të vitit 2019, tregohet se ka një rritje vjetore për 23.8 për qind.

“Eksportet sipas sektorëve në këtë vit kishin rritje në artikuj të ndryshëm të prodhuar në vlerë rreth 49.7 milionë euro, produkte të industrisë kimike në vlerë rreth 18.7 milionë euro, produkte bimore në vlerë rreth 31.7 milionë euro, tekstil dhe artikuj tekstili në vlerë rreth 15.2 milionë euro, metalet bazë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 173.9 milionë euro, mjetet e transportit në vlerë rreth 5.1 milionë euro, artikuj prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi në vlerë rreth 10.4 milionë euro, makineri, pajisje mekanike dhe elektrik në vlerë rreth 20.3 milionë euro, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 57.1 milionë euro, ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan në vlerë rreth 43.5 milionë euro, letër dhe artikuj prej letre, në vlerë rreth 4.5 milionë euro”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, gjatët kësaj periudhe, kishte rënie të eksporteve në lëkurë dhe artikuj prej saj në vlerë rreth 4.1 milionë euro, produktet minerale në vlerë rreth 26 milionë euro dhe druri e artikuj druri në vlerë rreth 5.4 milionë euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se, trend pozitiv të rritjes së eksporteve nga 2010-2020 ka pasur plastika, goma dhe artikujt prej tyre nga 8.1 milionë euro në 57.1 milionë euro, artikujt e ndryshëm të prodhuar nga 1.9 milionë euro në 49.7 milionë euro, ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani nga 11.5 milionë euro në 43.5 milionë euro dhe produktet bimore nga 12.2 milionë euro në 31.7 milionë euro.

Duke krahasuar me vitin paraprak, tregtia e mallrave për importin e Kosovës në vitin 2020 kanë shënuar një rënie vjetore rreth 5.7 për qind.

“Rritje te importet sipas sektorëve janë vërejtur në produktet e industrisë kimike në vlerë rreth 283.9 milionë euro, yndyra në vlerë rreth 32.1 milionë euro, instrumentet optike, mjekësore, fotografike, muzikore në vlerë rreth 45.1 milionë euro, produktet bimore në vlerë rreth 163.9 milionë euro, plastika, goma dhe artikujt prej tyre në vlerë rreth 224.5 milionë euro, makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike në vlerë rreth 434.9 milionë euro dhe ushqimet e përgatitura, pijet, pijet alkoolike dhe duhani, në vlerë rreth 422.2 milionë euro”, njofton ASK, përcjell Telegrafi.

Rënie të importeve kishte te produktet minerale (lëndët djegëse) në vlerë rreth 353.8 milionë euro, lëkura dhe artikujt prej saj në vlerë rreth 7.2 milionë euro, veshmbathjet (këpucët dhe pjesët e artikujve të tillë) në vlerë rreth 35.0 milionë euro, artikujt e ndryshëm të prodhuar, në vlerë rreth 87.6 milionë euro, letër dhe artikuj prej letre në vlerë rreth në vlerë rreth 47.1 milionë euro, mjetet e transportit të ndryshëm në vlerë rreth 288.8 milionë euro, metale bazë dhe artikuj prej tyre, në vlerë rreth 351.1 milionë euro, tekstili dhe artikujt prej tij, në vlerë rreth 163.1 milionë euro, druri dhe artikuj nga druri, në vlerë rreth 80.6 milionë euro, artikujt prej guri, allçie, prodhim qeramike dhe qelqi, në vlerë rreth 112.5 milionë euro dhe kafshët e gjalla, produktet me origjinë kafshe, në vlerë rreth 147.2 milionë euro.

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 163.4 milionë euro ose rreth 34.4 për qind e eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 28.5 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania me 9.3 për qind, Italia me 6 për qind, Holanda me 4.6 për qind, etj.

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë nga vendet e BE-së kanë hekuri dhe çeliku me 35.6 milionë euro ose rreth 21.8 për qind, plastika dhe artikujt prej saj me 28.3 milionë euro ose rreth 17.3 për qind dhe mobilieritë me 10 milionë euro ose rreth 6.1 për qind.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1.5 miliardë euro ose 45.8 për qind e importeve të përgjithshme me një rënie prej 12 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 13 për qind, Italia me 5.6 për qind, Greqia me 4.2 për qind, Sllovenia me 3.2 për qind dhe Polonia me 3.1 për qind. Vendet e BE-së mbulojnë pjesën më të madhe të importeve të përgjithshme të Kosovës. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin mjetet e transportit të ndryshëm me 238.2 milionë euro ose rreth 15.8 për qind dhe lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale, produktet e destinimit të tyre me 172.4 milionë euro ose rreth 11.4 për qind.

Gjatë vitit 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 210.7 milionë euro ose 44.4 për qind të eksporteve të përgjithshme ku kishte rritje prej 27.8 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende ishin Shqipëria me 23.2 për qind, Maqedonia e Veriut me 9.3 për qind, Serbia me 6.4 për qind dhe Mali i Zi me 3.9 për qind.

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë nga vendet e CEFTA-s kishte hekuri dhe çeliku me 55.8 milionë euro ose rreth 26.5 për qind, artikujt prej hekuri dhe çeliku me 30.6 milionë euro ose rreth 14.6 për qind dhe pijet alkoolike dhe uthulla me 20.7 milionë euro ose rreth 9.8 për qind.

Kurse importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2020 arritën në 615.3 milionë euro ose 18.7 për qind të importeve të përgjithshme me një rritje prej 22.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria me 5.8 për qind, Maqedonia e Veriut me 5.7 për qind, Serbia me 5.3 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin te hekuri dhe çeliku me 120.3 milionë euro ose rreth 19.6 për qind dhe kripërat, sulfuret, oksidet, gurët, materialet suvatuese, gëlqerja dhe çimentoja me 55.8 milionë euro ose rreth 9.1 për qind.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.6 milionë euro ose 21.2 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin Zvicra me 8.2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 5 për qind.

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 1.1 miliardë euro ose 35.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Turqia me 12.4 për qind dhe Kina me 9.8 për qind. /Telegrafi/