Besimi, disiplina dhe uniteti – janë këto fjalët që përshkruajnë më së miri atmosferën aktuale në Kombëtaren e Kosovës, e cila pas katër ndeshjeve në kualifikimet për Botërorin 2026, vazhdon të mbajë gjallë shpresat për një sukses historik.

Një nga figurat kyçe në këto paraqitje mbresëlënëse është mbrojtësi Kreshnik Hajrizi, i cili në një intervistë për Telegrafin flet për ecurinë e deritanishme të Kosovës, çelësin e fitores ndaj Suedisë dhe ëndrrën për të parë “Dardanët” në skenën më të madhe të futbollit botëror.


Pas katër ndeshjeve, Kosova numëron shtatë pikë në Grupin B dhe renditet e dyta me shpresa reale që të kualifikohet në fazën e “play-off-it”. Hajrizi thotë se ky është një fillim mjaft i mirë, i cili u arrit falë karakterit që shfaqi ekipi.

“Mendoj se kemi bërë një fillim solid, jemi në rrugë të mirë. Kemi treguar karakter, sidomos në ndeshjet e fundit, dhe kjo duhet të na japë besim për vazhdimin e kualifikimeve”, ka deklaruar fillimisht Hajrizi.

Kreshnik Hajrizi

Ta mposhtësh një kombëtare si Suedia jo një por dy herë, nuk është rastësi. Mbrojtësi kosovar thotë se kjo u bë e mundshme pas bashkëpunimit dhe angazhimit të grupit të lojtarëve.

“Besoj që ishte bashkëpunimi dhe angazhimi i gjithë grupit. E dinim që përballë kishim një kundërshtar me shumë cilësi, ndaj na duhej disiplinë dhe përqendrim maksimal. E kemi zbatuar në mënyrë perfekte planin e trajnerit dhe luftuam për çdo top si një ekip i vetëm”.

Hajrizi refuzon ta përjashtojë mundësinë që Kosova të arrijë ta sigurojë kualifikimin direkt në Botëror, teksa shtoi se ishte mjaft i kënaqur me paraqitjen e tij dhe të bashkëlojtarëve.

Kreshnik Hajrizi dhe bashkëlojtarët e tij gjatë intonimit të himnit

“Në futboll, asgjë nuk është e pamundur. Ne do të luftojmë deri në fund. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet dhe me këtë besim, gjithçka mund të ndodhë”.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar si për paraqitjen personale, ashtu edhe për atë të ekipit. Për mua është gjithmonë një nder dhe krenari të vesh fanellën e Kombëtares”, u shpreh 26-vjeçari.

Hajrizi së bashku me Albian Hajdarin formuan një partneritet në qendër të mbrojtjes që ishte i pathyeshëm edhe për yjet suedezë që vlejnë miliona si Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak.

Kreshnik Hajrizi

“Kemi një raport shumë të mirë me Albianin që nga koha kur ishim te Lugano dhe kjo na ndihmoi shumë në fushë. E dimë se si lëvizim, si reagojmë në situata të ndryshme dhe kjo e bën komunikimin shumë më të lehtë”.

Për fund, Hajrizi pati një mesazh për tifozët “Dardanët” të cilëve i premtoi maksimumin për ta bërë realitet ëndrrën e kualifikimit në Botëror.

“Dua t’i falënderoj nga zemra tifozët për mbështetjen e jashtëzakonshme. Ata janë forca jonë shtesë në çdo ndeshje. Shpresoj që t’i bëjmë krenar dhe ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku drejt një ëndrre të madhe: Botërorit”, përfundoi ai./Telegrafi/