LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Kroacia të përkushtuara në forcimin e bashkëpunimit kulturor

Kosova dhe Kroacia të përkushtuara në forcimin e bashkëpunimit kulturor

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kroaci, ku po zhvillon takime të rëndësishme me përfaqësues institucional të këtij sektori.

Sot ai ka pasur një drekë pune me ministrin kroat të Kulturës, Zlatan Hasanbegoviq, zëvendësministrin dhe zëvendësministren për Kulturë, si dhe përfaqësues tjerë të ministrisë së Kulturës së Kroacisë.


Hasanbegoviq dhe Hoti biseduan rreth angazhimit të përbashkët në implementimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor, e cila kohë më parë është iniciuar ndërmjet dy vendeve. Me theks të veçantë është biseduar për dërgimin e disa studentëve nga Kosova për specializim në institutet kroate për konservim dhe restaurim e fushën e trashëgimisë kulturore, ku Kroacia ka një përvojë të madhe.

Hoti u takua edhe me ministren e kulturës së Maqedonisë, Elizabeta Kanceska-Milevska, me të cilën bisedoi rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve fqinje.

Në mbrëmje, zëvendësministri Hoti do marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Edicionit të 67-të të Festivalit Veror në Dubrovnik, si dhe do të vizitojë Muzeun e Arteve moderne të këtij qyteti.