Kosova dhe Frankfurti ndahen në paqe (Foto/Video)

Pjesa e parë
Skuadra gjermane e dominoi pjesën e parë, në të cilën pati edhe një penalti, por ekipet shkuan në pushim me rezultatin e fillimit të ndeshjes (0-0).
Në 15 minutat e para nuk pati raste për t’u përmendur nga asnjëra skuadër, porse vetëm në minutën e 19-të, Sonny Kittel rrezikoi për të nxitur reagimin e mbrojtjes kosovare.
Shansin e parë në ndeshje, Kosova e pati në minutën e 26-të, kur Bersant Celina e testoi portierin e Frankfurtit, Kevin Trapp.
Gjermanët patën një tjetër rast me anë të Nelson Valdez, goditja e të cilit përfundoi pranë portës. Frankfurti ka mundur të kalojë në epërsi kur po afrohej fundi i pjesës së parë, mirëpo Luca Waldschmidt dështoi të shënonte nga penaltia.
Një gjysmërast për Kosovën e pati edhe Ilir Berisha, i cili rrezikoi me kokë.
Pjesa e dytë
Një fillim më i mirë i pjesës së dytë nga Përfaqësuesja jonë, e cila pati dy raste të njëpasnjëshme shënimi.
Goditja e lojtarit më të mirë, Bersant Celinës shkoi shumë pranë portës, ndërsa edhe Valmir Sulejmani ka mundur të shënojë.
Nga ana tjetër, Luca Waldschmidt rrezikoi në minutën e 73-të për Frankfurtin duke goditur nga 16 metra.
Deri në fishkëllimën e fundit të arbitrit, asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënojë, ashtu që ndeshja përfundoi me rezultatin e fillimit.
Në pesë ndeshjet zhvilluara deri më tani, Kosova numëron një fitore, dy barazime dhe dy humbje. Kundërshtari i radhës është Werder Bremeni. /Telegrafi/






















































