LAJMI I FUNDIT:

Kosova i del në ndihmë Turqisë pas goditjes nga tërmetet, Osmani autorizon dërgimin e FSK-së

Kosova i del në ndihmë Turqisë pas goditjes nga tërmetet, Osmani autorizon dërgimin e FSK-së
Foto: Arkiv

Turqia dhe Siria janë goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të Rihterit, ku për pasojë deri më tani kanë humbur jetën 2,500 persona dhe mijëra të tjerë janë lënduar.

Turqia para pak çasteve është goditur edhe nga dy tërmete tjera që ishin me fuqi më të vogël shkatërruese, pra i treti 5.0 magnitudë, kurse i katërti 5.1.


Si rezultat i gjendjes së rëndë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme.

“Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.

Tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, numri i të vdekurve arrin në më shumë se 3.500
Lexo po ashtu Tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, numri i të vdekurve arrin në më shumë se 3.500

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha më herët se 5.400 persona janë lënduar, ndërkaq 2.470 të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat.

Afër 3.000 ndërtesa janë rrëzuar nga tërmeti, tha ai.

“Për shkak se heqja e rrënojave po vazhdon në shumë ndërtesa që gjenden në zonën e tërmetit, ne nuk e dimë se sa do të rritet numri i të vrarëve dhe të lënduarve”, tha Erdogan.

Ai tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës. Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit.

Të gjitha lajmet nga tërmeti në Turqi
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga tërmeti në Turqi

Edhe zyrtarët në Siri kanë raportuar, po ashtu, për mijëra persona të lënduar.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus. /Telegrafi/