LAJMI I FUNDIT:

Kosova anëtarësohet në organizatën ndërkombëtar BIE

Kosova anëtarësohet në organizatën ndërkombëtar BIE

Republika e Kosovës është anëtarësuar në Zyrën Ndërkombëtare të Ekspozitave (BIE), me seli në Francë, Organizatën Ndërkombëtare të Ekspozitave, duke u bërë anëtare e 170-të e njërës prej organizatave më të vjetra ndërkombëtare.

Në një komunikatë për media të ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se kjo ministri ka marrë njoftim zyrtar nga Parisi për anëtarësimin e shtetit kosovar në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.


Sipas Ministrit të Jashtëm në detyre, Petrit Selimi, “anëtarësimi në BIE është i një rëndësie fundamentale sepse Zyra Ndërkombëtare Ekspozitave është njëra prej organizatave më të vjetra dhe më prestigjioze ndërshtetërore”.

“Kosova fillimisht u konfirmua si palë e Konventës së Parisit të vitit 1928 për ekspozita ndërkombëtare, kurse së fundi pranoi konfirmimin nga sekretariati i kësaj organizate se shteti i Kosovës është bërë anëtare e 170-të e këtij organizmi. BIE është përgjegjëse për organizimin e EXPO-ve, apo ekspozitave globale me karakter ekonomik. EXPO i vitit të kaluar në Milano pati pjesëmarrje rekorde, ndërsa Kosova nuk pati rast aty të prezantojë industrinë e ushqimit për shkak se atëbotë nuk ishte anëtare e BIE-së”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Anëtarësimi në këtë organizatë me seli në Paris i mundëson Kosovës pjesëmarrje në ekspozitat më të rëndësishme botërore, organizimin e ekspozitave ndërkombëtare në Kosovë, si dhe një angazhim më të konsoliduar të shtetit kosovar në sferën multilaterale globale. /Telegrafi/