LAJMI I FUNDIT:

KOSID kundër faturimit të humbjeve të KEDS në dëm të qytetarëve

KOSID kundër faturimit të humbjeve të KEDS në dëm të qytetarëve

Konsorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) shpreh indinjatën dhe kundërshtimin ndaj vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e nivelit të humbjeve të KEDS dhe ngarkimin e kësaj kostoje te qytetarët e Kosovës.

ZRRE, sipas KOSID-it, ka shkelur mandatin për të mbrojtur interesin publik dhe duke përdorur me arbitraritet pushtetin e vet, ka vendosur t’ia faturojë humbjet e një kompanie private, të gjithë qytetarëve të Kosovës.


“Ky institucion është vënë plotësisht në mbrojtje të një operatori privat që përfiton miliona në kurriz të konsumatorëve të një shërbimi bazë të jetës. KOSID kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe depolitizimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në reagim.

Bordi i ZRRE-së të hënën aprovoi Nivelin e humbjeve të lejuara për operatorin e sistemit të shpërndarjes (OSSH) për periudhën e dytë rregullative 2018/22, ku mori vendim rritjen e nivelit të humbjeve të OSSH prej 1.9%, të cilat do t’i faturohen qytetarëve, gjë e cila do të rrisë fitimet e KEDS dhe do të rrisë varfërinë energjetike të qytetarëve të Kosovës.

Në raportin vjetor të ZRRE-së të vitit 2017, humbjet e paraqitura për vitin e fundit ishin 17%, humbje të cilat do të duhet të zvogëloheshin me kalimin e viteve për shkak të investimeve që ndodhin në sistemin shpërndarës.

“Ky vendim i ZRRE-së automatikisht do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin final dhe do të paguajnë për humbjet e lejuara të OSSH-së. Nuk mund të ketë ndëshkim kolektiv për qytetarët për shkak të mospunës së institucioneve ose operatorëve në treg”, thuhet më tej në reagim.

Sipas KOSID, duke favorizuar operatorin privat në dëm të qytetarëve të Kosovës, ZRRE ka dëmtuar qëllimshëm interesin publik.

KOSID bën thirrje që vendimi të anulohet dhe njëherazi të bëhet rishikimi i kontratës së shitjes së Distribucionit dhe legjislacionit në fuqi, dhe të sigurohet fuqizimi i një ZRRE-je të pavarur e që punon në interes të publikut, dhe jo të kompanive private./Telegrafi/