LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni, pengesë për demokraci dhe sundim të ligjit

Korrupsioni, pengesë për demokraci dhe sundim të ligjit

Asdren Osaj

Transparency International e definon korrupsionin si manipulim të politikave, të institucioneve dhe të rregullave të procedurës në ndarjen e burimeve dhe të financimit nga vendimmarrësit politikë që abuzojnë me pozitën e tyre për të mbështetur fuqinë, statusin dhe pasurinë e tyre.


Korrupsioni ndikon në shoqëri në një mori mënyrash. Në rastet më të këqija, kushton me jetën. Për më tepër, kjo u kushton njerëzve lirinë, shëndetin ose paratë e tyre.

Kostoja e korrupsionit mund të jetë politike, ekonomike, sociale dhe mjedisore. Në frontin politik, korrupsioni është një pengesë e madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në një sistem demokratik, zyrat dhe institucionet e humbin legjitimitetin e tyre kur ato keqpërdoren për përfitime private. Kjo është e dëmshme në demokracitë e vendosura, por edhe më shumë te ato që sapo dalin (është jashtëzakonisht e vështirë të zhvillohet lidershipi politik i përgjegjshëm në një klimë të korruptuar).

Organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, në raportet e tyre e kanë e vënë në pah korrupsionin si problem serioz ku kuadri institucional për të luftuar atë është i dobët. Freedom House, Transparency International, si dhe organizata të tjera vendore, në të gjeturat e tyre theksojnë së mandatet e katër trupave kryesorë që luftojnë korrupsionin në Kosovës mbivendosen dhe kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre. Veçmas Transparency International, në raportin për perceptimin e korrupsionit të vitit 2017, Kosovën e ka renditur në vendin 85 – në mesin e shteteve ku korrupsioni është në nivel shqetësues.

Aktorja dhe më vonë politikania amerikane Bess Myerson, kur është pyetur për korrupsionin si fenomen që po e rendon mirëqenien e qytetarëve, ka thënë: “Bashkëpunëtor në krimin e korrupsionit është shpesh indiferenca jonë”.

A është shteti indiferent ndaj kësaj dukurie dhe cili është roli ynë si shoqëri në luftën kundër kësaj të keqeje?

Raporti i Fredom House, për shkallen e lirisë së shteteve, vë në pah mos reagimin e duhur të shoqërisë, veçmas të autoriteteve ndaj këtij fenomeni. Raporti thekson se autoritetet kanë treguar pak angazhim për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë, një fakt ky që u vë në pah edhe nga panëlistët në debatin “Deklarimi i pasurisë në parandalimin e korrupsionit”, i organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Në të dy rastet thuhet se edhe kur ka veprime konkrete, veçmas kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, dënimet janë të rralla, prokurorët dhe gjykatat vazhdojnë të jenë të ndjeshme ndaj ndërhyrjes politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike e të biznesit, duke ndikuar në të drejtën për një gjykim të drejtë.

Pavarësisht kësaj, ne kemi një legjislacion solid që e trajton luftën kundër korrupsionit. Njëri nga ta është Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, që përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publikë për ta deklaruar pasurinë, të hyrat dhe prejardhjen. Ky ligj rregullon procedurën e deklarimit dhe kontrollin e pasurisë, të hyrat dhe detyrimet e zyrtarëve të lartë publikë, anëtarët e familjes, si dhe sanksionet. Ligji po ashtu rregullon procedurën e deklarimit, të kontrollit për të dhuratat dhe prejardhjen e tyre të pranuara nga të gjithë personat zyrtarë.

Me gjithë zbrazëtit që shihen brenda sistemit, deklarimi i pasurisë ka qenë një sinjal i mirë i luftës kundër korrupsion. Ky sistem ka bërë që për të zgjedhurit tanë dhe zyrtarët e tjerë shtetërore, të kemi të dhëna rreth përfitimit, rritjes apo zvogëlimit të pasurisë.

Është kërkesë e kohës që të ndërmerren disa hapa më radikalë, siç është modifikimi i ligjit ekzistues në raport me deklarimin e pasurisë, në mënyrë që edhe zyrtarë tjerë t’i nënshtrohen këtij procesi. Me anë të ligjit të ri, procesit të deklarimit të pasurisë, përveç zyrtarëve institucionalë, duhet t’ju nënshtrohen edhe profesorët e Universitetit, doktorët, e madje edhe inspektorët, për shkak se mendohet që ata janë më lehtë të ekspozuar karshi korrupsionit.

Ligji i ri duhet të trajtojë edhe kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe t’i japë kësaj të fundit autoritetin e gjurmimit në burimin e pasurisë që dyshohet se është fituar ose përvetësuar në mënyrë të paligjshme.

Ligji për sinjalizimin e hershëm është një veprim tjetër, që jo vetëm do të kompletonte infrastrukturën ligjore në këtë drejtim, por do të ishte një paralajmërues i hershëm i akteve të korrupsionit.

Një element tjetër që duhet të përfshihet në legjislacionin e Kosovës është edhe Ligji për integritet. Një ligj të ngjashëm ka Shqipëria. Qëllimi i ligjit do duhej të ishte garantimi i besimit të publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore – të institucioneve të pavarura të administratës publike. Ligji do të përcaktonte normat nëpërmjet të cilave do të bëhej pengimi i zgjedhjes ose i emërimit në institucione publike, apo largimit nga funksioni publik të personave të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie (ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve).

Si përfundim, për shtetet në tranzicion siç është Kosova, hartimi i politikave të duhura kundër korrupsionit; krijimi i institucioneve kredibile për zbatimin e tyre, është i rëndësisë së veçantë. Përmes reformave të sistemit të drejtësisë dhe reformave të thella në administratën publike, duhet të synohet rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet. Besimi i krijuar në masë do të mundësonte edhe reforma të reja, vlera e të cilave do të rritej vetëm me rezultate objektive.

(Autori është hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D))