LAJMI I FUNDIT:

Kori Siparantum udhëton për në garën më të madhe ndërkombëtare të koreve në botë, World Choir Games 2023

Kori Siparantum udhëton për në garën më të madhe ndërkombëtare të koreve në botë, World Choir Games 2023
Foto: Facebook

Kori Siparantum, kori më i njohur në skenën e muzikës korale në vend, do të përfaqësojë Kosovën, vendin në ngjarjen më të madhe të koreve në botë, World Choir Games 2023 e cila do të mbahet këtë vit në qytetin e Gangneung në Korenë e Jugut, një vend i privilegjuar për të pritur këtë garë e cila është vlerësuar si konkursi më i madh ndërkombëtar i korit në botë, pasi qyteti ka përjetuar tashmë një organizim të shkëlqyer të ngjarjeve të mëdha si Lojërat Olimpike Dimërore 2018.

Kori Siparantum, i cili gjatë vitit 2021 shkëlqeu në World Choir Games dhe fitoi kategorinë “Musica Contemporanea” në Open Competition.


Në World Choir Games 2023, tani garon në “The Champions Competition”, në dy kategori” “Musica Contemporanea” dhe “Mixed Choir”.

“Megjithatë, në këtë udhëtim të veçantë për Lojërat Botërore të Korit 2023 në Gangneung, Kori Siparantum ka patur vështirësi në gjetjen e fondeve l për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë koristëve. Për shkak të kostos së madhe të udhëtimit dhe sfidave financiare, kësaj radhe ne udhëtojmë me gjysmën e korit, me 28 antarë të korit.Ne sinqerisht ndjejmë keqardhje për koristet të cilët jemi munduar të gjejmë mirëkuptim pasi dëshira e ynë ishte që të merrnin pjesë të gjithë anëtarët në këtë udhëtim”, u shpreh Zekije Gacaferri Kelmendi, koordinatore e projektit.

Kjo ngjarje prestigjioze bashkon pjesëmarrës nga e gjithë bota, me rreth 324 grupe dhe përfaqësues nga 46 vende. Ai shërben si një dëshmi e fuqisë së pamasë të muzikës në nxitjen e shkëmbimit kulturor dhe promovimin e harmonisë midis kombeve.

Programi do të jetë një kombinim i mahnitshëm midis krijimtarisë së artistëve të njohur dhe vlerave të veçanta të kulturës kosovare, duke përfshirë vepra të shquara të kompozitorëve si Mendi Mengjiqi, Baki Jashari dhe Memli Kelmendi.

“Pjesëmarrja e Korit Siparantum në World Choir Games 2023 është rezultat i një pune të palodhshme dhe angazhimi të jashtëzakonshëm. Koristët kanë punuar me shumë perkushtim dhe dedikim për këtë garë të madhe ndërkombëtare. Veprat që janë punuar nga dirigjenti ynë, Memli Kelmendi janë vërtet komplekse dhe tregojnë një nivel artistik të lartë. Kori Siparantum ka arritur të ngrihet në një nivel të lartë nëpërmjet kësaj pune të vështirë dhe të përkushtuar. Kjo tregon profesionalizmin dhe kualitetin e tonë në skenën e muzikës korale ndërkombëtare”, Agron Shujaku, drejtor artistik i Korit Siparantum.

Pjesëmarrja e Korit Siparantum në World Choir Games përhap edhe më tej njohuritë muzikore dhe kulturën korale të Kosovës. Kjo garë e madhe ndërkombëtare sjell koristët në kontakt me kore të tjera nga e gjithë bota, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunime dhe shkëmbime artistike.

Nëpërmjet takimeve dhe performancave në këtë platformë të rëndësishme, koristët mund të ndajnë vlera, përvoja dhe teknika muzikore me artistët e tjerë, duke u arritur një arritje e përbashkët dhe një ndërtim i rrjetit të muzikës korale në nivel ndërkombëtar.

Në përgjithësi, pjesëmarrja e Korit Siparantum në World Choir Games shërben si një shembull i frytshëm i promovimit të kulturës korale, vlerave kombëtare dhe krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë.

Siparantum është kori më i suksesshëm në vend, deri më tani ka paraqitur mbi 130 paraqtije, 60 paraqitje ndërkombëtare, 10 shtete dhe 8 shpërblime të para.

Kori Siparantum falënderon për mbështetjen në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij ndaj sponzorëve të artë: Sunny Hill Foundation, Swiss Agency for Development and Cooperation, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Dukagjini.

Gjithashtu, sponzorët e tjerë të cilët kanë kontribuar në mënyrë të rëndësishme në suksesin tonë:Komuna Pejë, Alba Qeramika, Onix Spa, AFK, Termoteknika, Burri Construction, Fron, Metron, SLG, Zgjerohu, Filharmonia e Kosovës.

Përveç tyre, shprehim mirënjohjen tonë ndaj të gjithë artdashësve që kanë ofruar kontributin e tyre vullnetarisht në përkrahjen e Korit Siparantum në World Choir Games.