Kontrabanda e cigareve në Shqipërinë komuniste


Shqipëria ishte zhytur në borxhe dhe metoda e “kleringut” që përdorej asokohe mes vendeve socialiste, nuk mjaftonte për të nxjerrë një vend nga kriza. Shqipëria nuk prodhonte asgjë për të shkëmbyer. Do të ishte vetë Enver Hoxha që, në kundërshtim me çdo slogan socialist, kishte firmosur një kontratë të dyshimtë me një tregtar hebre, që konsistonte në hapjen e një korridori për kontrabandën e cigareve. Të gjitha prapaskenat e kësaj marrëveshjeje, si u krijua, si funksionoi “Albtrans”, ndërmarrja tregtare në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i rrëfen ish-drejtori i saj, në vitet ’80 të shekullit XX, Lorenc Nenshati. Kjo ndërmarrje fitimprurëse e kohës së komunizmit, është shtrirë në hapësirën kohore të rreth 25 vjetëve (1967- 1991).
Nga: Lorenc Nenshati (pjesë nga libri, Albtrans, Top Secret)
Albtrans-i u krijua si rastësisht. Nuk ishim ne shqiptarët që e nxorëm në dritë. Përkundrazi, për pak sa nuk e lamë të na ikë nga dora, sepse bisedimet u zgjatën shumë. Hapja e kësaj ndërmarrjeje ishte sa e çuditshme për regjimin tonë politik, po aq me interes ekonomiko-financiar. Nuk ishim ne nismëtarët për hapjen e saj, sepse ende nuk ekzistonte një bazë e plotë edukative mbi kompleksin e ndërtimit të tregut ndërkombëtar që ta kërkonim ne.
Ky treg funksiononte shumë larg nesh si distancë, si shkollë dhe si mentalitet. Fillimisht, ne u kapëm pas kësaj hallke, siç thuhet; “kapa një hajdut; dua ta lëshoj, por nuk më lëshon ai”. Shumë pak veta e kishim idenë sa të thella janë marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve. Objekti bazë i ekonomisë sonë socialiste atëherë ishte “kleringu”, baza e tij ishte shkëmbimi mall me mall. Me këtë doktrinë zhvillohej tregtia brenda bashkësisë së shteteve të Lindjes komuniste. Shitblerja bëhej mbi bazën e vlerësimit të mallit me një valutë të huaj, më shumë me dollarin.
Por, këto shuma lëviznin vetëm në letra. Nuk kishin të bënin me transaksione bankare, por vetëm me plane shkëmbimi. Në fund të vitit bëheshin bilancet bilaterale dhe rezultonte një saldo pozitive apo negative: shteti që kishte importuar më shumë dhe kishte eksportuar më pak se tjetri, detyrohej të paguante një saldo në dollarë. Të gjitha shtetet e Lindjes, me këtë formë tregtie, kishin humbje në valutë, por sidomos shtetet më të industrializuara, si Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, që mallrat e tyre mund të konkurronin në tregun e lirë kapitalist.
Ato ishin të detyruara që, së pari, të plotësonin planin e kleringut me shtetet e bashkësisë dhe tepricat t’i hidhnin në tregun ndërkombëtar. Në atë kohë, Shqipëria nuk kishte asgjë që mund t’i ofronte atij tregu dhe, nga ana tjetër, ajo nuk kishte as si t’i paguante të gjitha ato makineri që importonte për ndërtimin e TEC-ve e hidrocentraleve, si dhe infrastrukturën e tyre të shtrenjtë, gjithnjë të pamjaftueshme.
Nuk mund të paguante makineritë e shumëllojshme metalprerëse për të ndërtuar uzina, të cilat dilnin shpesh edhe me humbje; mjetet e transportit tokësor, detar e hekurudhor; veshmbathjet dhe lëndët ushqimore për njerëzit e për kafshët. Erdhi një kohë që Shqipëria u mbyt në borxhe me Lindjen, ndërsa Enver Hoxha, “gjithnjë shpëtimtar i situatave të vështira”, deri në vitet kur shëndeti i premtonte, gjeti si pretekst një motiv të mprehtë politik: u zemërua për vdekje me Lindjen, tashmë revizioniste e Marksizëm-Leninizmit, si dhe për shumë anë të tjera, që preknin ndjenjat e nacionalizmin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Ishin kohë të vështira. Qeveria e futi vendin në qorrsokak: nga njëra anë, e la pa mbështetjen e KNER-it dhe, nga ana tjetër, po përgatiste terrenin të dilte edhe nga Traktati i Varshavës. Gjatë 50 vjetëve Shqipëria gjithnjë ka qenë në krizë: u fillua me triska e përfundoi me tollona. Në kohën kur u hap Albtrans-i, Shqipëria ishte plot me borxhe. Dalja jashtë KNER-it e vetmoi akoma më shumë dhe e vetizoloi. Gjithçka që u ndërtuan atëherë, pothuajse ishin të papaguara.
Ato borxhe na futën frikën dhe shpejtuam për ta denoncuar publikisht Traktatin e Varshavës si një traktat agresiv. Qëllimi ishte që komuniteti ndërkombëtar të mos e konsideronte më Shqipërinë anëtare në bashkësinë ushtarake. Ndryshe, në çdo çast imagjinohej se ushtritë e Traktatit të Varshavës do të futeshin në Shqipëri në formën e manovrave ushtarake. Të gjitha shtetet e mëdha, në fund të fundit, hapin luftë për punën e borxheve. Zogu nuk ia kishte shitur Shqipërinë Italisë, por kishte hyrë në borxhe të mëdha. Frytet e atyre borxheve ishin të gjalla gjithandej nëpër Shqipëri. Situata e atyre viteve nuk kishte të bënte me atë që Shqipëria rrezikohej nga uria, por nga qëndrimi pa krye ndaj Lindjes komuniste.
Në njërën nga ato ditët e vështira të vitit 1966, një përfaqësues i ndërmarrjes së tregtisë së jashtme Agro-Eksport, me punë në zyrën e tregtisë pranë ambasadës shqiptare në Vjenë, pati një telefonatë nga një i panjohur, i cili i kërkoi takim për një problem me leverdi dypalëshe. “Me pak fjalë”, tha ai, “kam një ofertë speciale që duhet diskutuar gojarisht”. Nëpunësi i zyrës u gëzua. E priti të nesërmen me qejf, por u befasua. E pa që oferta trajtonte një problem krejt tjetër nga ato të rutinës së përditshme. Pak e mori vesh, pasi ishte ndryshe nga praktikat e tregtisë së jashtme deri më atëherë. Porse, mirë të paktën që nuk e përcolli, por e mbajti zvarrë me njëfarë shprese. Edhe personi ishte tepër i interesuar.
Ai kishte bërë tërë atë punë përgatitore. Oferta kishte disa faqe të daktilografuara, një punë e kujdesshme në emër të një firme të madhe europiane eksport-importi. Njeriu ishte i autorizuar të zhvillonte bisedimet paraprake: të interpretonte ofertën dhe t’i vazhdonte bisedimet rutinë deri në fund. Personi ishte Arnold Beraha, hebre, me banim në Zvicër. Përmbajtja e ofertës kërkonte të organizohej një “zonë e lirë” (punto franko) në bregdetin Adriatik të Shqipërisë për të transituar cigare të huaja, Marlboro, Red e Box dhe Winston. Këto cigare atëherë ishin origjinale. Oferta u transmetua menjëherë në Tiranë - sa për të qenë brenda - por asnjeri nuk krijoi ndonjë përshtypje.
Të gjithë në heshtje, e konsideruan problem të evaduar. Dihej që askush nuk do të merrej me atë. Kurrkush në Tiranë nuk kishte durim të lexonte oferta të gjata. Punët atëherë ishin më të thjeshta. Kështu, të gjithë bënë sikur e panë, që nga ministri i Tregtisë së Jashtme e deri te referenti i fundit, të cilit i mbeti në sirtarin e tavolinës. Kaloi shumë kohë. Nëpunësi në Vjenë kërkonte vazhdimisht përgjigje, i shtyrë nga njeriu i ofertës. Referenti nuk kishte asgjë për të thënë; rrinte me shpresë se një ditë do t’i vijë radha. Pas gati një viti, oferta e fshehur doli jashtë sirtarit.
Njëri nga nëndrejtorët e Agro-Eksportit shkoi me shërbim për problemet që trajtonte referenti, por vetë i dytë, siç ishte rregulli. Referenti e futi në çantë dhe u nis për Vjenë, me shpresë se i erdhi radha. E mori me vete ashtu kot, pasi nuk përfshihej në programin e punës të këtij shërbimi. Në Vjenë referenti e gjeti gjuhën e përbashkët me nëpunësin e zyrës së tregtisë së ambasadës atje. Që të dy po prisnin rastin më të parë t’ia paraqisnin nëndrejtorit, jo si në Tiranë, që duhej të mendoheshe mirë përpara se të trokisje në derën e eprorit, por në Vjenë, jashtë shtetit, ku zbuteshin shumë diferenca të pozicionit të punës.
Që të dy merrnin të njëjtën dietë, që të dy hanin me kursime, madje, kësaj radhe i kishte thirrur për darkë nëpunësi i Agro-Eksportit që mbante marrëdhëniet me hebreun. Të dy vartësit e kishin të qartë se çfarë kërkonte oferta, e kishin lexuar dhe rilexuar disa herë, kishin krijuar mendime të qarta mbi të dhe ishin në gjendje ta interpretonin ashtu siç e donte edhe mentaliteti shqiptar. Gjatë darkës patën menduar ta hapnin këtë bisedë; ata nuk kishin më nevojë t’i kishin letrat përpara, pasi i njihnin pothuajse përmendësh. Zëvendësdrejtori pranoi të marrë takim me personin e ofertës. U bind vërtet dhe e konsideroi me vend që oferta të shikohet edhe një herë me seriozitet në Shqipëri.
Me një fjalë, atë e pa me shumë interes dhe premtoi se do ta ndiqte me precedencë. Në fakt, pasi e bëri xhiron edhe një herë në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, oferta nuk dihet se si kishte rënë në veshin e Enver Hoxhës, i cili e kuptoi mirë përmbajtjen dhe dha pëlqimin e tij me precedencë që të bëhet. Kontrata u firmos midis Agro-Eksportit dhe grupit Vanawer Ltd. Bosi i saj, në kartëvizitë mbante titullin: Konsulent Eksporti ‘Philip Morris’ për Europën.
Në vizitën e parë në Zvicër, si drejtues i Albtrans-it, mbi bazën e një plani konkret që pata bërë që në Tiranë, me radhë u bëra të gjitha kompanive vizitën e kortezisë apo të njohjes. Me këto kontakte desha t’i pasuroj akoma më shumë dijet e mia për synimet e të ardhmes së afërt. Kisha vendosur të lëvizja nga ajo status quo e vjetër, e cila kishte kohë që duhej prishur, për të krijuar marrëdhënie të tjera më serioze biznesi, që të favorizohej një hop cilësor në bilancin financiar sa më shpejt të ishte e mundur. Sapo mbërrita në Lugano, shefi i firmës “Soko” po më priste në aeroport. Ishte vetë i dytë. Personi që më prezantoi quhej Arnold Beraha.
Aperitivin e pimë në një bar të aeroportit. Mua më ofruan një aperitiv të rrallë, “Royal”, shampanjë e përzier me një ekstrakt vishnjash që merrte ngjyrën rozë e që krijonte një shije më të fortë. E hapa bisedën, duke thënë se zotërinë nuk më kujtohej ta kisha parë ndonjëherë, vetëm nëse po më gabonte kujtesa.
- Është e vërtetë,- u përgjigj ai vetë. - Herën e parë kur erdhe nuk isha këtu, pasi unë udhëtoj shpesh në Vjenë. Prej aeroportit shkuam në hotel “Eden”, ku ishte rezervuar dhoma dhe tryeza për darkën. Kështu u njoha me personin që kishte drejtuar bisedimet dhe përfunduar marrëveshjen për hapjen e Albtrans-it. Ishte hebre, sigurisht edhe ky i pasur.
Beraha ishte personi që kishte bërë kombinimin e grupit të huaj tregtar të cigareve dhe që pati durimin të realizonte marrëveshjen më të çuditshme midis kapitalit ndërkombëtar dhe shtetit komunist më ortodoks në Europë. Ky hebre kishte eksperiencë të gjatë biznesi, prandaj arriti ta kombinonte edhe Albtrans-in. Menjëherë pas lufte, kishte krijuar një kompani për shitjen e aparaturave elektronike, biznes legal që fshihte një apo më shumë biznese të tjera ilegale, të cilat plekseshin në atë kohë pas lufte edhe me mashtrime fiskale. Që në bisedat e para të krijonte përshtypjen se kishte horizont të gjerë profesional, por edhe kulturor.
E pyeta nëse ishte e vërtetë çfarë thoshte Mr. Black për të, se ishte pasuruar me trafikun e arit pas lufte? Në Itali kam pasur rastin të njoh disa patriotë të mi që ishin mëkëmbur me atë punë pas lufte, derisa gjendja e pas luftës u stabilizua, dhe ky territor u vu nën kontrollin e Interpolit. Biografia tregtare dhe financiare e Berahes ishte shumë e pasur. Ai më tha se pas lufte, në kohët e para të paqarta, kur njerëzit nuk i respektonin akoma ligjet e fitimit, ai kishte punuar në qarkullimin e trafikut të arit.
- Po, jam marrë 10 vjet rresht, - pohoi. - Gjatë asaj periudhe kam lëvizur disa kuintalë pará ari nga tërë Europa, por më shumë lira e sterlina. Dhe arrita të fitoj shumë pará. Çdo gjë me moshë. Kur e fillova, isha relativisht i ri që ta përballoja. E vështira e asaj pune ishte futja dhe nxjerrja e arit nga pikat kufitare-doganore, shpesh edhe duke rrezikuar me shkelje të kufirit. Kjo punë funksiononte si një bursë private ilegale mjaft inteligjente. Ishte periudha e pasluftës dhe njerëzit duhej të merreshin me diçka në atë kohë urie të përgjithshme. Kishte raste komprometimi edhe të vetë rojeve apo zyrtarëve të doganave që, me shpërblime, e mbyllnin njëri sy. Më vonë, në këtë treg filluan të hyjnë monedha ari false nga njerëz pa skrupull, dhe kjo tregti e njerëzit që e praktikonin u vunë në shënjestrën e Interpolit. Unë e ndërpreva këtë aktivitet menjëherë, por njëlloj, emri më mbeti për disa kohë në listat e zeza.
Që në ditët e para të njohjes, Beraha më tha se Shqipërinë e kishte pasur gjithnjë në mendje, dhe se nuk donte ta mbyllte karrierën pa demonstruar “një shenjë mirënjohjeje për të”. Kur i dëgjova ato fjalë, u bëra kureshtar. I kërkova se ku e kishte bazën kjo mirënjohje.
- Arsyeja është se unë kam lidhje të vjetra me Shqipërinë dhe, në njëfarë mënyre, jetën time ia dedikoj edhe asaj, - më shpjegoi ai. - Që të jem më i qartë, unë ia detyroj jetën një familjeje shqiptare në Tiranë, sepse gjatë luftës ajo më fshehu, pasi gjermanët më kishin në listat e hebrenjve. Gjatë asaj kohe, megjithëse me shumë vështirësi, merresha me një tregti të vogël të nevojshme që të ndihmoja familjen që më kishte strehuar. Çuditesha me shpirtmadhësinë e saj, që më mbronte e kërcënuar nga rreziku, ndërkohë që gjermanët kishin vënë një shumë të mirë për çdo kokë hebreu. Për hir të fukarallëkut, ata mund të përfitonin duke më denoncuar. Jam përpjekur shumë ta gjej atë familje, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë, por nuk kam pasur rezultat. Ndoshta nuk e merrnin seriozisht kërkesën time. Tani është tepër vonë. Edhe atëherë ata nuk ishin të rinj, ishin rreth të gjashtëdhjetave. Ka kaluar shumë kohë. Sot nuk besoj të jetojnë më. Kujtoj që gruaja e shtëpisë fliste pak italisht. Më ishte ankuar një herë se kishin një djalë partizan në mal, por, ata, si prindër, nuk ia kishin bekuar aktin dhe “e kishin bo lanet”.
- Mirënjohjen time Shqipërisë, në njëfarë mënyre, gjeta rastin t’ia shpërblej me këtë marrëveshje, që jam i bindur se do të shkojë mirë dhe gjatë. Nuk ishte se vetëm Shqipëria e kishte atë pozitë gjeografike për të ndërtuar një punto franko për transitimin e cigareve në bregdetin Adriatik. Pjesëtarët e grupit, sa herë bëheshin nervozë, më thoshin se përse duhej pritur derisa t’i mbushej mendja Shqipërisë të firmoste marrëveshjen. Prandaj, kishin ngritur variante të tjera, që të bisedonin me Malin e Zi apo Kroacinë, që ishin edhe më të civilizuar me komunizmin e tyre. Por, unë i mbaja me shpresë se pikërisht naiviteti i shqiptarëve na intereson ne që të ndërtojmë një aktivitet tonin dhe ta drejtojmë sipas pikëpamjeve tona.
- Në Tiranë qëndrova 11 muaj dhe, me ikjen e njësive të ushtrisë gjermane në Veri, shkova në Shkup e pastaj në Zvicër, ku atëherë kisha shtëpinë e prindërve. Kur i fillova kontaktet me ambasadën në Vjenë, për hapjen e transitit të cigareve, ishte periudhë e vështirë. Kuptohej që Shqipëria ndodhej në ujërat e denoncimit të Traktatit të Varshavës. Flitej se kishte mjaft oferta, si nga Lindja dhe nga Perëndimi, por që qeveria shqiptare nuk i merrte asnjërën në konsideratë. Kjo -ndë mund të kishte bazë.
- Fakti është se Albtrans-i mbeti vetëm, asnjë ofertë tjetër nuk u mor në konsideratë. U bë fakt vërtet se vetëm unë pata durimin ta realizoj suksesin. Nuk u tërhoqa, përkundrazi këmbëngula në timen. Kështu e arrita marrëveshjen, por me shumë vështirësi, sepse propozimi sorollatej nëpër zyra që, siç dukej, nuk e kishin në kompetencë, derisa u gjet, më në fund, personi i cili nuk hezitoi aspak ta pranonte. Atëherë mendoja se, siç duket, burokracia hezitonte t’ia paraqiste që në fillim njeriut që e kuptoi se i duhej oferta jonë. Iu futa me buon sens diskutimit me përfaqësuesit e Agro-Eksportit, me gjithë vështirësitë e mëdha që rridhnin nga pikëpamjet e tyre ideologjike, që duheshin kapërcyer me marifet dhe hap pas hapi.
- Merita ime e padiskutueshme ishte se unë i dola punës përpara, duke këmbëngulur që në vitin 1967, duke mos i ndërprerë kontaktet për asnjë çast me telefon dhe në tavolinën e sallës së pritjes të ambasadës. Shumë herë e kisha ftuar nëpunësin e asaj zyre për dreka e darka, por ai nxirrte shkaqe që të mos vinte. Ishte një djalë i ri, me shumë sedër, e kishte frikë të krijonte nga ato lloj kontaktesh, se hynte në borxh dhe, për çfarëdo eventualiteti, të mos ndihej keq. Gjatë asaj periudhe, bashkëbiseduesi shqiptar më fshihej shpesh, por unë, sikur ta dija, e arsyetoja rastin. Ai nuk kishte çfarë të më thoshte. Ende nuk kishte asnjë përgjigje nga Tirana. Fati i madh që marrëveshja u firmos përpara denoncimit publik të Traktatit të Varshavës më 1968-n. Ndryshe, situata pseudorevolucionare, e krijuar nga komunistët nacionalistë, do ta kishte bërë të pamundur këmbënguljen time. Pasi të firmosej marrëveshja, pata vendosur ta shes kontratën. Isha i lodhur. Pata rënë dakord me vetë grupin për shumën dhe termat e likuidimit financiar. E shita biznesin, për të cilin punova gati dy vjet, dhe dola jashtë loje. Ata më paguan mirë, pavarësisht se nuk kishin besim që ky biznes do të shkonte me sukses. Kështu ishte më mirë për ju dhe për mua. Unë nuk kisha punuar kurrë me cigaret. Grupi ishte i njohur dhe i specializuar në tregjet ndërkombëtare të shitjes së cigareve. Unë vetë u shkëputa nga loja, pa më dalë akoma emri edhe në tregun e zi të cigareve.
Më pas, Beraha pëlqente të ishte më në korrent se si shkonte ky biznes, të cilin e kishte krijuar me aq mund e përpjekje.
- Më vonë, pas rreth dy-tri viteve, kur biznesi u bë rutinë, nuk isha më aq i interesuar dhe në korrent të të gjithave, por më pëlqente të dëgjoja kur hapej ndonjë bisedë gjatë kafes së mëngjesit ku, përveç Blackut, gjendej edhe ndonjë person tjetër i qarkullimit, - më shpjegonte Beraha. - Mosha shkonte dhe unë kënaqesha me krijesën time të fundit si biznes, dhe se ajo e kishte mbyllur karrierën time me nder e me sukses. Ndoshta, mund të ishte suksesi më i madh i biznesit të jetës sime, jo nga ana e fitimit, por si kënaqësi dhe mirënjohje.
- Vetëm një kuriozitet më ka mbetur nga e kaluara,- na u drejtua një ditë.- Përse këtë marrëveshje e vendosi vetëm më i madhi i Shqipërisë? Atje kishte edhe qeveri, apo jo?
Beraha na doli në shteg. Ishim me Naimin në këtë bisedë. Kjo ishte enigma e fundit që i kishte ngelur atij, por aty deshëm të dilnim edhe ne. Kishim kohë që donim t’ia kërkonim, por nuk deshëm që kjo kërkesë të bëhej nga ana jonë, prandaj dhe ishim në vështirësi.
- Ne nuk kemi asnjë dokument për këtë marrëveshje, - i thamë.
- Të gjitha janë zhdukur, sepse te ne nuk është veprimtari legale, si brenda shtetit dhe jashtë. Si garanci për çdo eventualitet, ne kemi mallin stok që në çdo kohë është më shumë se 20 mijë kasa. Ne kemi dëgjuar spontanisht se si ka rrjedhur ngjarja. I kemi mësuar gjithashtu nga ti. Pastaj, firmat e asaj marrëveshjeje kanë qenë të zyrtarëve më të ultë dhe ne jemi kureshtarë si keni pasur mundësi ta mësoni se çfarë ka ndodhur atje në ato qarqe, që u detyrua ta miratojë më i madhi fare?! Ne kemi dashur të të pyesim disa herë, por na dukej sikur po bënim ndonjë pyetje sugjestive që të provonim kujtesën tënde. Pastaj, as ne nuk e dimë si arritët ju t’i mësoni këto gjëra.
Pyetjeve tona Beraha iu përgjigj:
- Njëri nga përfaqësuesit e Agro-Eksportit, i cili erdhi nga Tirana dhe firmosi aktin, me mburrje tha se ne duhej ta kishim ndjekur që në fillim këtë rrugë nga koka fare dhe, me sa e kujtoj, personi në fjalë kishte pozitë në Agro-Eksport. Thuhej se ai duhej të ishte farefis me Enver Hoxhën. Kështu, unë besova dhe akoma besoj që këtë marrëveshje, në atë situatë, vetëm ai mund ta zgjidhte.
Më pas kemi mjaft kujtime të mira nga kontaktet me Berahën. Ishte burrë që i kishte kaluar të 80-at, i gjatë dhe trupdrejtë, ecte disa kilometra në ditë dhe mbante një dietë të rregullt ushqimi. Dinte të organizonte bukur dreka e darka në vende të shënuara. Mbajtëm marrëdhënie shoqërore me të, madje ishim prezentë edhe ditën kur vdiq papritmas, nga një atak kardiak në moshën mbi 83-vjeçare. Jetonte vetëm, por çdo fundjavë i vinte një grua e re nga Lucerni. Ajo ishte mjeke me profesion dhe, siç duket, e kontrollonte nga ana shëndetësore gjatë çdo fundjave.
Ajo ishte shumë e bukur, me moshë rreth të pesëdhjetave. Vetëm një herë na e solli në një drekë, por jo më. Ne ishim shumë më të rinj se ai. Pleqtë janë disi më xhelozë dhe nuk kishte përse të na e bënte edhe këtë nder. Në fakt, ne e ngacmonim dhe ai përgjigjej se e kishte diçka të vetën, si krushqi apo në fis, por nuk u përgjigjej as ngacmimeve tona si shqiptarë, as edhe të të tjerëve. Mësuam mjaft prej tij, jo vetëm historikun, por edhe shumë anë të tjera të biznesit të cigareve, për pjesëmarrësit (partnerët tanë) në veçanti, mbi karakteristikat personale të bosëve, te të cilët mund të mbështeteshim eventualisht, për konkurrencën dhe kontradiktat e këtij tregu të dytë të cigareve etj.
Që në fillim, njohja me Berahën më vlejti shumë për të krijuar një vizion më të qartë mbi disa karakteristika të rëndësishme të atyre personave që do të takoja. U përgatita edhe më mirë për problemet që do të diskutonim dhe deri ku duhej të ishte limiti, sipas tij, i kërkesave dhe interesave tona për këtë fazë. Në Vjenë, Beraha kishte dy fëmijë të rritur, ndërsa gruaja i kishte vdekur. Fëmijët, një djalë e një vajzë, i kishin përfunduar studimet dhe qenë sistemuar shumë mirë. Mbante marrëdhënie mjaft të mira me familjet e secilit fëmijë.
Na bënte përshtypje se çdo ditëlindje u bënte dhuratë fëmijëve nga 500 000 dollarë. E pyeta një ditë edhe për këtë, dhe më tha:
- Unë do t’u lë edhe testament fëmijëve, por sa më e vogël të jetë shuma në testament, aq më mirë është, sepse avokatët e marrin porcionin e vet mbi bazën e shumës. Kështu e lehtësoj ngadalë-ngadalë; më mirë ta ndiej mirënjohjen e tyre tani që jam gjallë sesa kur të vdes.
Beraha banonte në një shtëpi të bukur në Lugano. Ishte i pasur, por shumë rrallë e paguante të gjithë tavolinën. Për ne bënte përjashtim, kurrë nuk na la ta fusim dorën në xhep, qoftë edhe vetëm për një kafe.
Albtrans-i u hap si ndërmarrje e Agro-Eksportit. Aktiviteti i tij ishte magazinimi, manipulimi dhe livrimi i cigareve të huaja nëpërmjet transportit detar. Si e tillë njihej zyrtarisht nga vendës dhe të huaj në marrëdhënie zyrtare pune të detyrueshme. Marrëveshja u firmos me emrin e ndërmarrjes së Agro-Eksportit dhe të kompanisë import-eksport/franko-zvicerane “Vanawer Ltd”.
Firmosja ishte akti formal, sepse vështirësi të tjera kishte akoma përpara. Duhej organizuar Albtrans-i që të merrte formën e një punto franko për magazinimin, manipulimin dhe livrimin e cigareve. Çdo gjë duhej ndërtuar nga fillimi. Në përpunimin e mjeteve detare që ngarkonin për llogarinë e Albtrans-it, në një bankinë të veçantë të Portit të Durrësit merrnin pjesë entet portuale: Agjencia Detare Shtetërore (e vetmja) e Portit Durrës (Adetare), Kapitaneria e Portit, Interklubi dhe Kantieri Detar; pika e kontrollit të Kalimit të Kufirit; ushtarët e magazinës së Albtransit në dinamikën e tyre, të cilët merreshin me ngarkim-shkarkimin nga Batalioni i Sigurimit; e njihte Banka e Shtetit, njësitë ushtarake të mbrojtjes bregdetare, pikat e kalimit të kufirit Hani i Hotit, Qafë-Thanës, Kakavisë, Rinasit etj., dhe për “induksion” edhe mijëra të tjerë.
Jashtë shtetit e njihnin partnerët e biznesit, shoqëritë e transportit që e transportonin mallin nga Europa Veriore dhe Qendrore në adresën e plotë: Rrushbull-Durrës-Albania. Kjo adresë njihej nga shoqëritë e sigurimeve të mallit etj. Albtrans-i nuk lindi që në fillimi si ndërmarrje sekrete, sepse ishte nën juridiksionin e Agro-Eksportit, por as legale që nga fillimi. Ajo lindi si sekret shtetëror specifik shqiptar. U krijua si një ndërmarrje ekonomike dhe një ditë të bukur u fut në sekretin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Prandaj, e quajta sekret specifik shqiptar, sekret me urdhër; u fillua si “një zonë e lirë magazinimi” (punto franko) për transitimin e cigareve të huaja dhe, pasi kaloi vetëm pak kohë, e mori brenda strukturës të saj Ministria e Brendshme. Motivi i këtyre ndryshimeve bëhej edhe për faktin e thjeshtë se mjedisi i tij ishte plot me të huaj, ndaj u mendua apriori se ky bashkëpunim do të vlente për të ndërtuar punë zbulimi, për të çarë rrethimin e egër kapitalisto-revizionist që e kishte detyruar Shqipërinë të vet-izolohej shumë më tepër nën këtë motiv të ri.
Por, Albtrans-i nuk u ndërtua dot dhe nuk e mori kurrë formën e një agjencie inteligjente “Top Sekret”, sepse aktiviteti i tij nuk ishte legal, me qëllim që pika e zbulimit dhe punonjësit me detyra të dyfishta të ishin të mbuluar brenda aktivitetit legal të Albtrans-it. Por, ishte një agjenci zbulimi, sipas pikëpamjes sonë. Në kohën kur u krijua Albtrans-i, Shqipëria kishte tri drejtori zyrtare të shërbimeve sekrete: Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme; Drejtoria e Dytë e Zbulimit Ushtarak pranë Ministrisë të Mbrojtjes dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik, me vartësi nga Ministria e Punëve të Brendshme. Na pëlqente të kishim gjithashtu edhe një agjenci inteligjente, si kudo gjetkë.
Donim që të ngjasonte, pak a shumë, me simotrat e tjera që përdornin shërbimet sekrete të shteteve të mëdha. Si në tërë civilizimin tonë, edhe këtu na pëlqente ideja, por që në formë e përmbajte e dinim vetë. Edhe kjo u ndërtua mbrapsht, u ndërtua “me shijen tonë”, sepse duheshin ruajtur të gjitha parimet ideologjike e moraliste tipike shqiptare.
Albtrans-i u krijua në vitin 1967, si një ndërmarrje që zhvillonte aktivitet tregtar me partnerë të huaj për të transituar cigare të huaja, kryesisht amerikane. Por, ndryshimi me agjencitë e tjera, të përhapura në pika të ndryshme të botës, ishte se Albtrans-i nuk ishte legal, përkundrazi ruhej sekret brenda vendit dhe jashtë shtetit ose, më mirë të themi, përpiqeshim ta mbanim sekret brenda e jashtë. Në fund të fundit, dallohej si një enigmë e administratës shtetërore komuniste. Pse jo, edhe sot, kur bie fjala, vazhdon të njihet si një legjendë e padeshifruar ende. Kush punoi aty e kishte të qartë se ajo nuk ka se si të ishte fare e panjohur në popull, siç pretendohej që kur u miratua. Nuk kishim përse ta gënjenim veten deri në këtë pikë, megjithatë, duhej të ndiqnim ritin e sekretimit të tij të pandërgjegjshëm. Aq më tepër, që kohët dhe dijet ndryshonin çdo ditë në Shqipëri, krahasuar me kohën kur u hap aktiviteti.
Atëherë ekzistonte vetëm Universiteti i Tiranës, si dhe ndonjë institut. Ndërsa më vonë universiteti u shumëzua me filiale dhe institute të shumta në të gjithë vendin. Po kështu u shtuan njerëzit me tituj shkencorë, të promovuar brenda vendit tonë dhe lëvizjet e tyre të programuara jashtë shtetit nuk ishin të papërfillshme. Pra, Albtrans-i filloi të thirrej me emrin, pak a shumë të vërtetë sipas aktivitetit: “një ndërmarrje kapitaliste brenda shtetit komunist”.
Kjo pikë zbulimi brenda Albtrans-it teknikisht u ndërtua pak a shumë me pikëpamjen që, në çdo mjedis të marrëdhënieve me jashtë të kamufloheshin punonjës të shërbimeve sekrete. Pra, Albtrans-i kishte momente të pasakta, nga ajo që mendohej të ishte një agjenci e vërtetë zbulimi. Një tjetër problem ishte kontingjenti ku duhej operuar, pasi ai ishte shumë i vështirë, që në dukje nuk i plotësonte kushtet e zgjedhjes dhe të studimit të elementeve për bashkëpunim nga ky ambient. Kontingjenti i mjedisit ku duhej operuar ishin njerëzit që punonin në det, marinarët e huaj. Ky kontingjent ofronte mundësi tepër të pakta. Atyre u mungonin mundësitë për zgjidhjen e detyrave të shumta, të cilat lidheshin me mbrojtjen e vendit tonë.
Ky ambient nuk kishte asnjë lidhje me ato. Ata kishin nivel shumë të ulët edukues dhe shkollor. Asnjëri prej tyre nuk e kishte kryer shkollën e mesme “inferiore” të detyrueshme, sipas ligjeve të vendit të origjinës, madje dominonin gjysmanalfabetët. Puna individualiste që bënin i kishte shkëputur pothuajse nga ndjenjat e vërteta njerëzore. Që të vegjël hynin në rrethin e kontrabandës së cigareve, trashëguar nga gjyshi e babai. Nga edukimi i dobët ata kishin edhe plot të meta në karakter.
Si kontingjent pune spiunllëku, ata ishin të përshtatshëm për forcat speciale të Rojeve të Financës Italiane, të cilët e kontrollonin kontrabandën e cigareve nëpërmjet kontingjentit kontrabandist. Për asnjërin prej tyre nuk mund të vihej dora në zjarr se nuk ishte agjent i asaj arme të fuqishme në det dhe në tokë. Parimi i skafistëve ishte përdorimi i lojës së dyfishtë: denonconin kolegët e tyre, për të privilegjuar realizimin e punës së vet. Puna e tyre ishte të ngarkonin mallin nga bankina apo nga anijet “mëma” në det të hapur dhe të gjenin rastin, me çdo kusht, ta dorëzonin atë në tokën italiane pa u diktuar, me dredhi apo duke rrezikuar edhe jetën në çdo kohë. Kjo punë u jepte të ardhura të mira. Edhe sikur të kishin mundësi operative dhe informative, zbulimi shqiptar, me fondet e tij sekrete, nuk ua kompensonte dot atyre paratë që fitonin.
- Shumë sektorë operativë të MPB-së të Drejtorisë së Tretë të Zbulimit dhe të Degës së Parë të Drejtorisë të Sigurimit, që merrej atëherë me koordinimin midis zbulimit dhe kundërzbulimit, ishin përpjekur fillimisht të ndërtonin punë agjenturore-operative në këto mjedise, - më thoshte ish-ndihmësi i Qazimit, Josif Dedia (Daja, siç e thërrisnin të gjithë), të cilin e gjeta në stafin e Albtrans-it kur fillova punën. - Oficerë në zë, të gjithë emra të njohur, si Rasim Dedja, Haki Keta, Koço Eftimi, Tahir Malo, Isa Lika etj., - thoshte ai,- e kishin provuar të ndërtonin punë zbuluese, por nuk ia arritën dot.
Kush më shumë e kush më pak e kishin filluar konkurrimin me intuitë midis tyre, por, pas një a dy vitesh lufta u konkretizua në një drejtim tjetër, për të fituar pushtetin e Albtrans-it, që nënkuptonte të bëhej drejtor i ndërmarrjes më me prestigj të kohës, plus privilegjet që sillte karriera e saj. Në fund, që të gjithë u skartuan dhe u kthyen nga kishin ardhur, ndërsa zyrën e fitoi Qazim Myftiu, i cili shpejt e disiplinoi atë si ndërmarrje tregtare në bashkëpunim me partnerët e jashtëm me eksperiencë të vendeve të tjera. Dalëngadalë u kthye nga një ndërmarrje spontane, në një ndërmarrje të rregullt tregtare. Por, kuptohet, as Qazimi nuk u dallua të kishte kombinuar ndonjë gjë thjesht si zbulues. As ne nuk mbajtëm marrëdhënie me Drejtorinë e Zbulimit, por punën e dyfishtë nuk e lamë fare në harresë. Herë pas here vilnim informacione konfidenciale.
Maunet me cigare kontrabandë filluan të kalonin përmes Shqipërisë. Kjo e fundit filloi të fitonte disa dhjetëra mijëra dollarë që derdheshin në Bankën e Shtetit, por se çfarë bëhej më tej me to nuk dihej.
Njerëzve të thjeshtë të indoktrinuar u dukej se industria e cigareve në Shqipëri është nga të rrallat në botë. Në njëfarë mënyre, ata e shuanin kuriozitetin duke i imagjinuar e stërholluar gjërat ndryshe nga ç’ishin në të vërtetë. Ata thoshin se Albtrans-i çon cigare “Made in Albania” kontrabandë në Itali. Hë pra, ndërkohë që dy-tri maune TIR që transportonin cigare si në karvan përshkonin autostradat europiane dhe pastaj rrugën nacionale nga Hani i Hotit-Shkodër-Lezhë-Vorë-Rrushbull gati çdo ditë.
Megjithatë, kjo anekdotë edhe mund ta kishte një bazë reale, por jo aq sa të jetonte gjatë. Në kohën kur Albtrans-i ishte nën juridiksionin e Agro-Eksportit gjendej dikush që i dukej e besueshme se Agro-Eksporti kishte specialistë duhani, kështu që edhe Shqipëria mund të prodhonte “cigare amerikane”. Prandaj, u mendua që brenda ngarkesave të përziheshin edhe disa arka me cigare “Made in Albania” që do t’i prodhonte fabrika e Durrësit “Telat Noga”.
Për këtë u punua gjatë, duke shfrytëzuar gjithë teknologjinë e dijet shqiptare dhe, më në fund, u prodhua një lloj cigareje që nuk u pëlqye në mjediset e Albtrans-it. Ishte i njëjti variant i cigareve në shitje, me duhan të hidhur oriental, por që mbante një emër tjetër (disa arka kishin mbetur akoma, si kujtim i së kaluarës, në një qoshe të njërës prej magazinave). Ndodhi që, për herën e parë dhe të fundit u ngarkua një sasi e vogël, të cilën e konfrontuan me tregun italian, dhe pati reagime negative.
Në kthim, anija i hodhi në det arkat e provës, ia pagoi paratë palës shqiptare, bashkë me fitimin që kishte parashikuar të nxirrte, dhe thanë: “Nuk mund ta prishim tregun tonë me cigaren tuaj të patregueshme në Itali! Duhani juaj është njëfarë produkti bastard oriental, që nuk përdoret atje”.
Edhe personeli i Albtrans-it duhej të ishte sekret. Ne të gjithë ishim punonjës të shtetit, si gjithë të tjerët. Këtë punë nuk e kishim zgjedhur vetë, por ishim transferuar aty nga shteti. Edhe ne ishim nëpunës transit që, si gjithë të tjerët, na përfshinte qarkullimi i kuadrit në çdo kohë. Zgjedhjen e vendit të punës, gjithsecilit prej nesh na e bënte shteti, për interesat shtetërore.
Lëvizjet e kuadrit në brendësi kishin qëllimin politik dhe ideologjik me kritere të hapura dhe sekrete, ndaj nuk e kuptoje se nga të vinte e keqja. Kriteri proporcional krahinor ishte i legalizuar, megjithëse, si çdo gjë atëherë, as ky princip nuk mund të bëhej me perfeksion.
Kishte shumë krahina që kishin precedencë më të madhe, sidomos Jugu dhe Juglindja e Shqipërisë. Brenda kriterit proporcional krahinor mund të ishte edhe kriteri fetar, i cili vepronte në heshtje. Shumë pak besimtarë katolikë kishin detyra me përgjegjësi në Tiranë, madje, kjo vihej re e pëshpëritej edhe në Shkodër.
Ndoshta, po të mos isha shkodran dhe të mos e kisha emrin Lorenc, nuk do ta kisha pasur këtë zgjedhje në jetë (!) Pra, për të ruajtur sekretimin e ndërmarrjes Albtrans-it, të gjithë punonjësit duhet ta kishin në kokë një alibi se ku punojnë. Më thjesht e kishin dy punonjësit me detyra të dyfishta.
Ata nuk ndiheshin në vështirësi të identifikoheshin pa problem se ku punonin. Sipas bashkëbiseduesit, përdornin strehën: Punoj në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), në MPB ose në Drejtorinë e Tretë. Kështu ishin të justifikuar para çdokujt, sepse vërtet ata që drejtonin Albtrans-in dhe që bënin punë të dyfishta e kishin origjinën e profesionit nga ato tri mjedise.
Një anë e mirë që e mbulonte stafin në këto vogëlsira ishte se ata nuk qenë shumë të shpërndarë në shoqëri, kufizim ky, për shkak të vendit të punës dhe të kohës së pakët në dispozicion. Shpesh ishin të zënë orë e pa orë me Albtrans-in dhe nuk kishin kohë për shoqëri të zgjeruar.
Disave u pëlqente t’i bënin të tjerët të mendonin se ata kanë sekrete nëpër duar. Njerëzit atëherë, përgjithësisht shtireshin sikur merreshin apo njihnin sekrete. Zyrat ishin të mbyllura me çelës, disa edhe me dyllë të kuq, që vulosej me një sigël personale. Kasafortat dhe dylli i kuq identifikonin rëndësinë e nëpunësit, prandaj kasafortat dhe dylli i kuq ishin futur kudo, edhe atje ku nuk ishte fare e nevojshme. Por stafi i Albtrans-it nuk i vuante këto komplekse.
Ai ishte i zgjedhur dhe i organizuar që të pranonte edhe sakrifica të vështirësisë në punë. Mund të thoshe se sa ishte në gjendje Enver Hoxha të drejtonte partinë e shtetin, puna dukej dhe ishte e thjeshtë. Kurrkush nuk guxonte ta vinte në diskutim sekretin e Albtrans-it. As ministri i Jashtëm nuk ishte në gjendje të ngrinte zërin dhe të zgjatej për pengesat që i sillte Albtrans-i “politikës së fqinjësisë së mirë me Italinë”.
Ndoshta, edhe ai nën zë fliste me një mik të fortë atje lart, liderin numër tre apo katër, por ai ishte i zgjuar, nuk prononcohej, bënte sikur nuk e dinte se ekzistonte ndonjë ndërmarrje si ajo. Sekreti i vetëm i Albtrans-it, edhe për ne drejtuesit e saj, ishin paratë që fitoheshin dhe depozitoheshin në Bankën e Shtetit Shqiptar.
Deri atje ishte detyra jonë. Më pas, ne nuk e dinim fatin e tyre: si ndaheshin dhe përse përdoreshin. Një gjë e kishim të qartë në këtë mes se, në administrimin e atyre parave kishte të bënte edhe drejtoria Ekonomike e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministri i Jashtëm thuhej se ishte armiku numër një i Albtrans-it. Ai i bënte problem të madh politik rastet kur Ministria e Jashtme italiane ia kujtonte me notë apo verbalisht se “e dinte që Shqipëria kishte një punto franko që i vinte në ndihmë tregut të zi të cigareve në Itali”.
Deri nga fundi i viteve ‘70 të shekullit të kaluar, ministri i Jashtëm e ngrinte me gjysmë zëri fjalën se Albtrans-i bëhet pengesë për marrëdhëniet me Italinë, teksa “Komandanti” (Enver Hoxha) nuk donte ta bënte problem të një opinioni të gjerë këtë ndërmarrje, që prekte parime të cilat, ai vetë i kishte promovuar “Me forcat tona”. Herë pas here, Italia i bënte thirrje Shqipërisë për bashkëpunim, me qëllim që kontrabanda e cigareve në detin Adriatik të mos përkrahej, por, përkundrazi, të pengohej.
Më vonë, pas vitit 1984, kur në drejtimin e Albtrans-it erdhi stafi ynë dhe u bë fakt i kryer që kjo ndërmarrje ishte e domosdoshme për ekonominë shqiptare, MPJ-ja filloi ta luftojë nga poshtë. Thënë më shkurt, me mundësitë që kishte, i përshtatej shprehja “Nuk kishte çfarë t’i bënte gomarit dhe i binte samarit!”. MPJ-ja kishte mjaft detyra dhe mundësi konkrete ta ndihmonte ekonominë e vendit gjatë ushtrimit të detyrave të saj. Ajo kishte marrëdhënie të përditshme me jashtë, me Trupin Diplomatik dhe me miqtë e Shqipërisë në katër kontinente.
Në fakt, ato instruksione kalonin dorë më dorë, nga lart-poshtë, e askush nuk ishte në gjendje t’i interpretonte dot. Nga njëra anë bëhej pengesë legjislacioni, ndërsa nga ana tjetër pengesa më e madhe ishte frika prej gabimeve eventuale. Në fakt, MPJ-ja nuk e kishte kuptuar kurrë se, pikësëpari, diplomacia ishte ekonomi. Ajo e luftonte Albtrans-in, pra donte t’ia hiqte Shqipërisë së varfër edhe ato dhjetëra milionë dollarë që ajo fuste në Bankën e Shtetit. Unë udhëtoja gjithnjë me pasaportë diplomatike, po ashtu edhe Naimi. Nga viti 1987 kur shkova të marr pasaportën (pasaportat dorëzoheshin çdo herë, kur ktheheshe nga shërbimi jashtë shtetit) më thanë se ministri kishte urdhëruar që të merrja një pasaportë shërbimi.
Takova ministrin, me të cilin nga ana formale kishim marrëdhënie të mira, dhe ia shpjegova problemin se përse e kisha të domosdoshme të udhëtoja me pasaportë diplomatike. E ndjeva të arsyeshme t’i shpjegoj në detaje, edhe nga ana ime, se cili është Albtrans-i dhe rëndësia e tij për sjelljen e valutës së huaj në Shqipëri.
I thashë se ajo ishte ndërmarrja më rentabël për valutë të huaj në tërë Shqipërinë, pasi vetëm atë vit, bilanci vjetor financiar neto arrinte në 16 milionë dollarë. I shpjegova, gjithashtu, se këto pará vinin kur të gjitha ndërmarrjet e tregtisë së jashtme punonin nën ritmin e tyre, pasi prodhimet që tregton Shqipëria po konkurrohen nga prodhimet e tregut ndërkombëtar, si në volum, si në çmime, në standardizim dhe, po ashtu, në cilësi.
Midis të tjerash, i theksova se Ministria e Jashtme italiane nuk e ka të domosdoshëm bashkëpunimin me Shqipërinë për zhdukjen e kontrabandës së cigareve në territorin e tyre, pasi ata janë në gjendje ta zhdukin vetë brenda 24 orëve. “Rojet e Financës italiane janë të organizuara në disa brigada dhe mund ta rrethojnë bregdetin e tyre në çdo kohë, t’i sekuestrojnë të gjitha mjetet detare, përfshirë edhe skafet, që kanë rolin kryesor në futjen e mallit pa doganë në Itali. Por qeveria italiane nuk guxon ta marrë këtë iniciativë. Italianët duan t’i nxjerrin “gështenjat nga zjarri me mashën e tjetrit”.
Më konkretisht, ata duan që ne ta mbyllim këtë aktivitet në mënyrë të njëanshme, kështu që do të arsyetoheshin përpara popullit të tyre se është Shqipëria ajo që e mbylli aktivitetin për problemet e saj politiko-ideologjike. Ata e dinë mirë se po të mbyllet ky aktivitet, të nesërmen ngelin pa të ardhura mijëra e mijëra familje në Jugun e Italisë, sidomos në krahinën e Pulias dhe të Kampanjës. Në një rast të tillë, përveç rritjes që do të pësojë papunësia dhe varfëria, do të rritet kriminaliteti dhe terrorizmi,” i thashë ministrit në sqarimin e rastit.
Qysh atëherë nuk na u penguan më pasaportat diplomatike, derisa vazhdoi të ishte zëvendësministër i Jashtëm, Reiz Malile. Më pas, zëvendësministër i Jashtëm u emërua Muhamet Kapllani. Ne e përgëzuam, pasi njiheshim me Muhametin, sepse patëm punuar në një territor të Ministrisë së Punëve të Jashtme për disa kohë, kur ai ishte zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (drejtor ishte Sofokli Lazri). Ato ditë, me Naimin do të shkonim jashtë shtetit, por MPJ-ja nuk na i dha pasaportat diplomatike.
Na priti ministri në zyrë, si mik i vjetër. Por, ai nuk u bind se na takonte pasaporta diplomatike, ndaj ngulte këmbë të na e mbushte mendjen se na mjaftonin pasaportat e shërbimit, duke thënë se kohët e fundit MPJja kishte marrë masa për ta ngushtuar rrethin e atyre që përfitonin pasaportë diplomatike dhe ato të shërbimit. Në përgjigje e falënderova për pasaportën e shërbimit, por nuk i morëm, duke i thënë: “Meqenëse jeni ngushtë në këtë periudhë, jepjani ndonjë tjetri “që i duhet më shumë”, kurse unë do të rregullohem me pasaportë të thjeshtë të MPB-së.
Për sa i përket personelit, në ambasadat kryesore të Europës, në Romë, Paris, Vjenë, Athinë, Beograd, Sofje, Bukuresht, Pragë, Stamboll (konsullata) dominonin diplomatët e dyfishtë, si në sasi edhe në cilësinë e punës. Në Nju Jork ndryshonte puna. Misioni kishte nevojë për diplomatë me ngarkesë të plotë, për të ndjekur punimet e përditshme të OKB-së dhe proporcioni ndryshonte.
Në Itali, në vitin 1975 personeli përbëhej nga ambasadori dhe tre diplomatë me detyra të dyfishta dhe së bashku me mua u bëmë katër. Një vit më parë ishte transferuar këshilltari i ambasadës dhe u zëvendësua pas dy vitesh me një tjetër të pastudiuar mirë, i cili u transferua pas një vit qëndrimi.
Po në Romë, atëherë u caktua një sekretar i tretë, diplomat nga ana e MPJ-së, por nuk kaloi shumë kohë edhe ky u kthye nga kishte ardhur, me motivin se nuk ishte i përshtatshëm apo i pa studiuar mirë.
Këto raste e të tjera tregojnë për nënvleftësim në zgjedhje të kuadrit diplomat të MPJ-së. Jo shumë vite përpara se unë të hyja në diplomaci, personeli me detyra të dyfishta mbulonte punët e personelit teknik: si shoferë, kafazë etj.
Shumë pak shkonin të emëruar diplomatë. Këto raste bënin fjalë vetëm për shefat e grupit të personelit me detyra të dyfishta (rezidentë), persona me merita lufte apo me “shpatulla të ngrohta”. As MPB-ja nuk interesohej në këtë drejtim.
Mbase, drejtorët e kuadrit atëherë nuk e dinin mirë as vetë se çfarë nënkuptonte qenia i emëruar diplomat dhe niveli i gradës diplomatike për personalitetin e një diplomati jashtë shtetit.
Jo nga diferenca e rrogave që ishin aq të vogla dhe të papërfillshme, por nuk e kishin bërë akoma metodë pune diskutimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme për problemet e emërimeve si diplomatë dhe të nivelit të gradave diplomatike të punonjësve me detyra të dyfishta, që të kishin mundësi për të bërë jetë diplomatike më intensive.
Pasi dikasteri i mbrojtjes u privua nga detyrat direkt të dyfishta në ambasada, MPJ-ja filloi të aktivizojë më shumë diplomatë të rangjeve të ulëta, sepse mbetën mjaft vende vakante.
Kur problemi i caktimit si diplomat të personelit me detyra të dyfishta dukej se u zgjidh, pra që të gjithë emëroheshin diplomatë, ende vazhdonte diskriminimi me grada të ulëta. Çfarë jete diplomatike mund të bëhej me gradën Atashe? Unë dhe një shok tjetër, i cili u caktua në Athinë, morëm gradën më të ulët në rang.
Na vinte turp të kërkonim takim njohjeje me nivelin tonë në Trupin Diplomatik, sepse zakonisht grada që merrej me politikë, fillonte nga sekretar i dytë. Sa për t’u dukur, kur e kalova fazën e parë të misionit rreth gjashtë muaj, një vit, ishim të detyruar, mësuam marifete; bënim hile me kartëvizitat personale.
Në fillim mbuloja sektorin e kulturës dhe paraqitesha si “atashe kulturor”. Ky emërtim nënkuptonte se mund të kisha çdo gradë diplomatike, nga atashe deri në këshilltar. Fjala vjen “Atashe Kulture” apo “Atashe Shtypi” etj. Pas një viti u caktova në zyrën konsullore dhe kartëvizita u bë “Kryetar i Zyrës Konsullore”.
Pozita ndërroi nga atashe, në konsull. Kishim dëgjuar të tregonin se në vitin 1938 u bënë Lojërat Ballkanike në Athinë, ku morën pjesë edhe dy sportistë shkodranë me mbiemër Dizdari: njëri në vrapim 400 metra dhe tjetri në kërcim me shkop. Vrapuesi doli i treti dhe u nderua me Medalje Bronzi. Kur e pyetën se sa vrapues kishte lënë prapa, ai u përgjigj: Ishim vetëm tre. Edhe unë isha kryetar zyre, pa asnjë vartës. Pas dy vitesh, MPJ-ja u kujtua dhe më gradoi sekretar të dytë, që ishte rang i kënaqshëm.
MPB-ja dominonte në të gjitha anët, në shumicën e personelit dhe në cilësinë e zgjedhjes. Përveç ambasadorit, që ishte i zgjedhuri i Komitetit Qendror, si volum e cilësi informacioni, bënin dhe diplomatët e dyfishtë.
Ata e kishin në profesion informacionin, dinin të zgjidhnin miqtë dhe dinin mirë t’i shfrytëzonin ata për informacion. Një plus tjetër i madh për ta, ishte sepse kishin në dispozicion edhe burime të tjera të fshehta, që ua hapnin diapazonin e informacionit.
Një rol tepër të rëndësishëm për evitimin e rolit primar të MPJ-së dhe nxjerrjen në pah të MPB-së dhe MM-së, lozte fakti se këto dy dikastere patën gjithnjë si ministra, ana formale që stimulonte personalitetin në shtetin komunist, me ofiqe të larta, anëtarë të Byrosë Politike.
Ndërkohë, në Ministrinë e Jashtme nuk e kam të sigurt, nëse ndonjëri prej tyre ka qenë anëtar i Komitetit Qendror. Prandaj, ministrat e Jashtëm karakterizoheshin vetëm nga maturia, duke pritur çdo gjë nga lart; fjala “nga lart” nënkuptonte vendin ku bënin pjesë edhe ministrat e Punëve të Brendshme e të Mbrojtjes.
Është fakt që shumë furtuna kaloi nga lart vendi ynë, por Ministria e Punëve të Jashtme nuk u prek ndjeshëm, përveç ministrit të Jashtëm, Nesti Nase, i cili kaloi një periudhë arresti dhe doli i pafajshëm. Kjo tregon se MPJ-ja ka qenë gjithnjë pasive, gjithnjë në pritje, nuk merrte iniciativa as ekonomike dhe as politike që të rrezikonte.
Për ironi të fatit, më pas, rreth viteve ‘90, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Shqipërinë, ndodhi që fëmijëve të personelit teknik, të cilët kishin lindur në Amerikë, iu njoh e drejta e shtetësisë amerikane, ndërsa fëmijëve të atyre që punuan si diplomatë në mision, nuk iu njoh shtetësia. Ja që, pas çdo të keqeje, vjen gjithmonë një e mirë.
Ministria e Jashtme kurrë nuk e ka pasur personalitetin që i përkiste të kishte, si ministria e parë në çdo qeveri kudo në botë. Gjatë gjithë periudhës së sistemit komunist, Ministria e Jashtme ka luajtur një rol të dorës së dytë, pasi e eklipsonte Ministria e Punëve të Brendshme.
Për sa i përket personelit, në ambasadat kryesore të Europës, në Romë, Paris, Vjenë, Athinë, Beograd, Sofje, Bukuresht, Pragë, Stamboll (konsullata) dominonin diplomatët e dyfishtë, si në sasi edhe në cilësinë e punës. Në Nju Jork ndryshonte puna. Misioni kishte nevojë për diplomatë me ngarkesë të plotë, për të ndjekur punimet e përditshme të OKB-së dhe proporcioni ndryshonte. /Memorie.al/


































