LAJMI I FUNDIT:

Konkurrenca mbyll zyrat e Postës nëpër institucione publike

Konkurrenca mbyll zyrat e Postës nëpër institucione publike

Menaxhmenti i Postës së Kosovës ka bërë të ditur se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ka marrë vendim për largimin e rreth 40 zyrave të pranishme postare në institucionet e Kosovës. Kështu bëri të ditur kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në një konferencë të jashtëzakonshme. Sipas Hoxhës, Posta e Kosovës ka nënshkruar shumë marrëveshje me institucione publike, duke filluar nga marrëveshja me Ministrinë e Punëve të Brendshme, marrëveshja me Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, komunat e Kosovës dhe universitet, që nëpër këto institucione të jenë të pranishme zyrat postare.

Ai theksoi se qëllimi i këtyre marrëveshjeve ka qenë që qytetarëve t’u mundësohen të gjitha shërbimet që t’i kryejnë në një lokacion apo vend të caktuar, siç ka qenë edhe motoja e Qeverisë së Kosovës “Të gjitha shërbimet në një vend”. Hoxha tha se këto marrëveshje janë nënshkruar në bazë të Ligjit të Prokurimit, i cili lejon që kryerjen e marrëveshjeve shtetërore Qeveria mund ta kryejë me institucionet publike me institucionet e saj, pa pasur nevojë që t’i hapë procedurat e prokurimit.


Ai po ashtu bëri të ditur se kanë marrë interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në momentin kur kanë lidhur marrëveshje me këto institucione. Hoxha bëri të ditur se pavarësisht që qytetarët kanë qenë të kënaqur me këto shërbime, këto marrëveshje nuk janë pritur mirë nga konkurrentët dhe institucionet mikrofinanciare, të cilat operojnë në Kosovë dhe njoftoi se ata kanë paraqitur ankesa në shumë institucione në Kosovë.

“Natyrisht që këto marrëveshje që i ka bërë Posta e Kosovës me këto institucione nuk i kanë pritur mirë konkurrentët tanë, institucionet e tjera mikrofinanciare që operojnë në Kosovë”, deklaroi Hoxha.

Ai tha se nga të gjitha autoritetet janë kthyer përgjigje negative duke i vënë ligjshmëri të plotë marrëveshjeve të PK-së me institucionet e Kosovës.

“Ata kanë gjetur fatkeqësisht një mbështetje nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka themeluar një komision dhe ai komision e ka bërë investigimin e këtyre marrëveshjeve, ka shkuar në Ministri të Punëve të Brendshme, ka marrë informatat. Dëshiroj për hir të opinionit edhe publikut të theksoj se asnjëherë nuk na kanë kontaktuar neve si Postë e Kosovës dhe si palë në proces. Si mund të merret një vendim për ju si ndërmarrje publike kur ti nuk konsultohesh, as nuk të kërkohet kurrë nga ai Autoritet”, tha Hoxha.

Hoxha bëri të ditur se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës bazohet në Nenin 4, i cili thotë se: ndalohen marrëveshjet ndërmjet dy apo më ndërmarrjeve të pavarura dhe shtoi se në këtë rast Posta e Kosovës nuk ka bërë asnjë marrëveshje me asnjë ndërmarrje tjetër të pavarur. “Ne kemi bërë marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila është 100 për qind aksionare e Postës së Kosovës”, tha ai. /Zëri/Telegrafi/