Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se në kuadër të edicionit të sivjetmë të Antalya Diplomacy Forum ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), i organizuar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.

Konjufca ka shkruar në Facebook se gjatë takimit u ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal “janë më të rëndësishëm se kurrë”.


Sipas tij, në këtë takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe për ndikimin që ato kanë në rajon dhe më gjerë.

Ndryshe, ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, priti takimin e tretë të Platformës së Paqes për Ballkanin në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF), raporton Anadolu.

Në një postim të bërë në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Jashtme në NSosyal, u bë e ditur se ministri Fidan priti takimin e tretë të Platformës së Paqes për Ballkanin në kuadër të Forumit të Pestë të Diplomacisë në Antalya.

Platforma e Paqes për Ballkanin, e krijuar nën udhëheqjen e Turqisë, mbajti takimin e saj të parë më 26 korrik 2025 dhe të dytin më 23 janar në Stamboll.

Platforma u themelua për të plotësuar angazhimin shumëpalësh të Turqisë në rajon dhe për të promovuar dialog të drejtpërdrejtë, të orientuar drejt rezultateve, bazuar në mbështetjen rajonale.