LAJMI I FUNDIT:

Koncert i muzikës korale dedikuar kompozitorit Halit Kasapolli

Koncert i muzikës korale dedikuar kompozitorit Halit Kasapolli

Qyteti i Pejës të martën do të shënojë një ngjarje të rëndësishme kulturore, ku do të mbahet mbrëmje e muzikës klasike – korale. Ky është edicioni i katërt që shkolla e muzikës mban koncert recital me korin, mirëpo sivjet kjo mbrëmje i dedikohet kompozitorit pejan, Halit Kasapolli.

Kjo mbrëmje do të hapet nga muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, e cila do të flasë për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit Kasapolli.


halit

“Kjo mbrëmje do të jetë më e veçantë ngase ngërthen vepra shumë të vështira për neve, e që ka kërkuar një angazhim shumë më të madh. E veçanta e kësaj mbrëmje do të jetë interpretimi i veprës së kompozitorit Halit Kasapollit e që për herë të parë interpretohet te ne. Vërtet për këtë mbrëmje është punuar shumë dhe çdo gjë është arritur falë vullnetit të nxënësve shumë entuziastë. Kjo është hera e parë që qyteti i Pejës ia kushton një mbrëmje të tillë këtij kompozitori. Sa a e kemi arritur këtë do të shohim”, është shprehur dirigjenti i korit, Memli Kelmendi

Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe botërorë: H.Kasapolli, F.Beqiri, R.Rudi, S.Kolonja, K.Aliçkaj, K.Nushi, M.Kelmendi, W.A.Mozart, Carl Orff, K.Jenkins, J.Ivellio etj.

Mysafirë specialë të kësaj mbrëmjeje do të jenë: Rreze Kryeziu-Breznica – muzikologe, Luan Sapunxhiu-kitarë, Zana Badivuku-Basha – piano, Vesel Nikçi – këndim malësorçe, Marigo Belegu – pad.

Evenimetni do të mbahet të martën me datë 19.04.2016 duke filluar nga ora 20:00 në kishën “Shën Katarina” në Pejë.

halit1