Komuna e Prishtinës shpall thirrjen për përkrahje me serra: Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret?

Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës ka shpallur thirrjen për aplikim për të gjithë fermerët e kryeqytetit që dëshirojnë të përfitojnë serra me sipërfaqe prej 200 metra katrorë.
Sipas njoftimit zyrtar, tipi i serrës që do të mbështetet është ai "Tunel". Për të qenë përfitues, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere të përgjithshme, ku primarja është që pronën ta kenë në territorin e Prishtinës dhe të jenë banorë rezidentë të saj.
Kriteret teknike dhe kufizimet
Për ngritjen e këtyre serrave, fermerët duhet të sigurojnë një parcelë me gjatësi minimale prej 29 metra dhe gjerësi prej 12 metra. Po ashtu, aplikuesit duhet të posedojnë aktualisht të paktën 0.02 hektarë të mbjellë me perime.
Komuna ka specifikuar se brenda një bashkësie familjare mund të përfitojë vetëm një anëtar. Ndërsa, ata që kanë përfituar serra nga komuna apo donatorët në tri vitet e fundit nuk kanë të drejtë aplikimi. Një tjetër kufizim vlen për fermerët që kanë përfituar mekanizëm bujqësor gjatë vitit 2026; ata nuk mund të jenë përfitues të serrave në të njëjtin vit.
Kush ka përparësi?
Në procesin e vlerësimit, përparësi do t'u jepet:
- Fermerëve me sipërfaqe më të mëdha të mbjella me kultura si speca, domate, qepë apo tranguj.
- Grave fermere dhe grupeve të margjinalizuara.
- Personave me përgatitje profesionale shkollore në fushën e bujqësisë apo që kanë ndjekur trajnime përkatëse.
- Fermerëve që kanë infrastrukturë përcjellëse, si burimin e ujit dhe sistemin e ujitjes.
Dokumentacioni dhe afati i aplikimit
Fermerët e interesuar duhet të dorëzojnë Numrin Identifikues të Fermerit (NIF), kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e pronësisë (jo më e vjetër se 6 muaj) dhe planin e parcelës ku planifikohet ndërtimi. Në rastet kur toka është me qira, kontrata duhet të jetë e noterizuar dhe me kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Afati për dorëzimin e dokumenteve fillon nga data 15 prill 2026 dhe mbyllet më 5 maj 2026. Aplikimi bëhet fizikisht në objektet e Bashkësive Lokale në Besi dhe në lagjen e Muhaxherëve. Komuna ka paralajmëruar se aplikimet pas afatit nuk do të merren parasysh. /Telegrafi/




















































