Tifozët anglezë në numër të madh kanë zbarkuar në kryeqytetin kosovar Prishtinë.

Ata kanë ardhur për ta përkrahur ekipin e tyre kombëtar, ndërsa janë pritur në mënyrë mjaftë të mirë nga tifozët kosovarë.

E për ditën e sotme do të ketë pritje tjetër për anglezët nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me tifo-grupin Dardanët dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me tifo-grupin Dardanet dhe FFK, ka organizuar mikpritjen e tifozëve anglez në amfiteatrin e qytetit të Prishtinës me aktivitete muzikore, pije, ushqim dhe shume dashuri”, thuhet në njoftimin e komunës.

“Po ashtu, ne pamundësi që shumica prej nesh të përcjell ndeshjen në stadiumin e qytetit “Fadil Vokrri”, përveç aktiviteteve muzikore, pijeve dhe ushqimit, do të transmetohet ndeshja në mes të Kosovës dhe Anglisë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 18:00. /Telegrafi/