Komuna e Prishtinës ka nisur sot rrënimin e shtëpisë në zonën e “Rrugës A”, objekt ky që për vite të tëra ka mbetur në të njëjtën gjendje, ndërsa kohëve të fundit kishte nisur të paraqiste shenja dëmtimi dhe rreziku për shembje, raporton Telegrafi.

Ekipet e Komunës së Prishtinës kanë dalë në terren me makineri për realizimin e vendimit të Inspektoratit, pas përpjekjes së mëhershme për rrënim, e cila ishte kundërshtuar nga pronari i objektit, Faruk Manxhuni - derisa në vendngjarje janë edhe Policia e Kosovës e Autoambulanca.




Lidhur me këtë rast ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se objekti është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

Sipas Ramës, familjet që kanë banuar në këtë shtëpi janë evakuuar para dy vitesh për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut, përcjell Telegrafi.


"Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara", ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos afrohen në këtë zonë, duke theksuar se ajo mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe mund të paraqesë rrezik për jetën e qytetarëve dhe ekipeve që po punojnë në terren.

Rama ka theksuar se prona komunale duhet të respektohet dhe të mbrohet sipas ligjit, njësoj si çdo pronë tjetër.

"Prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit", ka thënë Rama.

Ndërkohë, pronari i shtëpisë, Faruk Manxhuni, kishte kundërshtuar më herët ekzekutimin e vendimit të Inspektoratit, duke qëndruar brenda objektit dhe duke refuzuar të largohej.

Ai kishte deklaruar se nuk do të largohej nga shtëpia pa u kompensuar për dëmin që, sipas tij, i është shkaktuar.

Pas kundërshtimit të pronarit, zyrtarët e Inspektoratit, në prani edhe të Policisë së Kosovës, ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe rrënimi nuk ishte realizuar në atë kohë.

Çështja e kësaj shtëpie është ndërlidhur me punimet në “Rrugën A”, një prej projekteve infrastrukturore të Komunës së Prishtinës, ndërsa institucionet kanë theksuar se objekti paraqet rrezik për shkak të gjendjes së tij dhe punimeve përreth. /Telegrafi/