LAJMI I FUNDIT:

Kompanitë kosovare investojnë në përdorimin e energjisë nga dielli

Kompanitë kosovare investojnë në përdorimin e energjisë nga dielli

Kriza energjetike si dhe përpjekjet për të arritur emetimet neto zero, kanë rritë perspektivën e energjisë diellore, duke u parë edhe si energjia më e mirë për mbrojtjen e ambientit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, dielli parashihet se mund të jetë burimi më i madh i energjisë elektrike deri në vitin 2050, duke përbërë kështu më shumë se një të katërtën e prodhimit të energjisë në mbarë botën.


Kjo agjenci vlerëson se sistemet diellore fotovoltaike mund të arrijnë deri në 16 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në mbarë botën deri në vitin 2050, ndërsa sistemet termike diellore mund t’i shtojnë asaj edhe 11 për qind të prodhimit të energjisë në mbarë botën.

Në vendin tonë, sektori i energjisë përfshin rreth 86 për qind të emetimit të përgjithshëm të gazeve serrë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

Ky kontribut ndërlidhet me faktin që rreth 95 për qind e prodhimit të energjisë elektrike sigurohet nga thëngjilli ose linjiti, ndërsa pjesa tjetër nga burimet e rinovueshme.