LAJMI I FUNDIT:

​Komisioni pa qëndrim përfundimtar për pagesën e rrymës në veri

​Komisioni pa qëndrim përfundimtar për pagesën e rrymës në veri

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme kanë diskutuar lidhur me ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 milionë euro nga ana e Qeverisë së Kosovës për pagesën e shpenzimit të rrymës në veri të Kosovës.

Pas mbledhjes së këtij Komisioni, avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se për ndarjen e 10 milionë eurove për pagesën e shpenzimeve të rrymës në veri, komisioni vendosi që të ftojë organet përgjegjëse të vijnë në mbledhje dhe të merret një vendim për këtë çështje.


“Sot në Komisionin Parlamentar nuk pati ndonjë qëndrim përfundimtar apo jo si duket mbetet të trajtohet pastaj nga komisioni me autoritetet përgjegjëse siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në Kosovë dhe institucionet përgjegjëse për të parë nëse ekziston një vendim i tillë. Ndërsa, mua më është kërkuar që të jap vlerësimin nëse një vendim i tillë ekziston se cilat mund të jenë pasojat juridike për qytetarë e vendit dhe meqenëse kemi pasur një situatë krahasimore në 2017 kur ne e bëmë një raport të tillë që konstatuam se i ka cenuar katër ligje bazë, duke filluar nga Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, ligji për Energji, ligji për marrëdhënie detyrimore dhe ligjin për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve konsiderojmë që është një situatë krahasuese me atë“, tha ai.

Avokti i Popullit tha se në këtë mbledhje ka ngritur si shqetësim edhe dhunën në familje e cila siç tha ai është rritur rreth 30 për qind gjatë periudhës së pandemisë.

“Sa i përket dhunës në familje ne kemi ngritur shqetësimet kryesore që kanë të bëjnë me funksionimin në tërësi dhe si të themi ka të bëjë e para me zvarritjen e procedurave gjyqësore, e dyta mungesa e një data baze të koordinuar edhe pse tashmë është funksional dhe është vu në fuqi mirëpo përgjatë gjithë këtyre viteve e kemi pasur mungesë të një sistemi. E treta ka të bëjë me mos kompensimin e viktimave të dhunës dhe ka edhe me problemet e Qendrave të Sigurta që do të duhej të ofronin strehim viktimave të dhunës ndihmë sociale ose psikiatrike për personat që kanë nevojë“, tha ai. /kp/Telegrafi/