Ukraina ka një periudhë gjashtëmujore gjatë së cilës duhet ta marrë iniciativën në front nga Rusia dhe ta forcojë pozicionin e saj për negociatat e paqes, deklaroi për Reuters komandanti i Korpusit të Tretë të Ushtrisë së Ukrainës, Andriy Biletsky.

Në intervistën për Reuters, Bilecki tha se kjo është një “pikë kthese” pas katër vitesh lufte. Ai shtoi se beson që ushtria ruse është e rraskapitur dhe e paaftë për depërtime të mëdha.


Sipas tij, nëse ushtria ukrainase arrin të ndërtojë dhe ruajë vrullin gjatë muajve të ardhshëm, mund ta marrë iniciativën përgjatë vijës së frontit dhe ta detyrojë Rusinë të heqë dorë nga planet për pushtimin e pjesës së fundit të rajonit të Donjeckut në lindje të Ukrainës që ende nuk e kontrollon.

“Besoj se gjashtë deri në nëntë muajt e ardhshëm janë periudhë vendimtare. Më saktë, mendoj se gjashtë muajt e ardhshëm janë më kritikët”, tha Biletsky për Reuters.

Çështja e kontrollit mbi Donjeckun paraqet një pengesë në negociatat e paqes të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ngecur, pasi Rusia kërkon të gjithë rajonin, ndërsa Ukraina refuzon të tërhiqet nga territori që forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë.

“Duhet të përcaktojmë drejtimet ku mund t’i përmirësojmë pozicionet tona, të marrim pika të caktuara strategjike dhe më pas të bisedojmë me rusët nga pozita e forcës, jo e dobësisë, për një armëpushim vërtet të qëndrueshëm. Nga aspekti ushtarak, kjo është reale”, deklaroi ai.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/