LAJMI I FUNDIT:

“Koha ikën, dhe duke shkuar ndryshon, ribën dhe shkel ç’do gjë me çapin e saj të pavdekshëm”

“Koha ikën, dhe duke shkuar ndryshon, ribën dhe shkel ç’do gjë me çapin e saj të pavdekshëm”

Qëndrimi i gazetës “Drita” të Gjirokastrës për zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri në mars-prill 1921.

Nga: Shyqyri Hysi

Zgjedhjet e para pluraliste parlamentare në Shqipëri janë zhvilluar gjatë periudhës mars-prill të vitit 1921. Ato filluan në 5 mars dhe Këshilli Kombëtar (Parlamenti) me 78 deputetë u mblodh më 21 prill 1921.

Këto zgjedhje u zhvilluan me “votim të tërthortë” sikurse përcaktonin nenet 2 dhe 23 të ligjit mbi zgjedhjet. Ato përfunduan me zgjedhjen e Mustafa Krujës dhe Rexhep Mitrovicës si deputetë të Bunës. Në gazetën “Drita” të asaj kohe shkruhej: “Zgjedhjet e Deputetëve të Bunës muarën funt me z. Mustafa Kruja dhe z. Rexhep Mitrovica. Të sipërpërmendurtit, tok me ata të Shkodrës arrijnë në Tiranë më 13.6.1921”.

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare ishte domosdoshmëri sepse: Në ato moment Shqipëria kishte nevojë për demokratizimin e jetës së vendit në rrafshin politik, legjislativ, ekonomik dhe shoqëror. Këshilli Kombëtar i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës duhet t’ia linte vendin një organi legjislativ (Parlamentit). Ky parlament duhej të zgjidhej nga populli nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Shqipëria kishte nevojë për institucione legjitime. Në zgjedhje duhet të përfshiheshin të gjitha shtresat shoqërore, e gjithë hapësira politike e shtetit shqiptar në kufijtë e 1913-s.

Zgjedhjet do t’i jepnin legjitimitet organeve legjislative, ekzekutive dhe gjykatave. Ato do të shuanin edhe disa divergjenca që lindën midis krerëve të kohës. Në realitetin e ri të frymës kombëtare që mbizotëronte në vend, zgjedhjet do t’u jepnin mundësi shtresave dhe individëve të provonin reputacionin e tyre drejtpërdrejt në popull.

Shqipërisë i mungonte një kushtetutë e plotë. Rolin e kushtetutës e luante Statuti i Kongresit të Lushnjës 1920. Gazeta “Drita” shkruante: “Me qënë se Shteti Shqiptar nuk ka një kushtetutë të tij, është i shtrënguar të sbatojë (zbatojë) pikërisht ligjin otoman që ka në veprime sipër me gjithë që nga ndonjëherë nuk është i dobishëm në administratën e vendit. Për këtë gjë populli kërkon të merren masa duke thirrur për një Asamble – Kostituente që të vendoset prej shqiptarëve një Kano për shqiptarët, sipas kohës së sotme dhe siç e do përparimi i botës së qytetruar”.

Më tej gazeta shkruante: “Kushtetua Turke nuk durohet më në kuris të shqiptarit… Të mblidhet sa më shpejt Asambleja Kostituente”. Për këtë problem ishte shprehur edhe Kongresi i Lushnjës, sipas të cilit: “Këshilli Kombëtar do t’i linte vendin Asambles Kushtetuese”.

Pothuajse të gjitha gazetat që botoheshin në atë periudhë në Shqipëri u përfshinë në atë fushatë elektorale. Midis gazetave përmendim: ”Drita”, “Koha”, “Shkumbini”, “Gazeta e Korçës”, “Taraboshi”, “Dielli”, “Omonia”, “Fjala e Lirë”, “Besa Shqiptare” etj.

Qeveria më 14 nëntor 1920 kishte deklaruar ligjin e zgjedhjeve për “Asamble Kushtetuese”. Kundër tij u ngritën: “Disa anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputet, ish ministra të Qeverisë së Durrësit, disa element filoitalian dhe element turbullues që dëshironin zgjjatjen e krizës shqiptare, si dhe disa figura të kohës që kërkonin të përfitonin nga zgjedhjet”, shkruan Drita.

E ndodhur nën presion, Qeveria e Sulejman Delvinës dha dorëheqje. Qeveria Vrioni që pasoi u zotua se “…do të hartonte një projekt ligj për zgjedhje, jo për Asamble Kushtetuese”. Ky projektligj u miratua nga Këshilli i Lartë më 14 dhjetor 1920, sepse Këshilli Kombëtar ishte vetëshpërndarë. Por, edhe këtë herë dolën në skenë probleme të tjera. Presioni i jashtëm dhe i brendshëm bënë që ligji i zgjedhjeve të kishte një shtesë. Qeveria Vrioni dhe Këshilli i Lartë “lejuan komunitetet fetare të dilnin me lista të veçanta deputetësh”.

Më në fund, zgjedhjet u zhvilluan me dy shkallë. Për çdo 500 votues, një zgjedhës. Për çdo 12 mijë banorë, një deputet. Që të merrje pjesë në zgjedhje duhej të ishe shtetas shqiptar prej gjashtë muajsh dhe të kishe mbushur moshën 20 vjeçare. Ndërsa zgjedhësit e dytë duhet të ishin në moshën 25 vjeçare. Sipas nenit 25 të Ligjit të Zgjedhjeve, e drejta e votës u mohohej ushtarakëve dhe grave.

Më 3 janar 1921, “Drita” përcolli opinionin e saj mbi ligjin e zgjedhjeve. Ajo shkruante: “Ligji i zgjedhjeve na erdhi, por mjerisht nuk na kënaqi aspak. E para se qeveria nuk po çan kryet për asamble. Dhe e dyta se ligji është fare primitiv, e kështu jemi sigur se edhe Parlamenti i ri do përbëhet prej sulltanëve si dhe të parëve, me ndryshimin që sallat e para ishin me domate të papjekura, dhe e dyta do të jetë me lakëra, d-m-th hiq sallatë, vër sallatë. Natyrisht ç’mund të pres njeriu prej një deputeti prej nga i cili qeveria s’kërkon asnjë kalitet (kualitet), përveç se të dij të vërë firmën në procesverbalet e mbledhjeve”.

Megjithëse klasa politike shqiptare ishte e grupuar sipas shtresave dhe interesave të kohës, në këto zgjedhje nuk u regjistruan parti të mirëfillta politike. Duhet të theksojmë se nuk kishte parti politike, por rrymat dhe grupimet politike ishin presente.

Në 10 tetor 1920 rreth Fan Nolit ishte formuar Partia Popullore dhe më 21 nëntor 1920 rreth Mehdi Frashërit (në vitin 1922 kryesonte Hoxhë Kadriu) ishte formuar Partia Përparimtare. Duke përfituar nga shtesa e ligjit për zgjedhjet (janar 1921), elementi ortodoks i prefekturës së Gjirokastrës u organizua në një grup politik me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhje. Iniciator ishte Petro Harito, “i cili u përpoq me xhan hak”, sikurse shkruante gazeta “Drita”.

Në këto zgjedhje morën pjesë edhe individë të veçantë. Kështu p.sh. Sulejman Luzati deklaroi se nuk ishte pjesë e ndonjë grupi që konkurronin në zgjedhje. Në telegramin dërguar gazetës “Drita”, 3 mars 1921, ai deklaronte: “Unë s’jam i bashkuar me no një grup. Jam i pa anëshëm”.

Në faqet e “Dritës” shpalosën programet, idetë dhe mendimet për zgjedhjet disa kandidat për deputetë, ndër të cilët edhe Bahri Omari me shkrimin: “Disa përflitje për kandidaturat dhe për zgjedhësit”. Bahriu, pasi shpjegon se ç’është kostitucionalizmi dhe se ç’janë programet e deputetëve dhe të partive thekson: “Jam një anëtar i nxeht i një mbledhje kostitucionale… Sot për sot jam partisan mbretërie kostitucionale, se Shqipëria s’munt të hedh çapa më të gjera nga shoqet e saja ballkanike”.

Gazeta “Drita” kishte drejtor dhe botues në atë kohë Veli Hashorvën, që drejtonte organizatën atdhetaro-kulturore “Opinga” dhe mbështeste nacionalistët. Në nr. 26 të saj “Drita” konfirmon se: “Mësojmë gjysëm zyrtarisht se kanditatët e parlamentit në Gjirokastër janë Myfyt Bej Libohova, Ali Koka, Ali Bej Këlsyra, S.Abazi, Petro Poga, Vasil Dilo dhe Bahri Omari”.

Duke botuar një deklaratë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare ajo shkruante: “Deputet e rinjë duhet të jenë simboli i patriotizmit të vërtet jo si z. Myfyt, i cili në Vlorë thosh i mbështetur në bajonetat e huaja guximisht se nderi i tij është më i math se nderi i gjithë Shqipërisë, që Kongresi i Lushnjes është një kongres rrebelësh,.e shumë e shumë të tjera. Pra përkrahja e njerëzve si ai dhe e shokëve si aji është tradhëti për të gjithë ju dhe Prefekturën e Gjirokastrës e për Shqipërinë”.

Në zgjedhjet e 1921 Myfyt Beu krijoi një grup me mbështetësit e tij, të cilët ishin: Fejzi Bej Alizoti, Mehmet Konica, Zenel Gjon Leka, Ali Koka, Kasneci, Kiço Koçi, Petro Poga dhe Kiço Konomi. Ndërsa emrin e gjashtë të grupit, gazeta s’e kishte mësuar ende. Zenel Gjin Leka dha dorëheqje dhe në vend të tij u zgjodh Ismail Effendi Ninati.

Zgjedhjet përfunduan ditën e shtunë më 26 mars 1921. Këtë ditë “Drita” e konsideron të shenjtë. Gazeta me anë të shkrimit: “Përfundimi i zgjedhjeve”, theksonte: “Pas katër muaj përpjekjesh muari fund seleksioni i deputetëve të Gjirokastrës me mundjen’ e z. Myfyt Libohova dhe me fitimin e grupit popullor”.

Gazeta në nr. 29 të saj nëpërmjet shkrimit “Jo fjalë te arat, po të vërteta” shkruan: “Kështu pra nisi Drita të godisi Myfyt Ben në artikujt e saj 25-26 dhe nuk është çudi që për së afërmi të përsëritë ato që janë thënë shumë hërë se ky grabiti gjithë metallet e Shqipërisë, i shiti Italisë Vlorën, tradhëtoi interesat e Shqipërisë me marrëveshjen e Romës, fillo-Italian i shquar, kundërshtar i mbledhjes së Lushnjes etj”. Po aty ajo sillte në kujtesën e lexuesëve se: “Vetëm Myfyt Beu ishte ay që e quan Çerçiz Topullin hajdut, dhe Avni Rustemin katil”.

Zgjedhjet e viti 1921 në Prefekturën e Gjirokastrës u mundua t’i manipulonte edhe propaganda greke. Gazeta “Nea Imera” e datës 28 janar 1921 kishte deklaruar se: “Koferenca e Paqes kishte ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipërinë e Jugut”. Për përgênjeshtirimin e këtij lajmi, qeveria shqiptare autorizoi Prefekturën e Gjirokastrës, e cila nxori një qarkore të posaçme për këtë problem. Gazeta “Drita” botoi një shkrim me titullin: “Qarkore e Prefekturës së Gjirokastrës, 4 shkurt 1921”.

Më 17 shkurt korrespondenti i “Dritës” nga Përmeti shkruante: “Sgjedhjet muar funt. Esheref Frashëri, Peci, Pandeli Çali, Sejfi Vllamasi, Loni Kristo, Sejfi Vllamasi, Banush Hamiti, Tefik Panariti, , Pandeli Vangjeli, Tefik Mbroja Kristo Qirka”. Në nr. 37 të saj “Drita” shkruan: “Delvina, Libohova dhe Tepelena fillojnë zgjedhjet. Kazat’ e tjera mbaruan. Kudo triumfojnë kundërshtarët e Myfyt Beut”.

Faza e parë e zgjedhjeve mbaroi. Pyetjes kush duhet të fitojë zgjedhjet gazeta i përgjigjet se “…këtë duhet ta zgjidhin zgjedhësit e dytë”. Zgjedhjet e dyta përfunduan më 26 mars 1921 me fitoren e Grupit Popullor. “Drita” shkruan: “Votat që fituan të dy grupet përmblidhen kështu. D. Kacimbra 157, Leonidha Frashëri 152, Metat Frashëri 151, Sulejman Delvina 154, Koço Tasi 148, Ali Këlsura 137, M. Maksuti (Mustafa SH. H) 137, Bahri Omari 132, Stavro Vinjau 139, Petro Harito 131, Agathi Xhitomi 120, Vasil Dilo 98, Myfit Libohova 67, Ali Koka 41, Fejzi Alizoti 40, Ismail Ninati 34, Jani Dilo 60, Kasneci 48, Kiço Koçi 47, K. Konomi 32, Mehmet Konica 39, Petro Poga 56, Vasil Rusi 36. Njëmbëdhjet të parët u zgjodhën për deputet, t’tjerët humbnë. Indipedentët muarën nga pak vota ”.

Mirëpo, një javë pasi kishin dalë rezultatet zyrtare, gazeta i pasqyron ato me disa ndryshime, si vijon: “U informuam zyrtarisht se shuma e votive që muarën deputetët nga Gjirokastra përmblidhet kështu: Koço Tasi 163, D. Kacimba 157, Sulejman Delvina 154, Leonidha Frashëri 152, Mitat Frashëri 151, S. Vinjau 139, M. Maksuti 137, Ali Klisura 137, Bahri Omari 132, Petro Harito 131, Agathi Xhitomi 120”.

Gjirokastra i përcolli bijtë e saj për në parlamentin e parë pluralist me një ceremoni festive spontane. Spontane, sepse Javer Hrushidi që ishte Kryetari i Bashkisë nuk pranoi ta organizojë atë. Indiferenca buronte nga fakti që nuk fitoi Mufyt Beu. Sikurse shkruan gazeta: “Mjerisht Javer Beu nuk ishte… Kryekatundari nuk kishte për t’ardh, as që i pëlqeu të vinte. U kuptua, se Ai po vajtonte fatin’ e zi të efendiut të tij, mbate zin’ e mundjes së Myfytit”.

Gazeta “Drita” pasqyron pjesëmarrjen masive të qytetarëve të Gjirokastrës në atë ceremoni. Populli i përcolli deputetët e tij: Petro Harito, Lonidha Frashëri, Bahri Omari, dhe Agathi Xhitomin deri poshtë ku prisnin deputetët e Delvinës dhe Tepelenës. Atje u organizua një miting spontan me popullin, nxënsit e shkollave, ushtrinë dhe deputetët e zgjedhur. Atje “foli Bahri Omari, Veli Harshova dhe majori Ismail Haki Kuçi”.

Parlamenti i ri bëri të mundur që Statuti i Lushnjes të zgjerohej në vitin 1922 me amendamente dhe u konsiderua një kushtetutë e mirëfilltë. Këto amendamente bënë të mundur, që Këshilli Kombëtar të sanksionohej si parlament fuqiplotë. Legjislatura e Këshillit Kombëtar(parlamentit 1922) të dal nga zgjedhjet e mars – prillit 1921 zgjati deri më 30 shtator 1923. Punimet e tij u mbyllën dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja parlamentare në dhjetor 1923.

Po e mbyllim këtë shkrim me sentencën e Veli Harshovës: “Koha ikën, dhe duke shkuar ndryshon, ribën dhe shkel ç’do gjë me çapin e saj të pavdekshëm”. /Gazeta “Dita”/