KMShK dënon deklaratat e nënkryetares së KPM-së për emisionin “Debat Plus”


Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar me një deklaratë publike, duke dënuar deklarimet e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila, sipas KMShK-së, ka paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini pa bazë në Kodin e Etikës së KPM-së.
Në një takim online, KMShK ka vlerësuar se organet e pavarura rregullatore duhet të tregojnë kujdes të shtuar në trajtimin e ankesave, veçanërisht atyre që kanë elemente të tipit SLAPP dhe që, sipas tyre, mund të ndikohen nga eksponentë politikë.
KMShK ka theksuar se deklarata të tilla përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe medias, duke kërkuar që KPM të veprojë në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me standardet profesionale dhe Kodin e Etikës.
Po ashtu, KMShK i ka bërë thirrje anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave që të përmbahen nga deklarata të pamatura dhe të pabazuara lidhur me cilësinë e raportimeve në mediat vendore.
Në deklaratë, KMShK u ka bërë thirrje edhe anëtarëve të tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga nisma apo deklarime që, sipas tyre, mund të cenojnë lirinë e medias në Kosovë./Telegrafi.




































