LAJMI I FUNDIT:

KMDLNJ: Qytetarët po paguajnë çmimin e reduktimit të rrymës

KMDLNJ: Qytetarët po paguajnë çmimin e reduktimit të rrymës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj reduktimeve me energji elektrike nga ana e KEDS-it, duke thënë se me këto veprime po bëhet shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Në një deklaratë për media thuhet se ZRRE duhet të mbrojë interesin e konsumatorit dhe jo që qytetarët të detyrohen të paguajnë faturat e fryra për rrymën e pashpenzuar, të cilën e kanë shpenzuar serbët e që nuk e paguajnë.


KMDLNJ përkujton se Qeveria e Kosovës me një vendim të saj pas raportit të Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-së mori vendim të ndërpritet pagesa e energjisë elektrike që shqiptarët e bënin për serbët, por nuk ndërmori asnjë veprim për ta detyruar KEDS-in dhe ZRRE-në të kompensojë në mënyrë retroaktive konsumatorët e plaçkitur të cilët, ndonëse pagues të rregullt, pamëshirshëm dëmtohen sot e kësaj dite.

Edhe më parë KMDLNJ ka rekomanduar që qytetarët/konsumatorët të mos paguajnë për rrymën e pashpenzuar, kurse të jenë të përpiktë në shlyerjen e borxheve për rrymën që e shpenzojnë.

“Gjithashtu, për realizimin e të drejtave të kompenzimit për dëmet e shkaktuara, qoftë për fryerje të faturave, dëmeve në ekonomitë familjare dhe biznes duhet t’i drejtohen gjykatës përkatëse e cila duhet t’i shqyrtojë me prioritet këto kërkesa për zhdëmtim e jo që këto raste të zvarriten një kohë të gjatë”, thuhet në reagim.

KMDLNJ konsideron se protestat paqësore janë mjet i lejuar demokratik për sensibilizimin e opinionit.

“Me këto veprime të KEDS-it, ZRRE-së ndaj qytearit – konsumatorit po bëhen shkelje flagrante të drejtave të njeriut e që po mbesin të pa adresuara shkaku se nuk po gjejnë përgjigje të merituar dhe mbrojtje nga këto shkelje”, përfundon reagimi. /Telegrafi/