LAJMI I FUNDIT:

Klubet shqiptare që do të kenë përfitime financiare nga ‘Euro 2016’, mësoni shumën

Klubet shqiptare që do të kenë përfitime financiare nga ‘Euro 2016’, mësoni shumën

Skënderbeu dhe Partizani janë dy klubet e vetme shqiptare që do të kenë përfitime financiare nga ‘Euro 2016’.

E përditshmja gjermane Bild ka shkruar se UEFA ka vendosur një shpërblim për çdo klub, lojtarët e të cilit janë pjesë e një kombëtareje në Evropianin e Francës.


Shuma prej 5.800 euro në ditë është shifra që do të paguhen klubet për çdo lojtar pjesëmarrës në Evropian. Llogaritja e këtij shpërblimi do të nisë që nga data 27 maj, 14 ditë para startit të ‘Euro 2016’, transmeton TCH.

Në bazë të përllogaritjeve të para, Orges Shehi dhe Alban Hoxha, dy lojtarët e vetëm që janë në kombëtare nga Superliga do të fusin në arkën e klubeve përkatëse nga 139.200 euro deri më datë 19 qershor, dita kur Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Rumanisë.

Falë kualifikimit historik, Federata Shqiptare e Futbollit përfitoi një shpërblim prej rreth tetë milionë eurosh nga UEFA, ndërkohë që kalimi i grupit do të rrisë përfitimin financiar jo vetëm të Federatës, por edhe të dy klubeve më të mira të Superligës, Skënderbeut dhe Partizanit.