Klubet e Superligës të zhytyra në borxhe

Disa prej skuadrave që nuk ua kanë dhënë pagat lojtarëve janë në pjesën e epërme të tabelës e disa tjera në fund, që do të thotë se kriza financiare është shtrirë përgjithësisht në futbollin kosovar. Për t’i vendosur borxhet në peshore, klubi i parë që duhet ta përmendim është sigurisht Llamkos Kosova, që është më së shumti ‘minus’ te lojtarët.
Vushtrriasit kanë hyrë në muajin e 10 pa paga, hiç disa shumave ‘sociale’ që i kanë marrë gjatë kohëve të fundit. “Tani po bëhen 10 muaj pa marrë paga. Po bëhen 10 muaj që nuk i kemi marrë paratë e djersës tonë. Kjo është vërtetë e tepërt”, ka deklaruar për gazetën Arena mbrojtësi Arbër Prekazi. Klubi i dytë që më së shumti ka borxhe është Vëllaznimi.
Futbollistët gjakovar kanë tre muaj që s’kanë marrë paga, ndërsa në dhjetor bëhet muaji i katërt pa u afruar te bankomatët. Përkundër këtij fakti, lojtarët kanë vendosur që t’i shkojnë deri në fund sezonit vjeshtor, përkundër kushteve katastrofale. Pagat e muajit tetor s’i kanë marrë as lojtarët e Prishtinës. Sipas drejtorit Sokol Krasniqi, klubi bardhekaltër do t’i gëzojë së shpejti futbollistët. /Telegrafi/



















































